Nga brezi i të cilit kanë ardhur profetët e bijve të Izraelit.
Is’haku (a.s.), është biri i Ibrahimit, i lindur nga gruaja e tij Sara. Kur nëna jonë Sara mori vesh se do të lindte Is’hakun, e habitur tha:
“… «Ah! E mjera unë! A mos vallë, kështu plakë do të lind unë, ndërkohë që edhe burri im është plak! Me të vërtetë, kjo është diçka e jashtëzakonshme!» Ata (engjëjt), thanë: «A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju – familjen e të Dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar!»” (Hud, 72-73)
“Ne i dhamë atij lajmin e mirë për (lindjen e) Is’hakut, profet prej njerëzve të mirë. Dhe Ne e bekuam atë dhe Is’hakun, por midis pasardhësve të tyre, përveç punëmirëve, ka edhe të atillë që e kanë ngarkuar dukshëm veten me gjynahe.” (Saffat, 112-113)
Në Kuranin Fisnik, Is’haku (a.s.), lavdërohet në këtë mënyrë:
“Kujto robërit Tanë: Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin, të fortë (në besim) dhe largpamës. Ne u dhuruam atyre një virtyt të veçantë, që ta kenë gjithmonë në mend botën e ardhshme. Njëmend, ata janë tek Ne, nga njerëzit më të mirë e më të zgjedhur.” (Sad, 45-47)
Pas vdekjes së babait të tij, Is’haku (a.s.), është dërguar si profet tek popujt e Damaskut dhe Palestinës. Allahu i Madhëruar, e kishte bërë atë njeri të zgjedhur dhe të mirë. Në pleqëri iu dobësuan sytë dhe u verbua. Is’haku (a.s.), ka pasur dy djem binjakë: Jakubin dhe Ijsin.
Afër fundit të jetës, Is’haku (a.s.), i është lutur Zotit për djemtë e tij veç e veç. Për Jakubin (a.s.), është lutur që nga soji i tij të dalin profetë, kurse për Ijsin, që të ketë shumë pasardhës dhe që nga soji i tij të dalin sundimtarë e mbretër.
Sipas disa transmetimeve, Is’haku ka ndërruar jetë në moshën njëqindegjashtëdhjetë vjeçare, në afërsi të Kudsit, në zonën e Palestinës së sotme dhe është varrosur pranë babait të tij Ibrahimit (a.s.). (shih. Ibn-i Esir, el-Kamil, I, 127.)
Mrekullitë e Is’hakut sipas transmetimeve të ndryshme
Populli ku Is’haku (a.s.), ishte dërguar si profet, nuk e pranonte profecinë e tij. Prandaj i thanë:
“Nëse kafshët nuk dëshmojnë se ti je profet, ne nuk të besojmë!”
Dhe Is’haku u tha kafshëve:
“O kafshë! Thoni se kush jam unë!”
Dhelpra tha: “Ti je i Dërguar i Allahut!”
Kaprolli tha: “Ti je i biri i Halilullahut (Ibrahimit)!”
Dhia tha: “Ti je profet i dërguar prej Zotit! Kush nuk të beson ty, shkon në xhehenem!”
Po ashtu, kur Is’haku (a.s.), shkoi në Kuds, për të kumtuar fenë, aty i thanë:
“Po e bërë këtë mal të lëvizë, kemi për të të besuar!”
Atëherë, me urdhrin e Allahut, mali u lëkund fuqishëm! Pas kësaj populli i Kudsit e besoi se ai ishte i Dërguari i Allahut.
Kur Is’haku (a.s.), po i fliste fisit të vet për besimin, njëri solli lëkurë qeshë dhe i tha:
“Ringjalli këta!”
Atëherë, Is’haku (a.s.), i mbushi lëkurët me rërë dhe iu lut Allahut. Pas kësaj, të gjithë qetë u ringjallën.
Një mrekulli tjetër, ishte se kur ai prekte ndonjë dele, ato lindnin qingja.
Is’haku (a.s.), ka ndërruar jetë në Palestinë dhe është varrosur në rrethinat e Halilurrahmanit.