Jusufit (a.s.), iu pranua lutja…

“Pasi i panë shenjat (e pafajësisë së Jusufit), ata (familja e ministrit), menduan ta burgosin (Jusufin) për një farë kohe (në mënyrë që ngjarja të mos përhapej në popull).” (Jusuf, 35)

Jusufit ia hoqën rrobat e veta dhe i veshën një rrobë prej leshi. Ndërsa këmbët ia lidhën me zinxhirë. Kur u afrua tek dera e qelisë, Jusufi uli kokën, tha “Bismilah!” dhe hyri brenda. Të gjithë u mblodhën përreth tij. Kurse Jusufi filloi të përlotet. Atë çast erdhi Xhebraili (a.s.) dhe e pyeti pse qante. Kur Jusufi i tha se, qante sepse nuk shihte ndonjë vend ku të falej, Xhebraili (a.s.), i tha:

“Fal namaz ku të duash! Allahu ka bërë të pastër dyzet krahë vend për ty, si brenda, ashtu edhe jashtë burgut!”

“Bashkë me Jusufin hynë në burg edhe dy djelmosha. Njëri prej tyre tha: «Unë kam parë (në ëndërr) veten, sikur shtrydhja verë». Tjetri tha: «Unë kam parë në ëndërr, sikur mbaja në kokë bukë, të cilën e hanin shpendët. Shpjegona kuptimin e ëndrrave. Ne, me të vërtetë, shohim se ti je njeri i mirë.»

Jusufi tha: «Sa herë që t’ju vijë ndonjë ushqim (në ëndërr) si risk për ju, unë do t’ju lajmëroj se çfarë kuptimi ka, para se të bëhet realitet. Kjo është prej diturive që m’i ka mësuar Zoti im.» Unë e kam flakur fenë e njerëzve që nuk besojnë Allahun e që mohojnë jetën tjetër. ” (Jusuf, 36-37)

Duke parë gjendjen e të rinjve që ndodheshin në burg, Jusufi (a.s.), deshi t’u mësonte atyre besimin në një Zot. Për këtë arsye, para se t’ua komentonte ëndrrat, i përgatiti ata për besimin në një Zot, duke u thënë se ai besonte në fenë e vërtetë, se dituria i ishte dhuruar nga Zoti dhe se egjiptianët ishin në rrugë të gabuar. Pastaj, filloi t’u kumtonte fenë e vërtetë. Mësimi që duhet të nxjerrim prej kësaj, është se një besimtar, nuk duhet ta braktisë detyrën e tij të “urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja”, edhe në kushtet më të vështira.

Ajetet e mëposhtme, kanë të bëjnë pikërisht me këtë çështje:

“Unë besoj fenë e të parëve të mi – Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit. Ne, kurrë nuk mund t’i shoqërojmë Allahut ndonjë gjë (në adhurim). Kjo është dhuntia e Allahut ndaj nesh dhe njerëzve të tjerë, ndonëse shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës.

O shokët e mi të burgut! A janë më mirë një mori zotash të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi, Ngadhënjimtari?

Ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, janë vetëm emra, të cilët i keni vënë ju dhe të parët tuaj, pa pasur prej Tij asnjë argument. Vendimi i përket vetëm Allahut: Ai ka urdhëruar që të adhuroni vetëm Atë. Kjo është e vetmja fe e vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e di.” (Jusuf, 38-40)

 

Share.

Leave A Reply