Allahu i Madhëruar, Krijuesi dhe Sunduesi i gjithësisë, dëshiroi të krijojë “njeriun”, më të nderuarin e krijesave, me qëllim që ai ta njohë ekzistencën e Tij, ta adhurojë, t’i bindet dhe të ndërtojë jetën në tokë. Dhe ua parashtroi kështu vullnetin e Tij hyjnor, melekëve që i kishte krijuar qysh më parë dhe i kishte ngarkuar vetëm me adhurim:

“Kur Zoti yt u tha engjëjve: «Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në Tokë». Ata thanë: «A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!» Ai tha: «Unë di atë që ju nuk e dini».” (Bekare, 30)

Pas këtyre fjalëve të Allahut, melekët njëzëri thanë:

“Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” (Bekare, 32)

Pyetja që i bënë melekët Allahut të Madhëruar, nuk ishte për ta kundërshtuar, por për të mësuar urtësinë e krijimit të njeriut.

Krijimi i njeriut

Lidhur me etapat e krijimit të njeriut, në Kuranin Fisnik, urdhërohet:

  1. Etapa e dheut.

…خَلَقَهُ مِن تُرَابٍ ثُمَّ قَالَ لَهُ كُن فَيَكُونُ

…(Allahu) Ademin e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.” (Ali Imran, 59.)

  1. Etapa baltës

الَّذِي أَحْسَنَ كُلَّ شَيْءٍ خَلَقَهُ ۖ وَبَدَأَ خَلْقَ الْإِنسَانِ مِن طِينٍ

(Allahu) i Cili ka përsosur çdo gjë që ka krijuar. Ai e ka filluar krijimin e njeriut prej baltës.” (Sexhde, 7)

  1. Etapa e baltës ngjitëse

…إِنَّا خَلَقْنَاهُم مِّن طِينٍ لَّازِبٍ

“…Ata i kemi krijuar nga balta ngjitëse!” (Saffat, 11)

  1. Etapa e baltës së tharë

وَلَقَدْ خَلَقْنَا الْإِنسَانَ مِن صَلْصَالٍ مِّنْ حَمَإٍ مَّسْنُونٍ

“Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë.”  (Hixhr, 26)

  1. Etapa e baltës së pjekur në zjarr

خَلَقَ الْإِنسَانَ مِن صَلْصَالٍ كَالْفَخَّارِ

“Ai e krijoi njeriun prej baltës së thatë, ashtu si vorba” (Rrahman, 14)

Ndërsa procesi i krijimit të çdo njeriu, pas Ademit (a.s.), si pasardhës i tij, shpjegohet qartë në këtë ajet fisnik:

ثُمَّ خَلَقْنَا النُّطْفَةَ عَلَقَةً فَخَلَقْنَا الْعَلَقَةَ مُضْغَةً فَخَلَقْنَا الْمُضْغَةَ عِظَامًا فَكَسَوْنَا الْعِظَامَ لَحْمًا ثُمَّ أَنشَأْنَاهُ خَلْقًا آخَرَ ۚ فَتَبَارَكَ اللَّـهُ أَحْسَنُ الْخَالِقِينَ

“E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!” (Mu’minun, 14)

Këto të dhëna mjekësia i ka arritur vetëm në ditët tona. Kurse Kurani i Lartë i ka njoftuar në mënyrë të përputhshme me të vërtetat shkencore etapat e krijimit të njeriut që prej më shumë se 1400 vjetëve.

Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar, bën fjalë për etapat e krijimit që të tërheqin vëmendjen për domethënien e tyre të thellë. Dheu (balta, argjila) që përbën nismën e këtyre etapave është, në pamje të jashtme, një lëndë e pavlefshme, pa asnjë delikatesë. Edhe etapat pasuese s’janë veçse gjëra jotërheqëse, madje neveritëse: një pikë uji e hedhur, një copë gjë si gjak i mpiksur, një copë mishi si i përtypur me dhëmbë… Dhe pas këtyre, me anë të shfaqjes së fuqisë hyjnore, formësimi i njeriut-vepër arti që paraqet një panoramë madhështore imtësish e delikatesash. Në vazhdim, më në fund, vitaliteti materie-shpirt, duke u kthyer në kahe të kundërt me këtë ecuri zhvillimi, kthehet sërish te toka nga u nis e humbet në të! Dhe pas kësaj, nga një qelizë, nga një farë e vetme e mbetur në tokë jashtë këtij procesi asgjësimi, dalje sërish mbi tokë në formën e përshpejtuar të mbirjes së një bime dhe ringjallje!..

