Ebu Is’hak Sa’d Ibni Ebu Uakas (r.a.), i cili është një nga dhjetë sahabët e përgëzuar me Xhenet, tregon:
Në vitin e Haxhit të Lamtumirës, më zuri një sëmundje e rëndë (në Mekë). Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), më erdhi për vizitë, e pyeta:
«O i Dërguar i Allahut! Siç e sheh, jam shumë sëmurë. Unë jam njeri i pasur dhe nuk kam trashëgues tjetër përveç një vajze. A ta ndaj si sadaka dy të tretën e pasurisë sime?»
«Jo!» – tha Profeti (a.s.).
«Të ndaj gjysmën?» – thashë unë.
«Jo!» – tha ai përsëri.
«Si thua për një të tretën, o i Dërguar i Allahut?» -pyeta unë.
«Ndaj një të tretën! Madje, edhe ajo është shumë! Është më mirë t’i lësh të pasur trashëgimtarët e tu, sesa nevojtarë që t’u shtrijnë dorën të tjerëve. Për çdo shpenzim që bën duke menduar (synuar) kënaqësinë e Allahut, do të marrësh shpërblim. Madje edhe për kafshatat që vendos në gojën e gruas gjatë ushqimit.»
Sa’d Ibni Ebi Uakas vazhdon të tregojë:
«O i Dërguari i Allahut! A do të mbetem (vdes) këtu e shokët e mi do të ikin?» -pyeta unë. I Dërguari i Allahut (a.s.), tha:
«Jo, ti nuk do të mbetesh këtu! Ti do të ngrihesh duke bërë gjëra të mira për Allahun. Shpresoj prej Allahut që duke jetuar shumë, disa (besimtarët) të kenë dobi prej teje, e disa të tjerë (mohuesit) të dëmtohen.
O Allah! Plotësoje Hixhretin (emigrimin) e shokëve të mi (nga Meka në Medinë)! Mos i kthe ata pas, e t’ua lësh në gjysmë Hixhretin! Sa’d ibni Haule, është në gjendje të keqe!»
Me këto fjalë, i Dërguari i Allahut (a.s.), ka shprehur keqardhjen e tij për Sa’d bin Haulen, që vdiq në Mekë.
-Muttefekun alejhi-
(Buhari, Xhenaiz, 36, Uesaja, 2, Nefekat, 1, Merda 16, Deauat, 43, Feraidh, 6; Muslim, Uasijjet, 5. Shih. Ebu Daud, Uesaja 2; Tirmidhi, Uesaja 1; Nesai, Uesaja 3; Ibni Maxhe, Uesaja 5.)
Sa’d Ibni Ebu Uakas (r.a.).
Sa’d Ibni Ebu Uakasi (r.a.), ishte një nga dhjetë sahabët fatlumë të përgëzuar me Xhenet nga Profeti Muhamet (a.s.). Ai rrjedh prej fisit Kurejsh të degës Beni Zuhre. Edhe nëna e Profetit (a.s.), Amina, ishte prej Beni Zuhres. Prandaj, Profeti (a.s.), Sad ibn Ebu Uakasit i thoshte “Daja im”.
Thuhet se ai ishte i pesti, ose i shtati prej sahabëve që u nderuan me Islam. Kur pranoi Islamin ishte një djalë i ri vetëm 17 vjeç. Ai ka qenë i pari që ka hedhur shigjetë kundër armikut dhe i pari që ka vrarë një person në rrugën e Allahut. Kjo ngjarje ka ndodhur kështu:
Kur Sa’di (r.a.), pranoi Islamin, një idhujtar e ofendoi rëndë atë. Sa’di (r.a.), mori një kockë nofulle deveje aty pranë dhe e goditi idhujtarin më të. Kjo ishte gjakderdhja e parë në rrugën e Allahut. Ndërsa në betejën e Uhudit ai gjuajti njëmijë shigjeta kundër armiqve. Në këtë betejë, Profeti (a.s.), nga njëra anë i jepte shigjeta, nga ana tjetër e motivonte duke i thënë: “Të qofshin falë babai dhe nëna ime o Sa’d, gjuaj!”. Ai nuk u nda nga Profeti (a.s.), në asnjë betejë dhe në këtë mënyrë, mori shumë lutje dhe bekime të Profetit (a.s). Një nga lutjet që i shtoi suksesin atij ishte edhe kjo:
“O Zot! Drejtoja shigjetën Sa’dit dhe pranoja lutjen!” Për këtë arsye, Sa’di (r.a.), godiste në shenjë sa herë që gjuante dhe i pranoheshin lutjet sa herë që dëshironte diçka prej Allahut. Madje, ata që e dinin këtë, ruheshin të mos merrnin ndonjë mallkim prej tij.
