Kur Profeti do t’i njoftonte politeistët Kurejshë për ngjarjet Isra dhe Miraxh, i tha Xhebrailit (a.s.)

“O Xhebrail, fisi nuk ka për të më miratuar mua!”

Xhebraili (a.s.) i tha:

Të miraton Ebu Bekri. Ai është Besnik!” (Ibni Sa’d, I, 215)

Kur politeistët dëgjuan për ngjarjen e Miraxhit, u vunë menjëherë për ta përgënjeshtruar. Mjedisin e mbuloi një uturimë thashethemesh. Duke e shfrytëzuar këtë, politeistët deshën t’i shmangnin besimtarët nga besimi duke ua lëkundur atë. Madje i shkuan edhe Hz. Ebu Bekrit. Kurse ai, i karakterizuar nga një besim i palëkundur ndaj Profetit, u tha:

“Çfarëdo që thotë ai, është e drejtë dhe e vërtetë. Sepse nuk ekziston mundësia që ai të gënjejë! Unë i besoj paraprakisht çdo gjëje që të thotë ai!..”

Politeistët i thanë:

“A po e miraton ti atë, a po e beson se ka shkuar në Bejtul Makdis e është kthyer brenda natës?”

Hz. Ebu Bekri (r.a.) ua ktheu:

“Po! Çfarë ka për t’u habitur këtu? Vallahi, nëse ai më thotë mua se në një kohë të caktuar të natës apo ditës i ka ardhur lajm prej Allahut, unë prapë e miratoj!”

Pastaj Ebu Bekri (r.a.) shkoi pranë Profetit që ndodhej atë kohë në Qabe, dëgjoi ç’i tregoi Profeti mbi atë udhëtimin e lumtur dhe tha:

“Drejt po flet, o i Dërguari i Allahut!..”

I kënaqur pa masë prej miratimit të tij, me një buzëqeshje që do ta ndriçonte tërë botën, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha kështu Hz. Ebu Bekrit:

“O Eba Bekr, ti je “Besniku”!..” (Ibni Hisham, II, 5)

Atë ditë e më pas, Ebu Bekri (a.s.) u bë i njohur me titullin “Besnik” (Sadik) dhe ashtu u përmend gjithmonë!

Ashtu si Ebu Bekr Besniku, edhe të gjithë sahabet, shokët e tjerë të të Dërguarit të Allahut, e besuan dhe e miratuan të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).

Politeistët që nuk mundën t’i bindnin besimtarët, shkuan këtë radhë te Profeti dhe u përpoqën ta vinin në provë siç ua thoshte mendja. Ata e pyetën për faltoren Aksa. Zoti ia solli para syve faltoren Profetit dhe ai u përgjigj me saktësi pyetjeve duke e vështruar faltoren. (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 41; Tefsir, 17/3; Muslim, Iman, 276)

Atëherë politeistët e pyetën për një karvan që ato çaste ndodhej në rrugë dhe për disa veçori të atij karvani. Edhe karvani, ashtu si faltorja Aksa, iu soll Profetit para syve dhe ai u dha politeistëve të dhënat që kërkonin, madje me të tepërt. P.sh., ai u tha se karvani në fjalë do të hynte në Mekë të nesërmen duke gdhirë.

Të hutuar nga përgjigjet e marra, politeistët nuk ranë fare për të fjetur atë natë për të pritur hyrjen e karvanit të nesërmen në mëngjes me shpresën se parashikimi i Profetit nuk kishte për t’u vërtetuar. Por, të nesërmen në të zbardhur, karvani u duk në portat e Mekës. Megjithatë, kokëfortë në mohimin e tyre, politeistët me zemrat të drynosuna thanë:

“Kjo është një magji e hapur!” (Ibni Hisham, II, 10)

Allahu i Lartë thotë:

“A mos treguam dobësi Ne në krijimin e parë? Jo, ata janë në dyshim për një krijim të ri!” (Kaf, 15) Ç’gjë më të lehtë ka për Allahun që e ka krijuar çdo gjë nga hiçi, ta ngjisë robin e vet në Miraxh? Mospranimi i kësaj është vetëm tregues i mungesës së arsyes së shëndoshë!

Politeistët e mjerë, kokëtrashë dhe të pafat edhe ngjarjen e Miraxhit nuk e besuan, edhe të Dërguarin e Allahut e vunë në tallje. Më në fund, me veprimet dhe sjelljet e pahijshme, atyre i kishte ikur plotësisht nga duart dhuntia për ta pasur mes tyre Zotërinë e Botëve. Kishte ardhur koha që kjo e mirë e madhe t’u merrej prapë mekasve që nuk ia njihnin vlerën. Sepse përballë një profeti, për nder të të cilit ishin krijuar, kishin bërë padrejtësi dhe mosmirënjohje të paimagjinuara, e kishin tepruar jashtë mase!

Me të vërtetë, kishte mbetur vetëm një gjë për t’u bërë: “Allahu ta hiqte prej tyre Dritën e Qenies dhe për t’ia dhuruar një shoqërie tjetër që e njihte të mirën dhe vlerën!..”

Ndërkaq, Zoti, pa shkuar shumë kohë pas udhëtimit në Taif, ia kishte dërguar të Dashurit të vet në formë grupi lajmëtarët e parë të një shoqërie të zgjedhur e cila do t’i jepte besën Kur’anit dhe të Dërguarit!..

Share.

Leave A Reply