Në Kuran, Allahu e fton njeriun të meditojë mbi aventurën e tij në këtë botë shumëllojshmërie:

“Kujtdo, që i japim jetë të gjatë, Ne e bëjmë sërish krijesë të dobët. Vallë, a nuk kuptojnë ata?” (Jasin, 68)

“Allahu është Ai që ju ka krijuar juve të dobët, pastaj, pas dobësisë, ju ka bërë të fuqishëm e, pas fuqisë, ju bën sërish të dobët dhe të thinjur. Ai krijon çfarë të dojë; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.” (Rum, 54)

 “Ne ju kemi krijuar prej tokës, aty do t’ju kthejmë dhe nga ajo do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër.” (Ta-Ha, 55)

Këto ajete, tregojnë se nëse merren parasysh etapat që përjeton trupi i njeriut, del se ai është në një ndryshim të vazhdueshëm. Ashtu si jeta e njeriut e cila është e përkohshme, ashtu edhe forca dhe aftësia që zotëron ai në këtë botë, nuk është e përhershme.

Për shkak se njeriu është krijuar prej tokës, ai bart veçoritë e saj. Toka herë-herë thahet, digjet nga i nxehti dhe vuan për ujë. Në stinën e dimrit duron mundimet e tij. Pastaj, në pranverë, me shirat e saj ringjallet. Dhe, me një mijë e një bukuritë, ngjyrat, aromat dhe harmoninë e saj, shtron rrjedhat e fuqisë hyjnore.

Gjithashtu edhe njeriu ka një fat të ngjashëm me atë të tokës. Ashtu si toka në ciklonet e rërës në shkretëtirë, edhe njeriu vërtitet mes vorbullës së pasioneve të tij jetësore. Ai e shkatërron veten nën ambiciet e egos. Por, ai përsoset nëse arrin ta mposhtë egon. Atëherë, ashtu si toka që merr jetë nga shirat e pranverës e tjetërsohet, ashtu edhe njeriu frymëzohet dhe arrin mëshirën hyjnore. Dhe, në sajë të mirësive që i vijnë, bëhet i dobishëm për të tjerët për hir të Zotit, ashtu si toka pjellore në pranverë tek nxjerr në shesh për të tjerët begati të panumërta për hir të Zotit!

*

Për shkak se trupi i përkohshëm i njeriut është krijuar prej tokës, ai ushqehet prej saj dhe, më në fund në të asgjësohet. Pra, kthehet në origjinën e vet. Të gjitha elementet që ndodhen në tokë, ndodhen, pavarësisht nga sasia, edhe në trupin e njeriut. Në të njëjtën kohë, trupi i njeriut përbën një pamje më vete të tokës: është vetë toka, por në një pamje tjetër! Kështu, për shkak se njeriu i parë u krijua nga toka, ai u quajt “Adem”[1]. Dhe, në fakt, për nga përbërja e trupit të njeriut, del se edhe pasardhësit e Ademit (a.s.), janë krijuar prej dheut. Ashtu si toka, e cila shfaqet me karakteristika të veçanta në vende të ndryshme, ashtu edhe njeriu shfaq cilësi të ndryshme, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë psikologjik. Lidhur me këtë të vërtetë, Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“Allahu i Madhëruar, e ka krijuar Ademin prej një grusht dheu të marrë nga çdo pjesë e tokës. Për këtë arsye, një pjesë e bijve të Ademit, lindin të kuq, një pjesë të bardhë, një pjesë të zinj dhe një pjesë tjetër në ngjyra të përziera prej këtyre (ngjyrave); një pjesë e tyre janë të butë, një pjesë janë të ashpër, një pjesë me karakter të mirë dhe një pjesë me karakter të keq.” (Ebu Daud, Sunnet, 16.)

Siç dihet, toka përbëhet prej shumë elementësh, si hekuri, bakri, alumini, fosfori, kalciumi etj. Në bazë të dendësisë dhe përzierjes së këtyre elementeve dhe mineraleve, përcaktohet edhe cilësia dhe lloji i tokës. Në bazë të veçorive të këtyre mineraleve dhe elementeve, toka fiton cilësi të ndryshme, si ashpërsinë, butësinë, ngjyrën etj. Po sipas kësaj, një pjesë e tokës është pjellore, një pjesë është e thatë dhe jopjellore. Kështu, edhe njeriu i cili është një qenie e krijuar prej tokës, bart në vetvete përqindje të ndryshme të këtyre elementeve, gjë e cila tregon një marrëdhënie të dukshme të tokës me njeriun. Edhe ngjyra e lëkurës së njeriut, është përcaktuar që në krijim në bazë të ngjyrës së tokës. Dhe, po ashtu si toka, një pjesë e njerëzve janë me karakter të ashpër, një pjesë me karakter të butë; një pjesë mësojnë shpejt ashtu si toka pjellore, e një pjesë tjetër është aq jopjellore, sa nuk mësojnë asgjë, sado që të mundohesh.

