Abdullah Ibni Mes’ud (r.a.), tregon:

Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), ndau plaçkën e luftës së Hunejnit, disa personave u dha më shumë se të tjerëve. Akra’ Ibni Habis’e-s dhe Ujejne Ibni Hisn’a-s u dha të dyve nga njëqind deve. Ndërsa parisë së arabëve, u dha pak më tepër pjesë, sipas ndarjes së asaj dite. Për këtë arsye, një person tha:

“Për Allahun! Kjo ndarje nuk është bërë me drejtësi dhe për hir të Allahut!” Unë thash:

“Betohem në Allahun se, unë do t’ia them këtë të Dërguarit të Allahut!” –dhe shkova i tregova Profetit (a.s.), ato që tha ai person. Fytyra e të Dërguarit të Allahut (a.s.), u bë flakë e kuqe prej zemërimit. Më pas u përgjigj kështu:

“Nëse nuk mbajnë drejtësi Allahu dhe i Dërguari i Tij, askush tjetër nuk mban drejtësi!” Pastaj vazhdoi:

“Allahu e mëshiroftë Musain! Ai është akuzuar me diçka më të rëndë se kjo dhe bëri durim.”

Pas kësaj, unë mora vendim që: “Prej asaj dite nuk do t’i përcillja të Dërguarit të Allahut (a.s.), fjalët e askujt.”

(Buhari, Fardu’l-humus, 19; Muslim, Zekat, 140.)

Shpjegime

Hunejni është një luginë midis qytetit të Mekës dhe Taifit. Beteja e Hunejnit është zhvilluar në vitin e tetë të Hixhrit, pas çlirimit të Mekës. Ushtria myslimane e përbërë prej 12 mijë ushtarësh, 2 mijë prej të cilëve ishin banorë të Mekës, luftoi me fiset Heuazin dhe Thakif, që kishin një ushtri prej 14 mijë ushtarëve. Në këtë luftë, morën pjesë edhe rreth 80 idhujtarë të Mekës dhe disa persona të quajtur “Tuleka”, të cilëve u ishte anuluar dënimi me vdekje ditën e çlirimit të Mekës. Në fakt, këta morën pjesë më tepër për të parë se kush do të fitonte.

Lidhur me këtë betejë, bëhet fjalë edhe në suren Teube:

“Në të vërtetë, Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja, si dhe në ditën e (luftës së) Hunejnit, kur juve ju mahniti numri juaj i madh. Por ai numër nuk ju solli aspak dobi, sepse toka ju duk e ngushtë, edhe pse është e gjerë, e ju kthyet shpinën duke ia mbathur. Pastaj, Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të Dërguarin e Vet dhe mbi besimtarët, si dhe zbriti luftëtarë (melekë), të cilët ju nuk i patë dot, e me të cilët dënoi jobesimtarët. Kështu u “shpërblyen” mohuesit. Pas kësaj, Allahu e pranon pendimin për kë të dojë. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë!” [Teube, 25-27.]

Siç theksohet edhe në ajetin fisnik, pas betejës së Uhudit, myslimanët janë ballafaquar edhe njëherë me shpartallim në betejën e Hunejnit. Mirëpo, ndihma e Allahut dhe rezistenca e Profetit (a.s.), u bë shkak që ushtria të mblidhej dhe më në fund të fitonin luftën, duke shtënë në dorë edhe plaçkë të madhe lufte.

Kjo plaçkë lufte që u mblodh dhe u shpërnda në një vend të quajtur Xhi’rane, përbëhej nga gjashtëmijë gra dhe fëmijë, 24 mijë deve, 40 mijë dele dhe katërmijë monedha argjendi. I Dërguari i Allahut (a.s.), prej një të pestës së kësaj plaçke, e cila konsiderohet pjesë e “bejtu’l-mal”-it (thesarit të shtetit), u shpërndau mjaftueshëm disa liderëve fisesh, të cilëve u duhej fituar zemra (muellefe-i kulub). Pra, prej tyre ishin edhe tre personat që përmenden me emër në Hadith. Mirëpo, disa persona, të cilët nuk e kuptonin situatën dhe urtësinë e këtij veprimi të Profetit (a.s.), në një farë mënyre e kundërshtuan këtë lloj ndarjeje. Veçanërisht, Muatib Ibni Kushejr, nuk e pranoi këtë zbatim të Profetit (a.s.), me fjalët që përmenden në Hadith. Ai e akuzoi Profetin (a.s.), se është treguar i padrejtë në ndarje, gjë që ishte një akuzë shumë e rëndë. Për këtë arsye, Abdullah Ibni Mes’udi (r.a.), e ndjeu të nevojshme t’ia përcillte Profetit (a.s.), këto akuza. Këtu është me dobi të kujtojmë se, gjatë ndarjes së plaçkës së luftës së Hunejnit, ka pasur edhe disa raste të tjera kundërshtimesh dhe ankesash në lidhje me ndarjen. Për shembull, një nga rastet më të njohura, është edhe ai kur, si pasojë e disa fjalëve të të rinjve të ensarëve, i Dërguari i Allahut (a.s.), i mblodhi të gjithë ensarët dhe e diskutoi me ta këtë çështje.

