Jahja (a.s.), është djali i tezes së Merjemes. Ai e ka mësuar Teuratin që në moshë të vogël dhe, kur arriti moshën e pjekurisë, iu dha detyra e profecisë.
Lidhur me dhurimin e Jahjas (a.s.), babait të tij Zekerijas (a.s.), Kurani e tregon kështu:
“Atëherë Zekerija iu lut Zotit të vet e tha: «Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!»” (Al-i Imran, 38)
“Tha: «O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im! Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!»” (Merjem, 4-6)
Kjo lutje e sinqertë e Zekerijas (a.s.), u pranua nga Zoti:
“E ndërsa lutej në këmbë, në faltore, engjëjt e thirrën (Zekerijan): «Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjan, i cili do të vërtetojë Fjalën e Allahut (Isain a.s.), do të jetë një fisnik, i dëlirë dhe profet, një prej të mirëve.»” (Al-i Imran, 39)
“O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë.” (Merjem, 7)
Thënia “Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë” është për ta nderuar Jahjan (a.s.). Kjo shprehje përmban edhe virtytet e tjera me të cilat është veçuar ai.
“Jahja”, do të thotë i “gjallë”. Lindja e një fëmije prej dy pleqsh është pothuaj si të krijosh një të gjallë prej një të vdekuri. Në Kuran urdhërohet:
“(Zekerija) tha: «Zoti im! Qysh do të kem djalë, kur mua më ka zënë pleqëria, e gruaja ime është shterpë?!» (Engjëlli i) tha: «Kështu! Allahu bën çfarë të dojë!»” (Al-i Imran, 40)
“I tha: «Ashtu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje.»” (Merjem, 9)
Shenja e pranimit të lutjes së Zekerijas (a.s.), ishte pamundësia e tij për të komunikuar me njerëzit, veçse me shenja si dhe përmendja e vazhdueshme e Zotit.
“Ai tha: «O Zot! Më jep një shenjë!» (Zoti) i tha: «Shenjë për ty është se tri ditë nuk do t’u flasësh njerëzve, veçse me gjeste. Por, Zotin tënd përmende shumë dhe adhuroje Atë në mbrëmje dhe në mëngjes!»” (Al-i Imran, 41)
Zekerija (a.s.), nuk mundi të fliste me njerëzit për tri ditë rresht. Ç’kishte për t’u thënë, ua shënonte në tokë.
“Ai doli nga faltorja para popullit të vet dhe u bëri me shenjë atyre të lavdëronin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje!” (Mejrem, 11)
“Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjan, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje). Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh.” (Enbija, 90)
Kur Jahja (a.s.), arriti moshën e pjekurisë, Allahu i Lartë e urdhëroi të kuptonte gjykimet e Teuratit dhe të punonte sipas tyre:
“(Pasi lindi djali, iu tha): «O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin)!» Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri, butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte besimtar i përkushtuar dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm.! (Merjem, 12-14)
Jahja (a.s.), kur iu dha profecia, zbatoi ligjet e Musait (a.s.), deri sa i erdhi Inxhili (Ungjilli) Isait (a.s.).
Lidhur me ndodhinë e martirizimit të Jahjas (a.s.), transmetohet një ngjarje e tillë:
Gjatë kohës së profecisë së Jahjas (a.s.), mbreti Herod, kishte marrëdhënie jashtëmartesore me motrën e gruas së vet, gjë e cila ishte e ndaluar rreptësishtë me ligjet e Musait (a.s.). Kur Jahja (a.s.), ia bëri të ditur mbretit se kjo ishte kundër ligjeve të Zotit, ai e hodhi në burg. Më pas, në ceremoninë kushtuar ditëlindjes së mbretit, gruaja me të cilën mbreti kishte marrëdhënie jashtëmartesore, merr pjesë në ceremoni së bashku me vajzën e vet. Shfaqja që dha vajza e gruas, e mahnitën dhe e magjepsën mbretin. Për këtë arsye, mbreti i premton vajzës se, atë ditë do t’i plotësonte çdo dëshirë që të kishte. Vajza, u mashtrua nga nëna e vet dhe arriti deri aty sa të kërkonte kokën e Jahjas (a.s.). Mbreti u mërzit nga kjo kërkesë e vajzës, por ishte i detyruar të mbante premtimin e dhënë. Për rrjedhojë urdhëron vrasjen e Jahjas (a.s.), duke ia prerë kokën. Më vonë, kjo vajzë u martua me mbretin, por patën përfundim të keq.[1]
Jo shumë kohë pas kësaj ndodhie, ngjau edhe ngritja e Isait (a.s.), në qiell. Në këtë periudhë, hebrenjtë kishin degraduar aq shumë, sa vrisnin edhe profetët. Kështu, për shkak të këtyre krimeve, ata u mallkuan nga Allahu i Madhëruar:
“(Ne i mallkuam ata) për shkak të shkeljes së besëlidhjes nga ana e tyre, për shkak të mohimit që i bënë shpalljeve të Allahut, për shkak të vrasjes së profetëve pa kurrfarë të drejte dhe për thënien e tyre: «Zemrat tona janë të mbyllura në këllëf (prandaj s’i kuptojmë fjalët e Profetëve)». Nuk është kështu, por Allahu ua ka vulosur ato për shkak të mohimit të tyre, prandaj pak prej tyre besojnë.” (Nisa, 155)
*
Kur Jahja (a.s.), u martirizua, ishte rreth tridhjetë e ca vjeç. Siç njoftohet edhe në ajetin fisnik, ai e ka gëzuar mëshirën dhe mbrojtjen hyjnore në tri ditë të vështira:
“Paqja qoftë mbi atë, ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.” (Merjem, 15)
Komentuesi i Kuranit, Bejdaviu, e interpreton kështu këtë ajet:
“Shejtani që sulmon njerëzit, mos e cenoftë atë në këtë jetë! Qoftë i shpëtuar nga dënimi i varrit! Qoftë i ruajtur prej llogarisë dhe dënimit me zjarr në botën tjetër!”
[1] – shih. Ungjilli, Luka 3/19-20; Matta 14/1-12.