Fryrja e shpirtit

Pasi e krijoi njeriun prej balte, Allahu i Madhëruar e ngriti atë në një gradë të lartë midis të gjitha krijesave, duke i fryrë shpirtin e Tij. Njeriu, i cili u krijua si një formë e caktuar, e fitoi gjallërinë vetëm pasi iu fry shpirti. Nga kjo pikëpamje, fryrja e shpirtit, para së gjithash tregon vlerën e madhe që Allahu i Madhëruar i ka dhënë njeriut. Allahu i Lartë e tregon kështu se si i ka fryrë shpirtin njeriut:

 “(U tha engjëjve) Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim[2]…” (Hixhr, 29)

Këtu, shprehja “dhe t’i fryj prej shpirtit Tim”, është vetëm në mënyrë metaforike. Në sajë të këtij shpirti që Allahu i fryu, pra në sajë të begatisë dhe aftësisë të këtij amaneti që ka marrë nga Zoti i vet, njeriu e njeh Atë dhe bëhet rob i Tij (e adhuron Atë).

Pesë etapat e shpirtit

  1. Etapa e mos ekzistencës:

“Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur?!” (Insan, 1)

  1. Etapa e krijimit të botës së shpirtrave:

 “Shpirtrat i krijova dy mijë vjet para trupave të tyre.” (Dejlemi, Musned, II, 187-188.)

  1. Etapa e dërgimit të shpirtit në trup:

“Kur t’i fryj prej shpirtit Tim…” (Hixhr, 29)

  1. Etapa e ndarjes së shpirtit prej trupit:

“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen!” (Ali Imran, 185)

  1. Etapa e rikthimit të shpirtit në trup:

“Thuaj: «Do t’i ngjallë Ai që i krijoi ato për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë»” (Jasin, 79)

Duke bërë fjalë në suren “Tekuir” mbi veçantitë e shenjave të fuqishme e tipike të Kiametit, në ajetin 7, Zoti bën të ditur se shpirtrat do të kthehen sërish te trupat:

“Kur shpirtrat të bashkohen me trupat…”

Ndërsa lidhur me formën apo përbërjen e shpirtit, nuk ka njohuri të mjaftueshme. Lidhur me këtë Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: «Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni!»” (Isra, 85)

*

Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti melekëve dhe u tha: «Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!»” (Bekare, 31)

Melekët shfaqën pendesë dhe ripohuan përsosmërinë e Zotit. Pas kësaj, Allahu tha:

 “«O Adem, – tha Ai – ua trego atyre emrat e gjërave!» Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha: «A nuk ju kam thënë se vetëm Unë i di fshehtësitë e qiejve e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë tregoni haptazi dhe çfarë fshihni?!»” (Bekare, 33)

Në lidhje me emrat që iu mësuan Ademit (a.s.), bëhet fjalë për emërtimet, cilësitë dhe veçoritë e të gjitha gjërave mbi tokë. Kurse artin hyjnor, misterin e krijimit, leuh-i mahfudhin, kaderin (caktimin hyjnor), urtësitë e tij, misteret hyjnore në qiej e në tokë, nuk mund t’i dimë kurrë ashtu siç duhet.

E vërteta absolute mund të arrihet vetëm me anë të zemrës, sepse diapazoni i mendjes (arsyes) dhe i pesë shqisave është i kufizuar. Ashtu si largësia e pamjes së syrit dhe mundësia e dëgjimit të veshit, edhe kufiri i mendjes është i kufizuar. Udhëtimi hyjnor vazhdon pas atij kufiri, me një zemër, e cila është e aftë të kuptojë urtësinë dhe misterin e krijimit.

Në një farë kuptimi, Allahu sikur thotë:

“Unë do t’i jap një shpirt njeriut, në sajë të të cilit do njohë emrat e sendeve, të fshehtën e urtësitë, bukuritë dhe artin Tim hyjnor!..” Këto të vërteta dhe të fshehta, më tepër i kuptojnë profetët, pastaj robërit e devotshëm të Allahut.

 

[1] – Fjala “Adem” vjen nga rrënja e fjalës hebreje “edim”, e cila do të thotë, baltë, dhé, etj.

[2] – “t’i fryj prej shpirtit Tim”: pra, prej shpirtit të krijuar nga Allahu posaçërisht për njeriun. Shpirti i njeriut është krijesë e Allahut dhe jo pjesë e Qenies së Tij Hyjnore.

Share.

Leave A Reply