Lidhur me ndarjen e plaçkës së luftës dhe me disa kundërshtime, bëhen disa evidentime edhe në suren Teube, ku urdhërohet:

“Ka edhe të tillë që të qortojnë për shkak të ndarjes së lëmoshës. Nëse atyre u jepet ndonjë pjesë, ata kënaqen, por, nëse nuk u jepet, përnjëherë zemërohen. Sikur ata të kënaqeshin me atë që u ka dhënë Allahu dhe i Dërguari i Tij, do të thoshin: «Na mjafton Allahu! Allahu do të na japë nga mirësitë e Veta; edhe i Dërguari i Tij. Ne vetëm tek Allahu i varim shpresat»” [Teube, 58-59.]

I Dërguari i Allahut (a.s.), në rast nevoje, u jepte bujarisht disa personave që ishin më të dobët në aspektin fetar se sa disa të tjerëve, lidhur me të cilët ishte i sigurt për besimin e tyre. Kjo, sepse në mirësi mund të përdoren kritere të ndryshme.

E theksojmë edhe njëherë se, ato që janë ndarë nga kjo plaçkë lufte, kanë qenë vetëm prej pjesës (1/5) që i takonte vetë të Dërguarit të Allahut (a.s.). Pra, atyre personave nuk u është dhënë asgjë prej pjesës që u takonte luftëtarëve. Por me gjithë këtë, ai u kundërshtua dhe u akuzua për padrejtësi. Për rrjedhojë, zemërimi dhe reagimi i Profetit (a.s.), kundrejt këtyre akuzave, ishte shumë i natyrshëm dhe  i rëndësishëm në aspektin e sqarimit të së vërtetës.

Këtë të vërtetë, i Dërguari i Allahut (a.s.), e shprehu me këto fjalë shumë të qarta: “Nëse nuk mbajnë drejtësi Allahu dhe i Dërguari i Tij, do të thotë se askush tjetër në botë nuk do të mbajë drejtësi. E kush tjetër përveç tyre mund të mbajë drejtësi?”. Kur këtyre fjalëve u bashkëngjitet edhe reagimi i zemërimit që u shfaq në fytyrën e Profetit (a.s.), ato nënkuptojnë një kërcënim serioz. Mirëpo, ashtu siç ka vepruar në të shumtën e rasteve, i Dërguari i Allahut (a.s.), i këshilloi vetes durimin, duke sjell ndërmend vuajtjet dhe akuzat që ka duruar Musai (a.s.), prej hebrenjve dhe tha: “Allahu e mëshiroftë Musain! Ai është akuzuar me diçka më të rëndë se kjo dhe bëri durim.” Kurani na bën të ditur fjalët e hebrenjve drejtuar Musait (a.s.):

“O Musa! Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të shohim Allahun haptazi!”. [Bekare, 55.]

“O Musa! Kurrsesi nuk do të hyjmë atje, derisa ata të jenë aty. Kështu që shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”. [Maide, 24.]

“O Musa! Ne nuk mund të kënaqemi vetëm me një lloj ushqimi!..” [Bekare, 61.]

Madje, edhe myslimanët janë paralajmëruar nga Allahut me ajetin:

“O besimtarë, mos u bëni si ata që e shqetësuan Musain!..” [Ahzab, 69.]

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Në Hadith është tërhequr vëmendja se kush e lëndon Profetin (a.s.), e sulmon atë dhe e ofendon, i ngjan hebrenjve që kanë akuzuar Musain (a.s.).
  2. I Dërguari i Allahut (a.s.), nuk e dënoi personin që foli kaq rëndë për të dhe nuk i ka vlerësuar këto fjalë si mohim i profetësisë së tij.
  3. Kush e ofendon të Dërguarin e Allahut(a.s.) bie në mohim.
  4. Në këtë botë, është e mundur të përballesh me ndodhi të rënda dhe të veçanta, ndaj të cilave edhe Profeti (a.s.), e ka pasur të vështirë të bëjë durim. Zgjidhja është vetëm durimi.
  5. Dashuria që sahabët ndjenin për Profetin (a.s.) dhe kujdesi që ata kanë treguar për të mbrojtur të drejtat e tij, është për t’u lavdëruar.
Share.

Leave A Reply