Mrekullia që i Dërguari i Allahut (a.s.), lajmëroi në Hadith, u realizua dhe, shumë vende u çliruan me dorën e tij, duke u bërë toka Islame. Ai ishte i pari prej çliruesve të Iranit, kryekomandanti i luftës së Kadisijes dhe themeluesi i Kufes. Më pas u bë valiu (guvernatori) i Kufes.
Omeri (r.a.), e zgjodhi Sa’din (r.a.), si një prej gjashtë pjesëtarëve të komisionit që do të zgjidhte kalifin e ardhshëm. Pas martirizimit të Osmanit (r.a.), Sa’d Ibni Ebu Uakas (r.a.), u tërhoq nga skena dhe nuk ndërhyri më në asnjë ngjarje. Ky qëndrim i tij, u vlerësua me këto fjalë nga Aliu (r.a.):
“Qëndrimet e paanshme të Sa’dit dhe Abdullah Ibni Omerit, janë shumë me vend. Nëse tërheqja nga skena gjatë këtyre ngjarjeve përbën ndonjë gjynah, padyshim se ky është një gjynah i vogël. Por, nëse ka ndonjë sevap, padyshim se ai është shumë i madh.”
Sa’d Ibni Ebu Uakas (r.a.), jetoi më shumë se 80 vite. Në kohën kur ndodhi ngjarja për të cilën bëhet fjalë në Hadith, ai kishte vetëm një vajzë. Por më vonë u martua disa herë dhe u shtua me shumë fëmijë. Në vitin 55 Hixhri ai u sëmur rëndë në Medinë dhe, kur e ndjeu se po i afrohej vdekja, nxori një rrobe stofi të vjetër dhe tha:
“Ky le të jetë qefini im, sepse këtë kisha veshur edhe kur po luftoja me armiqtë në betejën e Bedrit. Për këtë qëllim e kam ruajtur deri tani.”
Sa’di (r.a.), ishte i fundit që ndërroi jetë prej dhjetë të përgëzuarve me Xhenet. 15 prej 270 haditheve që ai ka transmetuar, gjenden edhe tek “Sahihu” i Buhariut, edhe tek i Muslimit.
Allahu qoftë i kënaqur me të!
Shpjegime:
Haxhi i Lamtumirës, pra, koha kur ka ndodhur ngjarja që përmendet në këtë Hadith, është zhvilluar në vitin e dhjetë të Hixhretit. Rreth tre muaj pas këtij haxhi, Profeti Muhamed (a.s.), ia dorëzoi shpirtin Allahut të Madhëruar.
Në këtë Hadith fisnik, tregohet sasia e pasurisë që një person mund të lërë me testament, me qëllim që ajo të shpërndahet për hir të Allahut. Siç kuptohet, ai që ka fëmijë dhe trashëgues të afërm, nuk mund të lërë më shumë se një të tretën e pasurisë që të shpërndahet si sadaka pas vdekjes. Ndërsa në lidhje me atë që nuk ka asnjë trashëgimtar të afërt apo të largët, është e diskutueshme se a mund të lërë apo jo si testament shpërndarjen e më shumë se një të tretës së pasurisë.
