Mekasit e siguronin jetesën me tregti. Mallrat që i sillnin nga vendet përreth me anë të karvaneve tregtare, i shisnin në panairet e haxhit që organizoheshin në Mekë, kurse mallrat e prodhuara në Mekë i çonin në vendet përreth.

Në rini, i Dërguari i Allahut mori pjesë me të ungjit në karvanet tregtare për në Siri dhe Jemen. Në vitet e mëvonshme ai bëri në emër të Hz. Hatixhesë dy udhëtime tregtare në pazarin e Xhureshit në Jemen dhe që të dy herët atij i qe dhënë si shpërblim pune një deve e re mashkull.

Profeti e pati dërguar karvanin tregtar të Hz. Hatixhesë edhe në pazarin Hubashe të Tihames. Në atë udhëtim ai pati dalë së bashku me shërbëtorin e Hz. Hatixhesë (r.anha), Mejsere, pati sjellë prej atje copë tekstili të Tihames që ia shiti Hakim bin Hizamit me një fitim të dukshëm.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) është shprehur kështu për Hz. Hatixhenë:

“Unë nuk kam parë ortak më të mbarë e të dobishëm se Hatixheja!”

Me këto fjalë ai e pati lavdëruar atë dhe pati pohuar faktin se ajo e pati paguar me të tepërt për punën e bërë. (Halebi, I, 221; Ayni, X, 104)

Një ditë, i ungji Ebu Talib i tha kështu Profetit: “O biri i tim vëllai! Unë jam një njeri i varfër. Thatësira dhe kriza e ushqimeve nuk na la as kapital, as tregti! Një karvan tregtar përgatitet për t’u nisur për Damask. Hatixhe binti Huvejlid kërkoka një njeri për ta çuar me mallrat e veta në këtë karvan. Ajo ka shumë nevojë për një njeri si ti, besnik, të sigurt e të pastër. Bëhet mirë sikur të bisedonim me të që të të caktonte ty si përfaqësues të saj në tregti. Mendoj se, për besnikërinë tënde, do të të vlerësojë mbi të tjerët. Në të vërtetë, unë nuk dua që të shkosh andej nga Siria se kam frikë mos të të vijë ndonjë e keqe nga çifutët. Mirëpo s’kemi ç’bëjmë tjetër!”

Kur biseda e zhvilluar mes Profetit dhe të të ungjit arriti te Hz. Hatixheja, ajo tha:

“Unë s’e dija se Muhammedi e dëshironte një gjë të tillë!”

Dhe menjëherë i dërgoi fjalë Profetit duke i premtuar t’ia çonte mallrat në Damask me një shpërblim më të madh se ç’u kishte dhënë të tjerëve!

Sepse ajo e dinte shumë mirë që Hz. Muhammedi (s.a.s.) ishte një njeri tejet i besueshëm, fjalëdrejtë dhe me moral të bukur!

Drita e rrugës së drejtë, Hz. Muhammedi (s.a.s.) doli në rrugë nga Meka së bashku me shërbyesin e Hz. Hatixhesë, Mejsere. Me këtë rast, ajo e porositi kështu Mejseren:

“Të mos tregohesh i pabindur ndaj Muhammedit në asnjë çështje! Të mos e kundërshtosh në asnjë fjalë!”

Gjatë rrugës, kur të dyja devetë e ngarkuara me mall u lodhën dhe mbetën pas, Mejsere u shqetësua dhe me vrap e arriti Profetin dhe ia parashtroi gjendjen. Profeti shkoi te devetë dhe ua fërkoi këmbët. Pas kësaj, devetë nisën të vrapojnë dhe, duke turfulluar, dolën në krye të karvanit. Me ta parë këtë ndodhi, pjesëmarrësit e karvanit treguan më shumë kujdes për t’i shërbyer Profetit dhe për ta mbrojtur atë. Mbreti i profetëve, Hz. Muhammedi, gjatë gjithë jetës është treguar jashtëzakonisht i drejtë ndaj partnerëve në marrëdhëniet tregtare dhe ndaj njerëzve të tjerë. Kur i jepte fjalën dikujt, e zbatonte atë gjer në fund pavarësisht nga sa mund t’i kushtonte.

