KIAMETI

Ashtu siç kemi treguar edhe më lart, kur të vijë koha e përcaktuar nga Allahu, njëri nga katër melekët më të rëndësishëm, Israfili do t’i fryjë një mjeti që quhet Sur dhe do të kumbojë një zë i tmerrshëm, nën efektin e të cilit do të vdesin të gjitha krijesat dhe gjithësia do të ndryshojë.

Ndryshimi i gjithësisë ka për të qenë në këtë formë:

Qiejt do të çahen, dielli që ndriçon Tokën do të humbasë fuqinë e tij të dritës, do të eklipsohet hëna që stolis qiellin dhe ndriçon gjatë natës, si dhe do të bashkohet me diellin.

Yjet që shndrisin në qiell do të shuhen dhe do të bien në tokë në formë breshëri. Toka do të tronditet nga një tërmet i llahtarshëm, detet do të vlojnë, malet do të shkëputen nga toka dhe do të fluturojnë si të ishin copa pambuku. Me pak fjalë, gjithësia do të ndryshojë rregullin që ka sot dhe toka e qiejt do të marrin formë tjetër.

Kjo ngjarje e madhe që do të ndodhë në univers, quhet Kiamet. Vetëm Allahu e di se kur do të ndodhë kiameti.

SHPËRBLIMI, DËNIMI, XHENETIDHE XHEHENEMI

Mirësia këmbehet me shpërblim, kurse e keqja këmbehet me dënim.

Njerëzit kanë ardhur në këtë jetë që të vihen në provë dhe u janë bërë të ditura detyrat me të cilat janë ngarkuar. Ata që do të përmbushin urdhrat e Allahut, do të distancohen nga gjërat që Ai ka ndaluar dhe u bëjnë mirë njerëzve të tjerë, e kanë fituar provimin e kësaj jete dhe do të shpërblehen shumëfish në këmbim të bindjes dhe punëve të mira që kanë kryer. Të gjithë njerëzit do të marrin atë që u takon në këmbim të punëve dhe veprave që kanë kryer në këtë jetë.

Allahu urdhëron dhe thotë:

“Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. (Enbija, 47.)

“Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzele, 7-8.)

Xheneti është vendi i shpërblimeve, i përgatitur për besimtarët.

Në xhenet gjenden begati që nuk i ka parë askush me sy në këtë jetë, as i ka dëgjuar me veshë dhe as që i ka imagjinuar njeri. Xheneti është një vend i mbushur me bukuri të rralla, ku besimtari do të gjejë në përjetësi gjëra që i do me zemër dhe i merr me mend. Në xhenet çdo gjë varet nga kërkesat e besimtarit. Ai do të ketë menjëherë atë që dëshiron.

Në xhenet nuk ka sëmundje, frikë dhe pikëllim. Njeriu në xhenet dotë jetë përherë i ri dhe nuk do të mplaket kurrë. Jeta e xhenetit është e përjetshme. Aty nuk ka vdekje. Ai që hyn në xhenet, nuk ka për të dalë më prej aty, do të gjejë aty çfarëdo gjëje që i do shpirti dhe do të jetojë në përjetësi në rehati dhe në bollëk.

Në lidhje me këtë çështje, në Kuran thuhet:

“Kurse ata që besojnë e bëjnë vepra të mira, do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” (Bekare, 82.)

“Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.” (Kaf, 35.)

Ata që nuk përmbushin detyrat e tyre ndaj Allahut, që nuk distancohen nga haramet dhe u bëjnë keq njerëzve, kanë për t’u dënuar për këto arsye me xhehenem.

Xhehenemi është vendi ku do të dënohen me zjarr ata që nuk kanë besuar dhe ata që, megjithëse kanë besuar, kanë bërë gjynahe. Ata që vdesin pa iman, kanë për të qëndruar përjetësisht në xhehenem.

Ata që kanë besuar, por nuk kanë vepruar në përputhje me urdhrat e Alla­hut dhe nuk kanë përmbushur detyrat e tyre fetare, kanë për të qëndruar një afat të caktuar në xhehenem dhe, pasi të vuajnë dënimet e tyre, do të dalin prej aty dhe do të hyjnë në xhenet. Mohuesit dhe munafikët (hipokritët) do të qëndrojnë përjetësisht në xhehenem.

Në lidhje me ta, në Kuran thuhet:

“Kurse ata që i mohojnë dhe i përgënjeshtrojnë shpalljet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të mbesin gjithmonë.” (Bekare, 39.)

“Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës.” (Nisa, 145.)

Share.

Comments are closed.