Muadh Ibni Enes (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Kush e përmban zemërimin e tij, edhe atëherë kur ka mundësi ta shprehë (mbi personin që e ka zemëruar), Ditën e Gjykimit, Allahu i Madhëruar do ta thërrasë atë para syve të të gjitha krijesave dhe do ta lërë të lirë të zgjedhë cilën të dojë nga hyritë.”

(Ebu Daud, Edeb, 3; Tirmidhi, Birr, 74; Kiamet, 48. Shih. Ibni Maxhe, Zuhd, 18.)

Muadh Ibni Enes (r.a.).

Muadh Ibni Enes el-Xhuheni (r.a.), ishte prej sahabëve të Medinës. Ai ka transmetuar rreth 30 hadithe nga i Dërguari i Allahut (a.s.). Po ashtu, ai ka transmetuar hadithe edhe prej sahabëve të mëdhenj si Ebu Derda (r.a.). Ndërsa prej vetë atij, ka transmetuar hadithe djali i tij Sehl Ibni Muadh. Transmetimet e Muadh Ibni Enesit (r.a.), janë shënuar në “Musnedin” e Ahmed Ibni Hanbelit (III, 437, IV, 234.) dhe në katër Sunenet e mëdhenj.

Ai ka jetuar në Egjipt dhe ka ndërruar jetë në kohën e kalifes Abdulmelik Ibni Mervan.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Shpjegime

I Dërguari i Allahut (a.s.), në këtë Hadith jep një lajm të mirë për ata që i zbatojnë këshillat e tij në lidhje me durimin dhe arrijnë ta mbizotërojnë zemërimin. Atij që e përmban zemërimin e vet në këtë botë, i jepet e drejta të zgjedhë  hyrinë që të dojë në Xhenet. Kjo, tregon se durimi, përveç dobive të menjëhershme në këtë botë, do të ketë edhe dobi në botën tjetër. Ky lajm i mirë, ka një ndikim serioz në nxitjen e besimtarëve që të mundin zemërimin e tyre dhe të bëjnë durim.

Në këtë Hadith, ajo që ka rëndësi, është shprehja: “Kush e përmban zemërimin e tij, edhe atëherë kur ka mundësi ta shprehë…”. Pra, kjo është e rëndësishme, të durosh në momentin kur e ke një forcë të tillë. “Mundja e zemërimit dhe falja e njerëzve”, është një prej cilësive të besimtarit të pjekur. [shih. Al-i Imran, 133-134.]

Ndërsa hadithet, “Allahu e mbush me siguri dhe besim zemrën e atij që e mund zemërimin e vet edhe pse ka mundësi ta shprehë atë” dhe “Allahu ia mbulon gabimet atij që e qetëson zemërimin e vet”, bëjnë të ditura shpërblimet e tjera që do t’u jepen atyre që e përmbajnë urrejtjen dhe zemërimin e tyre.

Shprehja, “edhe pse ka mundësi ta shprehë (forcën)”, përmban mesazhe që në mënyrë të veçantë i drejtohen njerëzve me pushtet. Nëse ata e përmbajnë veten nga zemërimi, padyshim se kjo do t’i pengojë ata nga shumë padrejtësi dhe humbje të parikuperueshme. Për këtë arsye, është me shumë  rëndësi që njerëzit e pushtetshëm ta përmbajnë urrejtjen dhe zemërimin e tyre.

Përmbajtja e zemërimit, është një virtyt shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm. Por, arritja e kësaj është e vështirë. Për këtë arsye, mënyra për të shpëtuar prej dëmeve të urrejtjes dhe të zemërimit, është të strehohesh tek Allahu që në fillim.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Përmbajtja e zemërimit, e kënaq Allahun e Madhëruar.
  2. Durimi më i çmuar, është ai kur e qetëson veten nga zemërimi dhe i fal njerëzit, ndërkohë që ke mundësi t’i ndëshkosh.
  3. Durimi e ka fundin e ëmbël.
Share.

Leave A Reply