Familja si institucioni që Allahu i Lartë e ka bërë pretekst për vazhdimin e njerëzimit, ka filluar me njeriun e parë, Ademin (a.s.), dhe ka arritur gradën më të përkryer në jetën e të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.).
Allahu si Gjykatësi Absolut, e ka krijuar çdo gjë mbi një urtësi të thellë e të hollë. Duke filluar nga veçoritë e krijimit të mashkullit dhe femrës, plotësimi reciprok i dy natyrave të ndryshme, ndjenjat dhe interesimi që ndjejnë për njëri-tjetrin, rrugët e kënaqjes së ndjenjave dhe e plotësimit të nevojave reciproke, etj., të gjitha këto janë krijuar për një qëllim final. Ndërkaq, po qe se të gjithë këta elementë përdoren në përputhje me synimin për të cilin janë krijuar, njeriu e ndjen veten në harmoni me natyrën dhe nuk përjeton përçarje shpirtërore. Edhe kjo botë, edhe bota tjetër i bëhen xhennet, parajsë. Në të kundërt, po qe se njeriu fillon t’i përdorë veçoritë dhe mundësitë që i janë dhënë, jashtë porosive hyjnore, duke i pandehur kënaqësitë e çastit si lumturi, e shton tejet fatkeqësinë e vet dhe e gjen veten në vorbullën e krizave duke qenë ende në këtë botë.
Si domosdoshmëri e zakonit hyjnor, mashkulli dhe femra janë pajisur me ndjenja, dëshira dhe prirje reciproke për njëri-tjetrin. (Al-i Imran, 3/14)
Allahu i Lartë ia ka dhënë njeriut këto ndjenja në përshtatje me natyrën e tij dhe rrugën e kënaqjes së këtyre prirjeve e ka kufizuar me rregulla të caktuara. E shprehur në mënyrën më të bukur, kufizimet në fjalë janë martesat në përputhje me sunnetin. Kurse martesat, marrëdhëniet dhe prirjet jo në përshtatje me Islamin janë konsideruar jolegjitime dhe janë ndaluar. Sepse marrëdhënie të tilla janë rrugë qorre dhe fundi i tyre është dështim. Kompetent në këtë specifikë është Krijuesi Absolut që e ka krijuar njeriun, që ia ka dhënë këtë natyrë dhe, që, më në fund, do t’i kërkojë llogari për punët që ka bërë. Me daljen jashtë kufijve të vënë prej Tij, konsumohet edhe mundësia për të hedhur një hap të drejtë.
Nga ana tjetër, njeriu është nga natyra qytetar ose qenie shoqërore. Ai është i detyruar të jetojë në shoqëri, sepse këtë ia bëjnë të detyrueshme nevojat dhe dobësitë. Njëra nga shkallaret më me rëndësi të kësaj është familja. Meqë mashkulli dhe femra janë krijuar nevojtarë për njëri-tjetrin, pa krijuar familje nuk mund ta kënaqin natyrën e vet e të njëri-tjetrit dhe nuk mund të gjejnë qetësi. Femra (gruaja) është më e aftë për t’u kujdesur për fëmijë, më e dobët për t’u vënë gjoksin vështirësive, më e dalluar se mashkulli (burri) në ndjenjën e turpit dhe në lidhjen ndaj shtëpisë ose vatrës familjare, më e suksesshme në punët e shtëpisë dhe, përgjithësisht, më e bindur ose e nënshtruar se mashkulli. Kurse mashkulli (burri) është më epror për nga mendja (arsyeja) dhe përvoja, më i zellshëm e më i fuqishëm për ta mbrojtur nderin dhe dinjitetin, më i guximshëm për t’u hedhur në punë të vështira dhe të rrezikshme, me karakter më të spikatur në zell dhe zili. Prandaj, mashkulli dhe femra (gruaja dhe burri) janë nevojtarë për njëri-tjetrin, ata nuk mund ta vazhdojnë jetën në kuptimin e plotë të fjalës pa njëri-tjetrin. Mbi këtë çështje, Kur’ani i Shenjtë tërheq vëmendjen në këtë mënyrë:
“Ju për ato dhe ato për ju jeni si rrobë.” (el-Bekare, 2/187)
“(O njerëz!) Ju krijuam juve në çifte (mashkull-femër).” (en-Nebe, 78/8)
Duke e dëshiruar shtimin e ummetit, bashkësisë së vet, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e ka nxitur dhe inkurajuar për martesë me këto shprehje:
“Kurora është e sunnetit tim. Kush nuk vepron sipas sunnetit tim, nuk është me mua. Martohuni, sepse unë do të krenohem para bashkësive të tjera me numrin tuaj të madh. Kush të ketë mundësi, të martohet, dhe kush s’ka mundësi, të agjërojë, se agjërimi është mburojë për të!” (Ibni Maxhe, Nikah, 1)
Te i Dërguari i Allahut shkoi një burrë dhe e pyeti:
“Gjeta një grua fisnike dhe të bukur për t’u martuar, mirëpo është shterpë, nuk lind fëmijë. A të martohem me të?”
