Isai (a.s.), ka ardhur në jetë në Jerusalem, gjashtë muaj pas lindjes së Jahjas (a.s.). Ai është i fundit i profetëve të dërguar bijve të Izraelit.

Po ashtu, ai është i katërti ndër pesë profetët, të cilët kanë cilësinë “ulu’l-adhm”[1], pra që kanë merituar gradat më të larta ndër të gjithë profetët e tjerë. Përmendja e tij me cilësinë “Ruhullah/Shpirti i Zotit”, krahas të qenit një shprehje nderimi për të, është edhe për shkak se Allahu e krijoi atë pa baba, ashtu si edhe Ademin (a.s.), duke i fryrë prej shpirtit të Tij.

Isait (a.s.), i erdhi profecia në moshën tridhjetë vjeçare dhe iu zbrit Ungjilli si libër hyjnor. Ndërsa në moshën tridhjetetre vjeçare u ngrit në qiell nga ana e Allahut.

*

Nëna e Isait (a.s.), Merjemja, është prej sojit të Daudit (a.s.). Nëna e saj quhej Hanne, ndërsa i ati Imran.

Sipas burimeve, Hanne nuk mund të lindte fëmijë. Për këtë arsye, ajo iu lut Allahut:

“O Zot! Po të lind fëmijë, do t’ia kushtojë Tempullit Aksa!”

Pas këtij premtimi, ajo mbeti shtatzënë. Në Kuran urdhërohet:

“Kujto kur gruaja e Imranit tha: «Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë.»” (Al-i Imran, 35)

Dhe, kur erdhi koha, Hanne solli në jetë një vajzë, emrin e së cilës ia vuri Merjem.

“E kur ajo lindi, tha: «Zoti im! Unë linda femër, – Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo, – e mashkulli nuk është si femra. Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar.»” (Al-i Imran, 36)

Deri në atë kohë, Tempullit Aksa i kushtoheshin vetëm djem, dhe kjo konsiderohej një mirësi e madhe. Fëmijët që i kushtoheshin tempullit, qëndronin aty dhe shërbenin nga fëmijëria, deri në moshën e pjekurisë. Pas kësaj periudhe, fëmija mund të vazhdonte të shërbente aty, ose të shkonte diku tjetër ku të kishte dëshirë. Mirëpo, nuk lejohej që fëmija i kushtuar, të largohej prej tempullit para se të arrinte moshën e pjekurisë.

Ky kushtim, bëhej vetëm për djemtë. Por pasi Hanne iu lut Allahut dhe Ai ia pranoi lutjen për kushtimin e Merjemes, filloi të lejohej e të praktikohej edhe kushtimi i vajzave.

Hanne, ia dorëzoi Merjemen drejtuesve të tempullit. Më pas, ata hodhën short se kush do ta merrte vajzën nën kujdesin e vet. Allahu i Lartë urdhëron:

“Këto janë lajme të fshehta, që po t’i shpallim ty (o Muhamed). Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hodhën short se kush prej tyre do të merrte nën kujdes Merjemen dhe nuk ishe i pranishëm kur ata diskutonin.” (Al-i Imran, 44)

Shorti i ra Imamit (drejtuesit) të tempullit, Zekerijas (a.s.), që ishte edhe kunati i Hannes. Zekerija (a.s.), tha: “Tezja e saj është gruaja ime.” Dhe e mori Merjemen nën kujdestarinë e vet.

Kur Merjemja u nda nga gjiri, për atë u caktua një dhomë e veçantë në tempull. Në Kuran, kjo dhomë është quajtur “mihrab”, kuptimi i së cilës është dhomë ku bëhet adhurim.

Në dhomën e Merjemes hynte vetëm Zekerija (a.s.). Kjo gjë vazhdoi gjersa ajo u bë dymbëdhjetë vjeçe. Kur Zekerija (a.s.), vinte aty, e hapte derën me çelës dhe, po ashtu, e mbyllte kur dilte. Çdo ditë ai i linte ushqim për një ditë. Mirëpo, kur vinte gjente fruta të ndryshme që s’i kishte sjellë vetë dhe habitej. Kur e pati pyetur një radhë se nga i kishin ardhur, ajo i tha se i kishin ardhur nga Allahu. Midis këtyre ushqimeve, ndodheshin fruta dimërore gjatë verës dhe fruta verore gjatë dimrit. Allahu i Lartë urdhëron:

“Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë dhe e la nën kujdestarinë e Zekerijas. Sa herë që hynte Zekerija në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: «O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?» Ajo përgjigjej: «Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi.»” (Al-i Imran, 37)

Dhuratat e mëdha të Allahut për Merjemen, ishin këto:

  1. Ndërkohë që deri kur lindi Merjemja, në tempull nuk lejohej kushtimi i vajzave, pas lutjes së Hannes, u pranua edhe Merjemja.
  2. Allahu i Lartë e rriti atë nën kujdesin e Zekerijas (a.s.).
  3. E furnizoi prej të mirave të xhenetit që në këtë botë.
  4. Ia mundësoi të takohej me melekun Xhebrail (a.s.), i cili në përgjithësi u vinte profetëve.
  5. E mbrojti atë dhe të birin, Isain (a.s.), prej të keqes së shejtanit.
  6. I biri, Isai (a.s.), foli që kur ishte në djep dhe u dha përgjigje shpifjeve të bëra kundër saj.

Profeti ynë, Muhammedi (s.a.v.), ka thënë:

“Merjemja, e bija e Imranit, është më e mira e grave të kohës së vet. Ndërsa gruaja më e mirë e bashkësisë sime është Hatixhja!” (Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 69.)

Merjemja bënte adhurim natë e ditë, aq, sa ajo u bë e njohur për devotshmërinë e saj në mesin e bijve të Izraelit. Ajo ishte ndër robërit e zgjedhur të Allahut, tek e cila shfaqeshin mrekulli. Aq, sa në Kuranin Fisnik, është lavdëruar duke u quajtur “besnike”.

Allahu i Lartë urdhëron:

(Kujto) kur melekët thanë: «O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës. O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar Allahun)!»” (Al-i Imran, 42-43)

Pas këtyre urdhrave, devotshmëria e saj u shtua aq shumë, sa falte namaz deri sa i ënjteshin këmbët.

 

[1] – Profetët e mëdhenj.

Share.

Leave A Reply