Kurani që iu dërgua Profetit (a.s.), më të madh dhe të fundit ndër të gjithë profetët, Muhamedit (a.s.), prej Allahut, është libri i shenjtë i myslimanëve.

Kurani ka shumë karakteristika, që e dallojnë nga librat e tjerë hyjnorë dhe i japin përparësi mbi ta.

Karakteristikat kryesore janë:

a) Kurani ka ardhur deri në ditët tona pa pësuar asnjë ndryshim, ashtu siç i është shpallur Profetit Muhamed (a.s.). Ai do të ruhet kështu deri në Ditën e Kiametit.

Librat e tjerë hyjnorë ose kanë humbur tërësisht, ose janë deformuar duke pësuar ndryshime, kështu që asnjëri prej tyre nuk ka mbërritur deri më sot ashtu siç është shpallur nga Allahu.

Allahu ka dhënë siguri se do ta ruajë Kuranin të pandryshuar, kur ka thënë:

“Ne e zbritëm Kuranin dhe, pa dyshim, Ne do ta ruajmë atë!” (Hixhr, 9.)

Me të vërtetë që Allahu e ruajti Kuranin deri në ditët tona dhe kështu ka për ta ruajtur deri në Kiamet!

b) Kurani nuk ka zbritur si një libër i tërë, por në formën e ajeteve dhe të sureve sipas kohëve dhe ngjarjeve të ndryshme. Kjo ka siguruar lehtësinë e mësimit përmendsh dhe kuptimit të tij.

c) Kurani është libri i fundit hyjnor. Pas tij nuk do të vijë më libër tjetër. Vendimet e Kuranit kanë vlerë deri në Kiamet dhe nuk do të ndryshojnë. Librat e tjerë janë dërguar vetëm për një periudhë kohe të caktuar.

d) Kurani është dërguar për të gjithë njerëzimin. Ai përmban të vërteta dhe urtësi që u japin përgjigje nevojave të çdo shekulli. Kurse librat e tjerë janë dërguar vetëm për popuj të caktuar.

e) Kurani është mrekullia më e madhe dhe e përhershme që iu dha Profetit tonë. Kurani është një mrekulli e pashoqe me fjalët, me kuptimin e tyre dhe me të vërtetat sublime që transmeton!

Share.

Comments are closed.