Jakubi (a.s), i biri i Is’hakut (a.s), është profeti i dërguar te njerëzit që jetonin në zonën e Ken’anit.

Thuhet se ka lindur në Medjen ose Damask. Jakubi ishte binjak me të vëllain e tij Ijs dhe, për shkak se kishte lindur pas tij, u quajt “Jakub”, që do të thotë, “ndjekësi”.

Një kuptim tjetër i emrit “Jakub”, është, “safuetullah”, që do të thotë “robi që Allahu e ka pastruar dhe purifikuar”. Ndërsa nofka e tij është “Israil”, që do të thotë “rob i Zotit”.

Nga gjaku i tij kanë ardhur shumë profetë, si  Musai, Haruni, Daudi, Sulejmani, Zekeria, Jahjai dhe Isai (alejhimu’s-selam).

Vëllai i tij binjak, Ijsi, ishte i aftë në gjueti. Një ditë, pasi del për gjah, nëna merr një prej deleve të Jakubit, e pjek dhe ia vë para Is’hakut (a.s.), duke i thënë:

“Ky është ushqimi i djalit tënd…!”

Pas kësaj, Is’haku (a.s.), bëri dua që prej pasardhësve të Jakubit, të dalin profetë dhe sundimtarë.

Sapo u largua Jakubi, vëllai i tij Ijsi, kthehet nga gjahu dhe i thotë të atit:

“Baba, të solla gjahun që kërkoje…”

Ndërsa Is’haku (a.s.), si shpërblim i kësaj dhurate, bëri dua edhe për atë, duke thënë:

“U shtofsh e u begatofsh sa toka!”

Allahu i Madhëruar, çdo profeti i ka dhënë të drejtën e një lutjeje, e cila do të pranohet patjetër. Çdo profet e ka përdorur lutjen e tij në këtë botë, përveç Profetit tonë, Muhamedit (a.s.), i cili e ka lënë lutjen e tij për në Ditën e Gjykimit, ku në sajë të lutjes së tij, do të realizohet “shefaati udhma/ndërmjetësimi i madh”[1].

*

Pas njëfarë kohe, Jakubi (a.s.), shkoi të jetonte pranë dajës së tij, i cili kishte dy vajza. E madhja quhej Laja, kurse e vogla, Rahil. Jakubi (a.s.), shërbeu pranë dajës shtatë vjet dhe u martua me vajzën e madhe, Laja. Pas shtatë vitesh të tjera shërbimi, vuri kurorë edhe me vajzën tjetër, Rahil.[2] Kur i martoi me Jakubin (a.s.), i ati u dha vajzave të tij nga një shërbëtore, me emrat Zylfe dhe Belhe. Përveç këtyre, edhe Jakubit (a.s.), i dha dy shërbëtore të tjera.

Prej gruas së tij Laja, Jakubit (a.s.), i lindën gjashtë djem, prej gruas tjetër, Rahila, dy dhe prej dy shërbëtoreve të tij, katër djem. Rahilja nuk lindi fëmijë për një kohë të gjatë. Rahilja iu lut Zotit me përgjërim dhe asaj iu fal një djalë (Jusufi). Pas tij, lindi djali tjetër, Benjamini. Rahilja ndërroi jetë në ditën e dyzetë pas lindjes së djalit të dytë.

Vitin që lindi Jusufi, Jakubit (a.s.), iu ngarkua detyra e profecisë. Kur filloi të ftonte njerëzit në teuhid, në besimin monoteist, atij i besuan shumë vetë nga zona e Ken’anit.

Allahu i Madhëruar, në Kuranin Fisnik, urdhëron:

“…Ne i dhuruam atij (Ibrahimit) Is’hakun dhe Jakubin dhe që të dy i bëmë profetë. Ne u dhuruam atyre mëshirën Tonë dhe bëmë që ata të lavdërohen e të përmenden me nder.”  (Merjem, 49-50)

(O i Dërguar!) Kujto dhe robërit tanë të fortë e largpamës, Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin! Ne u dhuruam atyre një virtyt të veçantë, që ta kenë gjithmonë në mend botën e ardhshme. Padyshim, tek Ne, ata janë ndër të mirët e të zgjedhurit.” (Sad, 45-47)

Sa i përket Jusufit, ai ishte i ndryshëm prej të vëllezërve në gjithçka. Që në moshë të vogël, ai kishte fituar dashurinë e të atit. Jakubi (a.s.), pa cilësitë e veta tek Jusufi (a.s.). Prandaj dhe dashuria e Jakubit (a.s) për Jusufin ishte më e madhe se sa për bijtë e tjerë. Ai e donte shumë Jusufin, e vlerësonte më shumë se bijtë e tjerë dhe nuk e ndante kurrë prej vetes.

