Sipas shumicës së dijetarëve Islamë, Karuni ishte djali i xhaxhait të Musait (a.s.). Ndërsa një pjesë tjetër e dijetarëve, thonë se ishte xhaxhai i Musait (a.s.). Para se t’i besonte Musait (a.s.), Karuni punonte si përfaqësuesi i bijve të Izraelit pranë faraonit. Gjatë kësaj kohe, ai i shtypte dhe u bënte padrejtësi atyre që kishte nën vete. Për këtë arsye, edhe Musai (a.s.), nuk u dërgua vetëm për Faraonin, por edhe për Hamanin dhe Karunin. Lidhur me këtë, në një ajet fisnik, urdhërohet:
“Më parë Ne e dërguam Musain me mrekullitë Tona dhe me një autoritet të qartë te Faraoni, Hamani dhe Karuni, por ata thanë: «Ky është magjistar dhe gënjeshtar!»” (Gafir, 23-24)
Mirëpo, më pas, Karuni i besoi Musait (a.s.) dhe iu përkushtua dijes e adhurimit. Madje, transmetohet se Karuni e kishte mësuar përmendësh dhe këndonte Teuratin më bukur ndër të gjithë bijtë e Izraelit.
Allahu i kishte dhënë Karunit aq shumë pasuri, saqë çelësat e thesareve të tij barteshin me vështirësi edhe nga një grup njerëzish të fuqishëm. Allahu i Madhëruar, urdhëron:
“Me të vërtetë, Karuni ka qenë nga populli i Musait, por i shtypte ata. Ne i patëm dhënë atij aq thesare, saqë çelësat e tyre vështirë se do të mund t’i mbante një grup njerëzish të fuqishëm. Njerëzit e popullit të tij i thanë: “Mos u ngazëlle me pasurinë që ke, sepse Allahu nuk i do ata që ngazëllehen!” (Kasas, 76)
Mirëpo, siç kuptohet edhe nga ajeti i mësipërm, Karuni filloi të ngazëllehet dhe të bëhet arrogant për shkak të pasurisë që kishte. Për këtë arsye, një grup njerëzish të ditur prej popullit të tij, e qortuan për sjelljet e tij dhe përveç kësaj, ata e këshilluan duke i thënë:
“…Përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.” (Kasas, 77)
Pavarësisht gjithë këtyre këshillave, Karuni vazhdoi me arrogancën e tij dhe atyre që e këshilluan, i tha se nuk kishte nevojë për këshillat e tyre, sepse Allahu i Madhëruar ia kishte dhënë ato pasuri për shkak se e meritonte dhe e donte shumë:
“Kjo më është dhënë vetëm prej diturisë sime”.
Ndërsa Allahu i Madhëruar, urdhëron:
“Vallë, a nuk e dinte ai, se Allahu kishte zhdukur para tij shumë brezni, që kishin qenë më të fuqishëm dhe që kishin grumbulluar më shumë pasuri se ai? Por keqbërësit nuk do të pyeten për gjynahet e tyre.
Kur ai dilte para popullit të vet me stolitë e tij, ata që lakmonin jetën e kësaj bote thanë: «Ah! Sikur të na ishte dhënë edhe neve si Karunit! Vërtet që ai është njeri me fat.»
Ndërsa njerëzit e dijshëm thoshin: «Të mjerët ju! Shpërblimi i Allahut është më i mirë për atë që beson dhe bën vepra të mira. Ai do t’u jepet vetëm të duruarve».” (Kasas, 78-80)
Sipas transmetimeve, thuhet se shkatërrimi i Karunit, ndodhi në sajë të lutjes që bëri Musai (a.s.). Mirëpo, dijetarët kanë kundërshtime në lidhje me shkakun që e bëri Musain (a.s.), të lutej kundër tij.
Sipas transmetimit të Ibn Abbasit dhe Suudit, një ditë, Karuni pagoi një grua të përdalë dhe e urdhëroi të akuzonte Musain (a.s.), për amoralitet në mes të popullit, ndërkohë që ai ishte duke lexuar Teuratin.
Gruaja veproi ashtu siç i tha Karuni dhe e akuzoi Musain (a.s.), në mes të popullit. Musai (a.s.), u drejtua nga gruaja dhe i tha:
“O grua! Për hir të Allahut që çau detin dhe e bëri rrugë dhe i Cili na zbriti Teuratin, më thuaj! Kush është ai që të urdhëroi të thuash këto?”
Gruaja, e penduar për atë që bëri, i thotë Musait (a.s.):
“O Musa! Karuni më dha shumë para dhe më bindi të shpif për ty! Unë pendohem dhe kërkoj falje nga Allahut!”
Pas kësaj, Musai (a.s.), ra në sexhde dhe u lut kundër Karunit. Ndërsa Allahu i Madhëruar, i tha Musait (a.s.): Unë e urdhërova tokën të të bindet ty në lidhje me Karunin. Më pas, Musai (a.s.), e urdhëroi tokën të gëlltitë Karunin me gjithë pasurinë e tij dhe ashtu u bë!
Allahu i Madhëruar, urdhëron:
“Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t’i gëlltiste toka dhe askush nuk arriti që ta mbronte nga dënimi i Allahut, madje as ai vetë nuk mund ta mbronte veten.” (Kasas, 81)
Karunin e shkatërroi dashuria e madhe për këtë botë dhe smira ndaj të tjerëve. Në fakt, fundi i smirëzinjve, është humbja e sigurt. Ashtu siç përgatitin fundin e tyre të hidhur, njerëzit smirëzinj, dëmtojnë edhe njerëzit që kanë përreth. Në Kuranin Fisnik, na tregohet se duhet t’i lutemi Allahut për t’u ruajtur nga e keqja e njerëzve smirëzinj:
“Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit, që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji) dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë” (Felak, 1-5)
Më në fund, kur populli e pa shkatërrimin e Karunit dhe të përkrahësve të tij dhe u pendua:
“Të nesërmen, ata që më parë dëshironin të kishin qenë në vend të tij, thoshin: «Është shumë e qartë se Allahu është Ai që i jep bollëk dhe ia pakëson kujt të dojë prej robërve të Tij. Sikur Allahu të mos kishte mëshirë për ne, me të vërtetë që do të na kishte bërë të na gëlltiste toka. Ububu! Është shumë e qartë se mohuesit nuk kanë shpëtim!»
Sa për shtëpinë e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat.” (Kasas, 82-83)
Në rrëfimin mbi Karunin, trajtohet fundi i hidhur i njerëzve arrogantë e smirëzinj, të cilët e harrojnë botën tjetër dhe zhyten në mashtrimet e kësaj bote. Në këtë ngjarje, ka mësime të rëndësishme për t’u nxjerrë nga populli i Muhamedit (a.s.).