Hanefitë dhe Malikitë, kanë thënë se ai që nuk ka asnjë trashëgimtar, mund të lërë si testament shpërndarjen e të gjithë pasurisë. Ndërsa imamët e medh’hebeve të tjera, e kanë kundërshtuar këtë mendim, duke thënë se trashëguesi i atij që nuk ka trashëgimtar, është “bejtulmal” (thesari i shtetit). Mirëpo, nëse trashëgimtarët nuk kanë ndonjë kundërshtim që të lihet testament shpërndarja e më shumë se një të tretës së pasurisë, nuk ka asnjë të keqe në shpërndarjen e saj.
Pra, siç shihet, i Dërguari i Allahut (a.s.), këshillon që, kur një i pasur të dhurojë ose të lërë testament pasurinë e tij, të tregohet i matur. Nëse një i pasur ia ndan të gjithë pasurinë të varfërve dhe nevojtarëve, mund të duket si një veprim i mirë dhe për t’u pasur zili. Mirëpo, ky veprim mund të bëhet shkak i humbjes së komplet pasurisë për një familje, gjë e cila mund t’i lërë të varfër shumë trashëgimtarë që kanë nevojë për atë pasuri. Për këtë arsye, feja jonë e ka mbajtur dorën e të pasurit që lë testament, i ka treguar atij zgjidhjen më të përshtatshme dhe e ka këshilluar të mendojë për ata që lë pas, me qëllim që të mos i lërë nevojtarë ndaj të tjerëve.
Fakti që Sa’d ibni Ebu Uakas (r.a.), dëshiroi të shpenzojë pasurinë e tij për hir të Allahut dhe lejimi nga ana e Profetit (a.s.), me disa kushte të caktuara, tregon qartë se të pasurit duhet të bëjnë bamirësi sa janë ende në jetë. Kjo, sepse në përgjithësi, me vdekjen e atij të pasuri, i cili e ka fituar pasurinë me mish e me shpirt, trashëgimtarët e tij nuk bëjnë bamirësi dhe e shpërdorojnë pa asnjë kriter pasurinë që u vjen në dorë.
Njeriu duhet ta shpenzojë pasurinë e tij në vende të përshtatshme, sa ka ende të drejtën e përdorimit të asaj pasurie dhe të mendojë për botën tjetër, sa është ende gjallë në këtë botë. Pavarësisht këtyre, duhet të mbrohen edhe të drejtat e trashëgimtarëve të afërt, me qëllim që ata të mos mbeten nevojtarë ndaj të tjerëve.
I Dërguari i Allahut (a.s.), ka treguar se ekzistojnë shumë mënyra për të bërë mirësi. Dhe këtë, ka dashur ta shpjegojë me një shembull. Ndërkohë, shembullin e ka zgjedhur nga një temë së cilës i ka dhënë gjithmonë rëndësi, siç është, “shkuarja mirë me bashkëshorten”. Ai që shkon mirë me bashkëshorten e tij, e lumturon edhe shokun e jetës, edhe veten e tij. Siç do të trajtohet edhe njëherë në Hadithin numër 294, njeriut i konsiderohet si mirësi edhe kafshata e bukës që ai vendos në gojën e gruas gjatë ushqimit, për ta gëzuar atë.
Sado të thjeshta dhe të parëndësishme mund të duken veprime të tilla që bëhen për të forcuar dashurinë familjare, nëse bëhen me qëllimin për të fituar kënaqësinë e Allahut, ato konsiderohen adhurime nafile (vullnetare) dhe i sjellin shpërblime njeriut. Në këtë mënyrë, del edhe njëherë në pah rëndësia e qëllimit dhe sinqeritetit. Ai që përpiqet dhe lodhet për të siguruar jetesën e pjesëtarëve të familjes, ka bërë një detyrë të rëndësishme dhe ka shpëtuar prej një përgjegjësie të madhe. Por, nëse duke bërë këtë ka menduar edhe fitimin e kënaqësisë së Allahut, ai ka bërë edhe detyrën e vet, por ka fituar edhe shpërblime prej Zotit.
Siç shihet edhe në fund të Hadithit fisnik, Sa’d Ibni Ebu Uakas (r.a.), i ka bërë Profetit (a.s.), një pyetje personale: “A do të mbetem (vdes) këtu, e ju me shokët e mi do të ikni në Medinë? Unë kam emigruar nga ky qytet për në Medinë për hir të Allahut. Nëse vdes tani dhe mbetem këtu, a do ta humbas shpërblimin e emigrimit?”