Historia e Jusufit (a.s.): Më i bukuri i rrëfimeve

Rrëfimi mbi Jusufin (a.s.), në Kuran është cilësuar si “ahsenul kasas”, pra rrëfimi më i bukur. Përveç kësaj, Kurani i ka ndarë këtij rrëfimi një sure të veçantë (surja Jusuf).

Sipas një transmetimi të Ubej bin Ka’b-it (r.a), i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Mësojuani skllevërve tuaj suren “Jusuf”. Nëse një mysliman e shkruan dhe ua mëson atë familjes dhe skllavit të vet, Allahu ia lehtëson agoninë e vdekjes. Po ashtu, nuk do të ketë as mundësi të ketë smirë ndaj një myslimani!..”

Si pasojë e smirës së vëllezërve të tij, Jusufi (a.s), pësoi fatkeqësi të ndryshme, si hedhja në pus, rënia në burg, etj. Edhe pse i gjendur përballë këtyre fatkeqësive, Jusufi (a.s.), nuk e humbi kurrë besimin në Allahun. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar i dërgoi Xhebrailin (a.s), e ngushëlloi me shumë mirësi, ia lehtësoi vuajtjet e vështirësitë dhe, më pas, i dha pushtet, nder dhe sundim.

Për shkak se edhe vetë kishte vuajtur shumë, gjatë viteve të sundimit të tij, Jusufi (a.s.), i trajtoi me më tepër mëshirë nevojtarët, të dobëtit, të varfrit e të vetmuarit.

Duhet të dimë se, kush e lexon suren “Jusuf”, mediton mbi kuptimet e saj të thella, arrin mirësitë që arriti edhe vetë Jusufi (a.s.).

Surja “Jusuf” është përplot me urtësi dhe mësime të panumërta. Në këtë sure trajtohen çështje të ndryshme, si profecia, robëria,  burgu, komentimi i ëndrrave, durimi, ndarja, joshja, dashuria, sjellja e mirë në momente të vështira, toleranca ndaj vuajtjeve që të shkakton armiku, falja kur ke mundësi të ndëshkosh dhe përballimi me sukses i dredhive dhe intrigave të femrave. Gjithashtu, në këtë sure flitet edhe për trashëgimin e profecisë, për të fshehtat e të qenit mëkëmbës i Allahut në tokë dhe për fuqitë shpirtërore të zemrës dhe shpirtit.

Në këtë sure, gruaja e Azizit (Zulejhaja), përballë Jusufit (a.s.), përfaqëson “nefsin emmare”, pra, egon njerëzore që urdhëron për të keq dhe kënaqet me të keqen. Mirëpo, sipas disa mendimeve, më vonë Zulejhaja bëhet besimtare dhe arrin kënaqësinë e Allahut, duke e edukuar veten dhe shpirtin e saj. Më në fund, shpirti i saj bëhet një me atë të Jusufit (a.s.) dhe derisa arritën tek Allahu, vuajtjet dhe fatkeqësitë që kaloi, e ngritën atë në aspektin shpirtëror.

Shkaku i zbritjes së kësaj sureje është:

Dijetarët hebrenj, shkuan tek prijësit e idhujtarëve dhe u thanë:

“Pyeteni Muhamedin! Përse emigroi Jakubi nga Damasku për në Egjipt dhe si është historia e Jusufit?”

Për këtë arsye, prijësit e idhujtarëve, shkuan tek Profeti (a.s.) dhe e pyetën. Për rrjedhojë zbriti edhe surja “Jusuf”.

Në periudhën kur u zbrit kjo sure, Profeti (a.s.) dhe besimtarët ishin duke përjetuar vuajtje dhe hidhërime të mëdha. Profeti ynë (a.s.), sapo kishte humbur gruan e tij Hadixhen (radijallahu anha) dhe xhaxhanë, Ebu Talibin. Ndërsa presioni mbi besimtarët ishte shtuar jashtë mase. Ja pra, kjo sure e zbritur në atë vit, i cili njihet si “viti i pikëllimit”, u bë burim ngushëllimi edhe për Profetin, edhe për sahabët e tij. Gjithashtu, në këtë sure jepet edhe lajmi i mirë se fitorja do të ishte e afërt për besimtarët që ecnin gjithmonë në rrugën e Profetit (a.s.) dhe duronin vuajtjet e fatkeqësitë me të cilat përballeshin.

