Në Kuranin Fisnik, Allahu i Madhëruar, urdhëron:
“Kur Jusufi arriti moshën e pjekurisë, Ne i dhamë aftësinë e të gjykuarit dhe dituri. Kështu i shpërblejmë Ne vepërmirët.” (Jusuf, 22)
Jusufi u rrit, u zhvillua dhe u bë një djalosh i bukur dhe i pashëm. Kjo, bëri që tek e zonja e shtëpisë, Zulejhaja, të shfaqeshin ndjenja të veçanta ndaj tij.
“Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe i tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”.
Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet. Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 23-24)
Komentuesit e Kuranit, në lidhje me këto ajete, shprehen:
Kur Jusufi dëgjoi një zë të lehtë, që i thoshte; “kujdes, kujdes!”, nuk i dha rëndësi. Por pas përsëritjes tri herë të zërit, u shfaq silueta e Jakubit (a.s.) dhe, vetëm atëherë Jusufi erdhi në vete dhe i kthehu shpinën Zulejhasë.
Me lejen e Allahut, Jakubi (a.s.), e ndihmoi shpirtërisht birin e tij, Jusufin deke u bërë pengesë që ai të anonte nga Zulejhaja, e cila përfaqësonte “nefsi emmare”, pra, egon që urdhëron dhe kënaqet me të keqen.
Në një transmetim të tij, Ali bin Haseni thotë:
Në dhomën e përgatitur prej Zulejhasë, ndodhej një idhull që adhuronte ajo[1]. Para se ta ftonte Jusufin, ajo hodhi një mbulesë sipër idhullit. Jusufi, i cili e vuri re këtë, pyeti:
“Pse veprove kështu?”
Zulejhaja tha:
“Më erdhi turp të më shihte duke bërë amoralitet!”
Atëherë Jusufi iu kthye:
“Nëse ty të vjen turp prej një cope guri që nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk kupton asgjë, po unë, a s’kam të drejtë të turpërohem prej Zotit tim që më ka krijuar në formën më të bukur dhe të Cilit nuk mund t’i fshihet asgjë?”
*
Me të parë shenjën e Zotit, Jusufi (a.s.) vrapoi shumë i trembur dhe me shpejtësi drejt derës. Ndërsa Zulejhaja e ndoqi nga pas:
“Që të dy vrapuan nga dera dhe ajo ia shqeu këmishën atij nga mbrapa. Te dera, ata hasën burrin e saj. Ajo tha: “Çfarë dënimi meriton ai që kërkon t’i bëjë të keqe gruas sate, përveç burgosjes apo dënimit të dhembshëm?” (Jusuf, 25)
Azizi tha:
“Kush është ai që kërkon t’i bëjë keq familjes sime?”
Zulejhaja, pas gjynahut që kishte planifikuar më parë, shtoi edhe të dytin duke shpifur për Jusufin:
“Unë po flija në shtrat, kur ky djalë erdhi, më hoqi mbulesën dhe deshi të më shtinte në dorë!”
Atëherë Azizi u kthye nga Jusufi dhe i tha:
“O djalë! Kjo ishte përgjigja për të mirat që të kam bërë? Mua nuk duhet të më kishe hidhëruar!..”
Duke dashur të mbrohej nga kjo shpifje, Jusufi tha:
“«Ajo provoi të më joshte». Një i afërt i saj (që u gjend aty), pohoi: «Nëse këmisha e tij është shqyer përpara, atëherë ajo thotë të vërtetën, kurse ai gënjen. Por, nëse këmisha e tij është shqyer prapa, atëherë ajo gënjen, ndërsa ai thotë të vërtetën».” (Jusuf, 26-27)
Sipas një transmetimi, Azizi, i tha të shoqes:
“Nëse nuk më sjell ndonjë provë, nuk ta pranoj fjalën!”
Ndërsa sipas një transmetimi tjetër, Jusufi (a.s.), iu lut Zotit që të tregonte një provë që ai ishte i pastër. Atë çast, djali i dajës së Zulejhasë, i cili ishte vetëm tre-katër muajsh, foli në mënyrë të mrekullueshme dhe dëshmoi pastërtinë e Jusufit (a.s).
“Kur burri i saj pa se këmisha e Jusufit ishte shqyer nga mbrapa, tha: “Patjetër që kjo është një nga dredhitë tuaja (të femrave). Në të vërtetë, dredhitë tuaja janë të mëdha!
Ti, o Jusuf, largohu nga kjo! Kurse ti (gruaja ime), kërko falje për këtë gjynah, sepse, në të vërtetë, ti je fajtore”. (Jusuf, 28-29)
Kjo ngjarje nisi të përhapej mes popullit.
“Disa gra (të parisë) në qytet po thoshin: «Gruaja e Azizit (ministrit) deshi ta joshte shërbëtorin e vet. Asaj i ka rënë vërtet në kokë dashuria për të. Ne besojmë se ajo e ka humbur fare».” (Jusuf, 30)
Gratë që shohin Jusufin presin gishtat
Pasi dëgjoi fjalët e grave të qytetit, Zulejhaja vendosi t’u jepte atyre një mësim:
“Kur dëgjoi për thashethemet e tyre, ajo i thirri ato në gosti. Çdonjërës i dha nga një thikë dhe (i) tha (Jusufit): «Dil para tyre!» Kur e panë, gratë u mahnitën nga bukuria e tij, prenë duart dhe thanë: «O Zot, o Zot! Ky nuk është njeri, por qenka një melek fisnik!»” (Jusuf, 31)
“Ajo tha: «Jo, ky është ai për të cilin ju më qortuat. Jam përpjekur ta josh, por ai është ruajtur nga gjynahu. Por, nëse ai nuk bën atë që e urdhëroj unë, me siguri që do të burgoset dhe do të poshtërohet».” (Jusuf, 32)
Jusufi (a.s.), të cilit kur shëtiste nëpër rrugicat e qytetit, i shndriste fytyra si diell dhe ishte më i bukur se hëna katërmbëdhjetëshe, duke u frikësuar nga mosbindja ndaj urdhrave të Allahut përballë intrigave të gruas së Azizit, hapi duart dhe iu lut Allahut për mbrojtje. Kjo, sepse nëse një grua nuk e njeh Zotin, dredhitë e saj, janë më të rrezikshme se kurthet e djallit.
“Ai tha: «O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato. Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të anoj drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).»” (Jusuf, 33)
Duhet ditur se, është e pamundur të shpëtosh prej të keqes së egos dhe dëshirave të saj nëse i bëjmë lëshime. Shpëtimi prej saj është strehimi tek Allahu dhe zbatimi i urdhrave të Tij. Kështu, edhe Jusufi (a.s.), shpëtoi duke u strehuar tek Allahu.
“Dhe Zoti e plotësoi lutjen e tij dhe e shmangu nga dredhitë e tyre. Me të vërtetë, Ai dëgjon dhe di çdo gjë.” (Jusuf, 34)
Edhe sikur të ketë pjekurinë e zemrave të profetëve, për shkak të dobësisë së natyrës njerëzore, pa mbrojtjen e Allahut, asnjë zemër nuk mund të shpëtojë dhe nuk mund ta ruajë dot veten nga kurthet e kësaj bote, nga tundimet e egos dhe vesveset e shejtanit.
[1] – Në ato kohë, disa njerëz, kishin idhujt e tyre personalë.