Ibni Abbasi (r.a.) si njeri që e njihte jetën e Profetit gjer në hollësitë më të imta, ka thënë kështu:

“Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thoshte diçka, e bënte atë patjetër!” (Buhari, Shehadat, 28)

Edhe Saib bin Ebi’s-Saib (r.a.) tregon kështu:

“Shkova pranë të Dërguarit të Allahut. Sahabet filluan të më lavdërojnë mua dhe të thonë fjalë të mira për mua. Kurse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha:

“Unë e njoh atë më mirë se ju!”

Atëherë unë iu shpreha kështu:

“Drejt fole, t’u bëfshin fli nënë e babë! Ti ke qenë ortaku im dhe ç’ortak i mirë! As kundërshtoje, as polemizoje!” (Ebu Davud, Edeb, 17/4836; Ibni Maxhe, Tixharat, 63)

Njërën prej ngjarjeve shembullore të cilat qenë bërë pretekst për t’i dhënë atij atributet Emin (i Besueshmi) dhe Sadik (Besniku), e tregon kështu Abdullah bin Ebi’l-Hamsa (r.a.):

“Para profetësisë pata bërë një shitje-blerje me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Meqë i mbeta pak borxh, i thashë se, po të më priste pak, do t’ia sillja menjëherë. Mirëpo e harrova fjalën që i dhashë. Pas tri ditësh, kur u kujtova dhe shkova tek vendi ku qemë ndarë, e gjeta tek më priste!

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i cili ndodhej në kulmin e paarritshëm të besueshmërisë dhe besnikërisë, përveç kësaj, nuk më qortoi për sjelljen time, por vetëm më tha:

“O djalë i ri, më mundove! Kam tri ditë që po të pres këtu!” (Ebu Davud, Edeb, 82/4996)

Kjo dhe veti të tjera të larta që pati shpalosur ai para se t’i jepej profetësia, janë njëra më e bukur se tjetra, kanë karakter më simdhënës dhe urtësie. Fundja, këto mund të shfaqeshin vetëm tek një profet!

Po të dëshironte, Allahu i Lartë i siguronte njeriut të tij të dashur një jetesë me mirëqenie qysh në vegjëli në atë mënyrë që ai të mos kishte nevojë të bridhte pas sigurimit të jetesës. Por urtësia hyjnore ka dëshiruar në mënyrë volitive që i Dërguari i Allahut, duke e siguruar bukën me punën e duarve të veta, ta sigurojë vetë jetesën dhe, kështu, të bëhet model për ummetin, bashkësinë e tij! Kështu, Profeti (s.a.s.) ka porositur:

“Askush nuk ka ngrënë një ushqim më të mbarë e të dobishëm se ai që e ka fituar vetë!..” (Buhari, Buju, 15; Enbija, 37)

Veç kësaj, për sa kohë që personi i cili ka për t’u bërë prijës, e vë jetesën e vet në vartësi të dhuratave të mjedisit që e rrethon, çështja e tij e humb krejtësisht në sytë e njerëzve vlerën, rëndësinë dhe seriozitetin.

Me të vërtetë, Zoti i ka urdhëruar të gjithë profetët të thonë:

 “Unë nuk kërkoj nga ju asnjë pagesë si shpërblim për këtë (kumtesë). Ai që do të ma japë shpërblimin mua është vetëm Zoti i botërave!” (esh-Shuara, 109, 127, 145, 164, 180. Veç kësaj, shih. Junus, 72; Hud, 29)

Sa bukur që e shpreh poeti këtë delikatesë:

Mos kërko favorin e askujt

Se e paguan me margaritarin e lirisë!

Profeti Muhammed (s.a.s.) ka qenë njeriu më i lirë e i pavarur pikërisht pse e pati siguruar jetesën me mundin e vet!

Share.

Comments are closed.