*

“Elif, Lâm, Râ. Këto janë vargjet e Librit të qartë! Ne e zbritëm këtë Kuran në gjuhën arabe[3], për ta kuptuar ju. Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kurani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.” (Jusuf, 1-3)

Jusufi (a.s.) ishte më i bukuri ndër djemtë e Jakubit (a.s.). Kjo, sepse të tillë e kishte edhe prejardhjen. Ai ishte nderuar me nderin më të madh: atë të ardhjes prej brezit të tre profetëve. Ai ishte nderuar me virtyte të tilla të larta, si profecia, pamje të bukur, aftësi menaxhimi, durim në kohë të vështira dhe sjellje të mirë. Të gjitha këto ishin prej mirësive më të larta të Allahut. Po ashtu, edhe lutja e tij, ishte më e bukura ndër të gjitha lutjet:

(Zoti im!)… Më bëj të vdes mysliman dhe më bashko me të mirët!” (Jusuf, 101) Jusufi (a.s.), është i pari që është lutur për takimin me Zotin me anë të vdekjes!

Kjo është surja e parë që i është shpallur Profetit tonë (a.s.), në formë historie. Nga aspekti i shprehjeve dhe i kuptimit, kjo është një sure shumë e gjerë dhe e thellë. Në gjuhën e Kuranit ka shumë shprehje dhe kuptime të tilla! Por për t’i kuptuar ato, kërkohet një sy që e sheh të vërtetën dhe urtësi që i dallon hollësitë dhe detajet.

 

[1]Shefaati Udhma: Në Ditën e Gjykimit, njerëzit do mblidhen në një shesh të madh dhe do të presin fillimin e gjyqit suprem në vuajtje dhe vështirësi të mëdha. Për këtë arsye, Profeti ynë (a.s.), do t’i përgjërohet Allahut të Madhëruar, duke ndërmjetësuar për të gjithë njerëzimin, me qëllm që gjyqi të fillojë sa më parë.

[2] – Në kohën e Jakubit (a.s.), ishte e lejuar që dy motra të ishin nën një kurorë. Ky ligj vazhdoi deri në kohën e Musait (a.s.), kur u zbrit Teurati.

[3] – Lidhur me gjuhën e Kuranit: Pikësëpari, duhet të kuptojmë se, çështja e shpalljeve të Allahut, nuk ka të bëjë me gjuhën, kombësinë apo me diçka tjetër të ngjashme, por lidhet direkt me Profetin që dërgohet. Allahu i Madhëruar, këtë e shpreh në këtë mënyrë: “Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit)…” (Ibrahim, 4) D.m.th, prej cilit vend të dalë një profet, në atë gjuhë zbret edhe shpallja.

Pika e dytë që duhet kuptuar, është se; shprehja “për ta kuptuar ju”, nuk ka të bëjë vetëm me kuptimin e fjalëve, por me kuptimin e faktit se gjuha e përdorur në Kuran, është vërtet një mrekulli më vete dhe, këtë askush nuk mund ta kuptonte më mirë se sa arabët, të cilët e kishin shumë të zhvilluar ndjesinë e letërsisë dhe poezisë. Gjuha arabe, në vetvete përmban gjithçka që nevojitet për t’u shprehur bukur, qartë dhe me stil të lartë. Kurani ishte një sfidë e hapur për të gjithë njerëzit, e veçanërisht për ata që merreshin me letërsi dhe poezi. Kjo, e bënte Kuranin diçka të jashtëzakonshme; një fjalë e cila kuptohej qartë se nuk vinte nga mendja njerëzore. E, aq më tepër nga mendja e një njeriu që nuk dinte shkrim e këndim siç ishte Profeti ynë (a.s.). Allahu i Madhëruar shprehet: “Thuaj: “Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri – tjetrin.” (Isra, 88)

Padyshim se, këto nuk janë të vetmet shpjegime të kësaj urtësie të Allahut. Për këtë, janë shkruar libra të tërë, të cilët shpjegojnë në çdo detaj urtësinë e shpalljes së Kuranit në gjuhën arabe.

Share.

Leave A Reply