Ebu Hurejre (r.a.), ka transmetuar se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s.), të thotë:

“Për Allahun, unë i kërkoj falje dhe pendohem tek Allahu më tepër se shtatëdhjetë herë në ditë.”

(Buhari, Dauat 3. Shih. Tirmidhi, Tefsiru sure (47); Ibni Maxhe, Edeb 57.)

Shpjegime

Kuptimi leksikor i fjalës “teube”, është “të kthehesh”. Pra, të heqësh dorë prej gjynahut. E shprehur më qartë, të braktisësh një gjynah, duke e ditur se është faj dhe të pendohesh për të. Gjëja më e rëndësishme e teubes, është të dish se vepra që bëhet është e keqe dhe të heqësh dorë duke ndjerë neveri prej saj.

Njeriu që bën teube, është për t’u admiruar, sepse veprat e këqija, ai i ka shndërruar me të mira dhe i ka braktisur rrugët që të largojnë nga Allahu, e të afrojnë tek shejtani. Njeriu nuk duhet të mjaftohet vetëm me braktisjen e rrugës së keqe, por duhet të përpiqet të fitojë kënaqësinë e Allahut me adhurime dhe bindje ndaj Tij, me qëllim që t’i shlyejë gabimet e mëparshme.

Pendimi nuk ka ndonjë kohë të veçantë. Për shkak se vdekja vjen papritur, njeriu duhet të pendohet një orë e më parë. Siç kuptohet edhe prej disa transmetimeve, njeriu duhet të ngrihet në kohën para agimit, që është edhe koha më e bukur për të kryer adhurime, të falë dy rekate namaz për hir të Allahut dhe më pas, të pendohet e të kërkojë falje prej Tij.

Profeti ynë (a.s.), i bindej urdhrave të Allahut më shumë se kushdo tjetër. Për rrjedhojë, ashtu siç e vumë re edhe në urdhërimet për teube në ajetet fisnike në fillim të temës, Profeti ynë (a.s.), i bindej këtyre urdhrave duke kërkuar falje dhe duke bërë teube më shumë se shtatëdhjetë herë në ditë. Po ashtu, siç do të shohim edhe në Hadithin që vijon, ka pasur raste që Profeti (a.s.), bënte teube edhe njëqind herë në ditë.

Shpesh herë, numrat shtatëdhjetë dhe njëqind, përdoren në hadithe për të shprehur sasinë e shumtë të diçkaje. Për rrjedhojë, shprehja e Profetit (a.s.), me këto numra, mbase është për të treguar se ai e përmendte shumë Allahun e Madhëruar.

Ne e dimë shumë mirë se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka qenë i mbrojtur nga kryerja e gjynaheve dhe për këtë arsye nuk ka pasur asnjë gjynah. Por, pavarësisht kësaj, shkaku që ai bënte shpesh teube gjatë ditës, ka qenë dëshira për t’i treguar UmmetUmmetit të tij rëndësinë e teubes dhe istigfarit (kërkimit të faljes) dhe se askush nuk mund ta adhurojë dot Allahun ashtu siç i takon Atij.

Për shkak se profetët janë njerëzit që e njohin më mirë Allahun e Madhëruar, ata e adhurojnë dhe e falënderojnë Atë më shumë se çdokush tjetër. Por, përsëri ata pohojnë se nuk arrijnë t’i bëjnë këto ashtu siç i takon madhështisë së Tij. Në të njëjtën mënyrë, edhe Profeti ynë (a.s.), bënte teube dhe istigfar për arsye se gjatë angazhimit me punët e përditshme, si ngrënia, pirja, pushimi, fjetja, qëndrimi me gratë dhe zgjidhja e problemeve të ndryshme të popullit, nuk arrinte ta përmendte ashtu siç duhet Allahun e Madhëruar. Për rrjedhojë, në një transmetim tjetër të këtij Hadithi, i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Edhe zemrën time e kaplon pakujdesia. Prandaj, edhe unë i kërkoj falje Allahut njëqind herë në ditë” (Muslim, Dhikr, 41.)

Lidhur me këtë, na duhet të mendojmë:

Nëse Profeti ynë i dashur (a.s.), bënte kaq shumë teube çdo ditë, edhe pse nuk kishte gjynahe, ne, që jemi të mbytur në gjynahe, duhet të bëjmë me mijëra herë teube dhe istigfar në ditë. Më e pakta që mund të bëjmë, është të pasojmë këtë Sunet të Profetit tonë (a.s.) dhe të bëjmë çdo ditë njëqind  herë teube dhe istigfar.

Istigfar, do të thotë ta mbash trupin larg gjynaheve kur je duke u lutur me gjuhë, “o Zot më fal!”. Kjo është ajo që duhet të bëjë robi. Ndërsa ajo që shpresohet prej Zotit, është që Ai ta mëshirojë dhe ta falë robin e Vet që bën istigfar. E thënë më shkurt, ta mbrojë atë nga dënimi i Xhehenemit.

Aliu (r.a.), thotë se ka dy mundësi për të shpëtuar prej dënimit të Allahut në këtë botë. Një nga këto, është ekzistenca e Profetit tonë (a.s.). Por, fatkeqësisht kjo mundësi ka humbur me vdekjen e tij. Tashmë ka mbetur vetëm një mundësi, pas së cilës duhet kapur fort. Kjo mundësi është istigfari. Lidhur me këtë të vërtetë, në Kuranin Fisnik urdhërohet:

“Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij.” [Enfal, 33.]

Sa shpresëdhënës është ky ajet fisnik, i cili vë në pah mëshirën e madhe të Allahut ndaj robërve të Vet! E si mund të kaplohet nga pashpresa njeriu, i cili ka një Zot kaq të mëshirshëm ndaj robërve të Vet? Ky ajet fisnik, premton se Allahu i Madhëruar nuk do të na dënojë për sa kohë që i lutemi të na falë. Pra, pse ta humbasim shpresën dhe të mos bëjmë istigfar, ndërkohë që kemi një garanci kaq të fortë?

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Njeriu duhet ta llogarisë veten çdo ditë dhe të përpiqet të gjejë gabimet dhe gjynahet që ka bërë. Më pas, duke menduar për ato gjynahe, ai duhet t’i drejtohet Allahut dhe t’i lutet që ta falë.
  2. Në këtë Hadith, shihet qartë respekti i madh që ka pasur Profeti ynë (a.s.), ndaj Allahut të Madhëruar. Për rrjedhojë, ai është një shembull i mirë për UmmetUmmetin Islam në këtë çështje.
  3. Nëse Profeti ynë (a.s.), bënte më tepër se shtatëdhjetë herë teube çdo ditë, edhe pse nuk kishte gjynahe, ne, që jemi të mbytur në gjynahe, duhet të bëjmë të paktën aq herë teube sa ka bërë edhe ai.
  4. Teubeja, është mundësia e myslimanit për t’u rinovuar dhe për t’u pastruar. Ajo është një mirësi e madhe për njerëzit. Prandaj, dera e teubes do të jetë e hapur deri në frymën e fundit dhe derisa të vijë Dita e Kiametit.
Share.

Leave A Reply