Ebu Bekre Nufej’ Ibni Harith eth-Thekafi (r.a.), ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Nëse dy myslimanë sulmojnë njëri-tjetrin me shpata, edhe i vrari, edhe vrasësi janë në Xhehenem.” Unë pyeta:

“O i Dërguar i Allahut! Vrasësi dihet, por i vrari përse është në Xhehenem?”

“Sepse edhe ai donte të vriste shokun e vet!”- tha Profeti (a.s.).

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Iman 22, Dijat 2, Fiten 10; Muslim, Kasame 33, Fiten 14, 15. Shih. Ebu Daud, Fiten 5; Nesai, Tahrim 29, Kasame 7; Ibni Maxhe, Fiten 11.)

 

Ebu Bekre eth-Thekafi (r.a.).

Ebu Bekre (r.a.), ishte prej Taifit. Për shkak se prindërit i kishte skllevër, edhe ai konsiderohej i tillë. Kur myslimanët rrethuan Taifin, Profeti (a.s.), deklaroi se të lirët që i bashkohen myslimanëve nuk do të preken, ndërsa skllevërit do të lirohen. Ebu Bekre (r.a.), ishte njëri prej 23 skllevërve që zbritën poshtë nga kalaja e Taifit me një çikrik prej një pusi të quajtur Bekre. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (a.s.), i vuri emrin Ebu Bekre, me të cilin ai u bë i njohur që prej asaj dite.

Ebu Bekre (r.a.), ishte një sahab që njihej për adhurimin e shumtë që bënte. Këtë Hadith fisnik që ka transmetuar, e ka zbatuar gjithë jetën e vet. Dhe, për këtë arsye, ai nuk mori pjesë në asnjë prej mosmarrëveshjeve që shfaqeshin ndër sahabë. Madje, tregohet që ai të ketë thënë:

“Nëse një mysliman nxjerr shpatën për të më vrarë, nuk do ta pengoj atë!”

Prej tij janë transmetuar 132 hadithe. Ai ndërroi jetë në Basra, në vitin 51 Hixhri (671).

Allahu qoftë i kënaqur me të!

 

Shpjegime

Allahu i Madhëruar ka deklaruar në mënyrë të qartë se myslimanët janë vëllezër . Për rrjedhojë, është e papranueshme që një mysliman t’i drejtojë armën vëllait të vet. Myslimanët janë të detyruar të mos ia drejtojnë armën vëllezërve të vet, por armiqve të Islamit. Në Kuranin Fisnik, vrasja e myslimanëve me njëri-tjetrin është ndaluar me këtë ajet:

“Kushdo që vret një besimtar qëllimisht, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë…” [Nisa, 93.] Por, nëse bëhet fjalë për vrasje padashje, atëherë, siç shpjegohet një ajet më sipër, për shlyerjen e këtij faji, ka mënyra të tjera.

Përmendja e shpatës në Hadithin fisnik, është për shkak se në atë kohë, shpata ishte arma kryesore që përdorej në grindje dhe në luftë. Ndërsa sot, në vend të shpatës përdoren pistoleta dhe armë të tjera vrasëse.

Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), tha se, nëse një mysliman i nxjerr shpatën dhe e vret vëllain e vet, të dy do të jenë në Xhehenem, Ebu Bekre (r.a.), i cili e kuptonte qartë se pse vrasësi do të shkonte në Xhehenem, tha se nuk arrinte të kuptonte përse edhe i vrari do të shkonte në Xhehenem. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (a.s.), i shpjegoi se ajo që e bënte të vrarin të shkonte në Xhehenem, ishte se edhe i vrari dëshironte ta vriste vëllain e vet.

Këtu duhet të shpjegojmë se, nëse dikujt i nxjerrin armën për ta vrarë dhe po ashtu edhe ai e nxjerr armën për vetëmbrojtje pa pasur qëllim që ta vrasë personin që ka nxjerrë armën i pari, por si përfundim e vret atë, ky person nuk konsiderohet vrasës, sepse ai ishte i detyruar të vetëmbrohej. Dhe vetëmbrojtja është një urdhër i fesë. Siç do të shihet edhe në Hadithin 1360, midis Profetit (a.s.) dhe njërit prej sahabëve, zhvillohet një bisedë e tillë:

Sahabi pyet:

“O i Dërguar i Allahut! Çfarë duhet të bëj nëse dikush vjen dhe përpiqet të më grabisë pasurinë?”

“Mos ia jep pasurinë!” – përgjigjet Profeti (a.s.).

“Po sikur ai të fillojë të ndeshet me mua?” – pyeti përsëri sahabi.

“Edhe ti ndeshu me të!” – tha Profeti (a.s.).

“Po sikur të më vrasë?” – tha sahabi.

“Atëherë je dëshmor (shehid).” – tha Profeti (a.s.).

“Po sikur ta vras unë atë?” – pyeti sahabi.

“Atëherë ai shkon në Xhehenem.” – u përgjigj Profeti (a.s.). (Muslim, Iman, 225.)

Ajo që ia shkatërron njeriut jetën e botës tjetër, duke u bërë shkak që ai të dënohet përjetësisht në Xhehenem, është synimi dhe vendosmëria e tij për të vrarë një mysliman. E në fakt, edhe synimi i të vrarit, edhe synimi i vrasësit, është dhënia fund e jetës së kundërshtarit. Dallimi i vetëm mes tyre, është aftësia me të cilën njëri prej tyre vret tjetrin.

Nëse dikush që ka vrarë dikë pa të drejtë, pendohet dhe kërkon falje sinqerisht prej Allahut, Ai mund ta falë atë. Ka edhe dijetarë që thonë se një njeri i tillë nuk mund të falet. Por, përderisa Allahu i Madhëruar ka deklaruar në Kuranin Fisnik se, përveç shirkut (idhujtarisë), gjynahet e tjera mund t’ia falë kujt të dëshirojë , Ai mund t’i falë ose edhe mund t’i ndëshkojë këta persona.

Mund të themi se ky Hadith e shpjegon më së miri, ajetin fisnik: “Kushdo që vret një besimtar qëllimisht, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë…”. Siç vihet re këtu, Profeti ynë (a.s.), ka përdorur fjalën “mysliman”, edhe për vrasësin, edhe për të vrarin. Nga kjo kuptohet se, pavarësisht se ata e vrasin njëri-tjetrin me qëllim, ky gjynah i madh, nuk i nxjerr ata nga feja. Për rrjedhojë, përderisa ata janë ende myslimanë dhe nuk i bëjnë shirk Zotit, nëse dëshiron, Ai mund t’i falë ata dhe, pasi të kenë vuajtur dënimin e tyre në Xhehenem, ata do dalin prej aty, duke mos u dënuar përgjithmonë.

 

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Nëse merret vendim i prerë për të kryer një gjynah dhe kjo aprovohet edhe me zemër, tashmë ai gjynah konsiderohet si i kryer. (Kjo temë do të trajtohet përsëri në Hadithin 12).
  2. Askujt nuk i është dhënë e drejta të marrë jetën e dikujt në mënyrë të padrejtë. Për këtë arsye, tentimi i vrasjes së dikujt pa asnjë shkak, është ndërhyrje në të drejtën e Allahut, gjë e cila meriton Xhehenemin.
  3. Ashtu si për veprat e mira, edhe për veprat e këqija merret për bazë qëllimi.
Share.

Comments are closed.