Profeti (a.s.v.s.) iu përgjigj:
“Jo, mos u marto!”
Pastaj burri shkoi për të dytën herë dhe mori të njëjtën përgjigje. Pasi shkoi për të tretën herë, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i tha kështu:
“Martohuni me gra shumë të dashura dhe shumë pjellore62, sepse unë do të krenohem para bashkësive të tjera me numrin tuaj të madh!”63 (Ebu Davud, Nikah, 3; Nesai, Nikah, 11)
Allahu i Lartë i ka dhënë kurorës një enigmë të veçantë. Në kurorë ka bekim, begati, virtyt dhe mbojtje. Njeriu të cilit, në sajë të martesës, jeta i fiton rregullsi dhe i hyn në një vazhdë të rregullt, e mbron veten nga haramet64, e mbron virtytin dhe nderin e vet. Në sajë të kurorës, edhe dashuria dhe prirjet e dyanshme mes mashkullit dhe femrës fitojnë një kuptim dhe dimension tjetër. Kështu, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë:
“Për ata që duhen me njëri-tjetrin, nuk është parë gjë që ta forcojë dashurinë mes tyre aq shumë sa kurora…” (Ibni Maxhe, Nikah, 1)
Siç e mbron individin, martesa e mbron edhe shoqërinë. Se, kur individët të jenë të ndershëm, edhe shoqëria bëhet e ndershme. Duke e patur fjalën për këtë, Profeti (s.a.v.s.) ka thënë kështu:
“Po qe se vajzën jua kërkon dikush që ia pëlqeni fenë dhe moralin, jepeni, sepse, po të mos veproni kështu, mbi tokë shfaqet intrigë dhe grindje e madhe.” (Tirmidhi, Nikah, 3)
Në Islam, synimi final dhe urtësia e martesës janë që mashkulli dhe femra (gruaja dhe burri) të gjejnë qetësi dhe të mbrohen nga mëkatet, si dhe që brezi të vazhdojë qenien e tij më tej. Kurse kënaqësia e çasteve të konsumimit të ekstazës seksuale65 është një shpërblim i vogël i dhënë nga mëshira hyjnore me qëllim për ta kryer atë detyrë. Meqë Zoti i ka treguar mashkullin dhe femrën reciprokisht tërheqës ndaj njëri-tjetrit, edhe qetësimi i tyre varet nga bashkimi i tyre me anë të martesës. Në Kur’an thuhet kështu:
“Edhe fakti që Ai ka krijuar bashkëshorte nga vetvetet tuaja dhe ka krijuar dashuri dhe mëshirë mes jush me qëllim që të qetësoheni me to, është nga provat dhe argumentet e (unitetit dhe fuqisë së) Tij. Pa dyshim, në këto ka prova për një popull që mendon.” (er-Rum, 30/21)
Poeti Mevlana Xhelaleddin Rumi i paraqet kështu këto të vërteta me stilin e tij:
“Siç thotë ajeti “është zbukuruar për njerëzit” (Al-i Imran, 14), si mund të shmangesh nga gruaja që Allahu e ka krijuar të bukur dhe e ka stolisur?
Allahu e krijoi femrën që mashkulli të kënaqet e të qetësohet me të, që të bashkëjetojë me të; atëherë, si mund të ndahet Ademi nga Havaja?