Sigurisht që i Dërguari i Allahut (a.s.), nuk mund ta dinte se Sa’di (r.a.), do të vdiste apo jo. Mirëpo, atë moment Allahu i Madhëruar ia bën të ditur Profetit (a.s.), përgjigjen e asaj pyetje. Për rrjedhojë, Profeti (a.s.), i tha Sa’dit (r.a.), se ai nuk do të vdiste nga ajo sëmundje dhe se do të kryente shërbime edhe më të mëdha në emër të Islamit, duke realizuar kështu një mrekulli. E në fakt, Sa’di (r.a.), jetoi edhe 45 vite të tjera pas kësaj ndodhie, duke kryer edhe shumë shërbime të mëdha në emër të Islamit dhe myslimanëve.
Një gjë duhet ditur mirë – lajmet e Profetit (a.s.), në lidhje me të ardhmen, nuk tregojnë se ai e di të fshehtën. Siç theksohet edhe në ajetet 26-27 të sures Xhin: “Vetëm Allahu e di të fshehtën dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të dërguarve që ka zgjedhur!..”
Ndërsa Sa’d Ibni Haule (r.a.), për të cilin i Dërguari i Allahut (a.s.), tha se “është në gjendje të keqe”, ishte një sahab që në fillim kishte emigruar në Etiopi, e më pas në Medinë. Po ashtu, ai kishte marrë pjesë në shumë beteja që prej Bedrit, Uhudit dhe Hendekut. Mirëpo, ai ndërroi jetë në Mekë gjatë Haxhit të Lamtumirës.
Sahabët nuk e konsideronin të drejtë kthimin dhe vdekjen në një vend, të cilin më parë e kishin braktisur për hir të Allahut, sepse ata dëshironin të vdisnin në vendin ku kishin emigruar. Për rrjedhojë, kur Sa’d Ibni Ebu Uakas (r.a.), pyeti, “a do të vdes e do të mbetem në Mekë?”, Profeti (a.s.), kujtoi adashin e tij, Sa’d Ibni Haulen (r.a.), i cili kishte vdekur pak kohë më parë në Mekë dhe u hidhërua për të për shkak të disa shpërblimeve që ai kishte humbur.
Vizita që i Dërguari i Allahut (a.s.), i bëri Sa’dit (r.a.), do të ceket edhe në Hadithin numër 917.
Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:
- Punët e bëra me qëllim të mirë, i sjellin shpërblime njeriut. Shpenzimet që bëhen për familjen duke pasur për qëllim fitimin e kënaqësisë së Allahut, konsiderohen si adhurime. Madje kjo vlen edhe për shakatë që bëhen me këtë qëllim.
- Profeti ynë (a.s.), i vizitonte sahabët e sëmurë.
- Sëmundja është një nga mënyrat me të cilat Allahu i Madhëruar e provon njeriun. Për këtë arsye, i sëmuri nuk duhet të ankohet për gjendjen e vet.
- Fitimi i pasurisë në rrugë legjitime, shpenzimi i saj në rrugën e Allahut dhe lënia e trashëgimtarëve dhe të afërmve në gjendje të mirë, që të mos ia kenë nevojën askujt, janë vepra të mira.
- Kur je sëmurë, nuk ndahet për sadaka më shumë se një e treta e pasurisë dhe as nuk lihet në testament për t’u ndarë. Ndërsa kur je i shëndetshëm, mund të shpenzohet pa u kufizuar me një të tretën. Personi, të cilit pas vdekjes nuk i mbetet tepër pasuri, nuk duhet të lërë fare testament për ndarjen e pasurisë si sadaka, por çdo gjë duhet t’ia lërë trashëgimtarëve.
- Allahu i Madhëruar e ka lajmëruar Profetin tonë (a.s.), për disa ngjarje që do të ndodhin në të ardhmen, e Profeti Muhamed(a.s.) i ka treguar sahabëve ato që ka parë të përshtatshme.