Mashkulli është rob i femrës edhe sikur të jetë trim mbi trima në burrëri…” (Mesnevi, kupletet 2425-2427)
Mjediset më ideale ku mësohet dhe jetohet Islami, janë foletë e ngrohta familjare. Gjithashtu, në familje jepet arsimi dhe edukimi më i mirë. Në këto fole tejçohet në mënyrën më të ëmbël tek mendjet e njoma frika ndaj Allahut, dashuria për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Nëpërmjet këtij institucioni përçohen te brezat e rinj feja, gjuha, kultura, meditimi dhe mirëkuptimi. Prej këtu rriten kombet dhe prej këtu kalbëzohen e mbarojnë. Ndërsa personat që janë miq të fesë dhe njerëzimit, bëjnë përpjekje për ta fuqizuar familjen duke u mbështetur në këtë rëndësi të saj, edhe armiqtë e së mirës bëjnë përpjekje për t’u vënë dinamitin po këtyre rrënjëve.
Islami është fe e zbritur sipas natyrës së njeriut dhe e kumtuar për njeriun. E shprehur në mënyrë më të kuptueshme, Islami është rruga e jetës së njeriut. Islami e ka rregulluar dhe shpjeguar çdo fushë të jetës së kësaj bote. Islami është një udhëzues që duhet zbatuar medoemos në mënyrë që njerëzit të mund ta shohin bukurinë e Allahut në xhennet. Kurse parimet në përmbajtjen e tij i janë ekspozuar njeriut në formën më të përkryer në jetën e Profetit. Prandaj, për lumturinë e përjetshme, duhet treguar kujdes për të ngritur familje e për të jetuar brenda sistemit të urdhrave të Islamit dhe në atë formë që e ka praktikuar Profeti ynë i dashur!
PROFETI YNE SI KRYETAR FAMILJEJE
“Më i dobishmi ndër ju është më i dobishmi moralisht ndaj grave.” Tirmidhi, Rada, 11.
Në Kur’an bëhet e ditur kështu se profetët janë martuar dhe kanë krijuar familje me grua e fëmijë, me qëllim që të mund të bëhen shembuj për bashkësitë e tyre:
“Ne kemi dërguar përfaqësues edhe para teje dhe u kemi dhënë atyre gra e fëmijë…” (er-Rad, 13/38)
Krejt si profetët e tjerë, edhe i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), si domosdoshmëri e qenies njeri, është martuar, ka bërë një jetë familjare të qetë që do të përbënte model për çdo njeri, ka treguar në jetën e vet në mënyrën më të bukur se si duhet ta trajtojë burri gruan dhe babai fëmijët, si dhe ka parashtruar parime mbi të drejtat dhe detyrat e pjesëtarëve të familjes. Ky kriter i përgjithshëm që ka parashtruar Profeti ynë i dashur, jo vetëm është i mjaftueshëm për të ngritur një familje të shëndoshë e të qetë, por është edhe guri themelor i një shoqërie të virtytshme:
“Më i përkryeri në besim ndër muslimanët është ai me moralin më të mirë. Kurse më i dobishmi ndër ju është më i dobishmi moralisht ndaj grave!” (Tirmidhi, Rada, 11; Ebu Davud, Sunnet, 15)
Muavije bin Hajde (r.a.) tregon kështu:
E pyeta të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.):
“O i Dërguari i Allahut, cila është e drejta e grave mbi ne?”
Ai m’u përgjigj kështu:
“T’u jepni për të ngrënë sa ç’hani vetë, t’i vishni siç visheni vetë, të mos i goditni në fytyrë, të mos ua shani punën, të mos u thoni se janë të shëmtuara dhe, nëse do t’u duhet t’i lini vetëm në shtrat, këtë duhet ta bëni vetëm në shtëpi!” (Ebu Davud, Nikah, 40-41; Ibni Maxhe, Nikah, 3)
Kryesimi i familjes është një punë sa e virtytshme dhe bamirëse, në të njëjtën kohë, edhe me përgjegjësi të madhe. Në qoftë se nuk kryhet ashtu siç duhet, bëhet shkak për dëmtimin e gruas dhe fëmijëve. Edukimi i mirë dhe përgatitja për t’i shërbyer shoqërisë e fëmijëve që u është shkatërruar foleja familjare, shpesh janë të pamundur.