Profeti i popullit mohues të Adit, vatrat e të cilëve u shkatërruan me anë të furtunave të fuqishme.

Hudi (a.s.), është nga nipërit e Sam-it, birit të Nuhut (a.s.). Emri tjetër i Hudit (a.s.), është Abir. Hudi (a.s.), u lind dhe u rrit në një vendbanim në zonën Ahkaf. Fjala “hud” do të thotë “butësi, qetësi, paqe, shpresë”.

Hudi (a.s.), është dërguar si profet tek populli i Ad-it. Kjo zonë ku jetonte populli i quajtur Ad, e cila me shkatërrimin që pësoi, është bërë shembull për të gjithë njerëzimin, ndodhet mes Jemenit, Adenit dhe Ummanit.

Populli i Ad-it

Populli i Ad-it ishte një popullatë arabe e përbërë prej njëzetetre fisesh. Emri i këtij populli, i është dhënë nga nipi i  Nuhut (a.s.), Adi. Këta kanë jetuar përafërsisht tetëqind vjet pas Nuhut (a.s.).

Transmetohet se në përgjithësi, njerëzit e këtij populli kanë qenë të bëshëm, shtatlartë dhe jetëgjatë. Tokat ku jetonin ishin pjellore, me plot kopshte e vreshta. Madje, për shkak se kishte kopshte dhe vreshta të shumëta, zona Ahkaf qe e njohur edhe me emrin “Irem”. Prej këtej vjen edhe shprehja e njohur “Kopshtet e Iremit”.

Populli i Adit ndërtonte shtëpi e pallate të bukura e madhështore, duke gdhendur shkëmbinjtë. Midis tyre ndodheshin edhe kopshte e pishina të bukura. Çdo vend ishte plot me bukuri që të merrnin sytë.

Ky popull, të cilit Allahu i kishte dhënë shumë mirësi të kësaj bote, me kalimin e kohës filloi të mburrej e t’i rritej mendja. Ata u mashtruan nga mirësitë e shumta që zotëronin dhe u zhytën komplet në dëshirat e kësaj bote. Për shkak të prishjes dhe intrigave midis tyre, ata u larguan nga feja e vërtetë. Ata e harruan tmerrin dhe urtësinë e tufanit të Nuhut (a.s.) dhe nuk morën mësim prej tij. Lidhur me ta, Allahu i Lartë urdhëron:

“Sa i përket popullit të Ad-it, ata u treguan arrogantë në Tokë dhe, pa kurrfarë të drejte, thoshin: «Kush është më i fortë se ne?» Vallë, a nuk e dinin ata se Allahu që i kishte krijuar, është më i fuqishëm se ata?! Kështu, ata i mohuan shpalljet Tona.” (Fussilet, 15)

Ata u larguan aq shumë prej rrugës së drejtë, saqë bënë disa idhuj të quajtur Samed, Samud, Sada dhe Heba, të cilët nisën t’i adhuronin. Ata e tepruan në luks dhe filluan të shtypnin të dobëtit, duke u bërë njerëz tiranë e të padrejtë.

Ata e tepruan aq shumë në dhunë dhe padrejtësi, saqë bastisnin fiset e varfra e i plaçkitnin. Ata e kapnin ndonjë të mjerë, e hipnin në katin e sipërm të ndërtesave dhe e hidhnin poshtë vetëm për t’u argëtuar. Pastaj sodisnin trupin e tij të copëtuar dhe nga kjo ndienin kënaqësi. Pra, zemrat u ishin ngurtësuar aq shumë, sa mizoritë e tyre kishin arritur kulmin.

Hudin (a.s.), me këtë popull e lidhte vetëm afërsia farefisnore. Kurse në mënyrën e jetesës s’kishte asgjë të ngjashme me ta. Ai qe biri i një familjeje të pastër e të fisme.

*

Pasi populli i Adit, vazhdonte ta tepronte çdo ditë e më shumë, në padrejtësi, mosbindje dhe mizori, Allahu i Madhëruar, në mesin e atij populli zgjodhi Hudin si profet:

“Fisit Ad (Ne i dërguam) vëllanë e tyre Hudin!..” (Hud, 50)

Pas shpalljes që mori, Hudi (a.s.) shkoi atje ku mblidhej populli i tij. Sundimtari i tyre, Halxhan, rrinte ulur mbi një fron të artë.  Hudi (a.s.), nisi të flasë me një zë kumbues:

“…O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. A nuk po i ruheni dënimit?” (A’raf, 65)

“O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!” (Hud, 52)

Halxhani u nevrikos dhe i tha:

“Turp të kesh, o Hud! A mos mendon se mund të dalësh ti më i zoti se ne të gjithë që jemi kaq shumë e kaq të fuqishëm? A s’e di se je i vetëm? Dhe a nuk e di ti se çdo ditë ne shtohemi me një fëmijë?..”

Halxhani dhe populli që i shkonte pas, u mburrën me pasurinë dhe fëmijët dhe e nënvlerësuan Hudin (a.s.), të cilin nuk e besuan.

“Paria e popullit të tij që nuk besonte, tha: «Ne shohim tek ti mendjelehtësi dhe mendojmë se je gënjeshtar».” (A’raf, 66)

“Ata thanë: «O Hud! Ti nuk na ke sjellë kurrfarë prove të dukshme për fjalët e tua, ne nuk do t’i braktisim zotat tanë dhe nuk të besojmë ty! Ne themi vetëm se ty të ka goditur ndonjë e keqe nga zotat tanë». Ai tha: «Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju, se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni»” (Hud, 53-54)

“Ai tha: «O populli im! Unë nuk jam mendjelehtë, por jam i dërguar nga Zoti i botëve.»” (A’raf, 67)

Paralajmërimet mësimdhënëse hyjnore

Hudi (a.s.), u hidhërua shumë prej sjelljeve të këqija të popullit të vet. Për këtë arsye, ai i ngriti duart lart dhe iu lut Zotit. Për rrjedhojë, si një paralajmërim hyjnor, gratë e këtij populli u bënë shterpa dhe nuk po lindnin më fëmijë. Kjo shterpësi vazhdoi për dhjetë vjet.

Më në fund, u detyruan të vinin tek Hudi (a.s.). Mirëpo, ata ende nuk merrnin mësim! Sikur të mos u mjaftonte mrekullia dhjetëvjeçare e shterpëzimit të grave, për të cilën qenë dëshmitarë, i thanë Hudit:

“Na trego një mrekulli!”

Pastaj, ashtu siç bëhet e ditur edhe në Kuran, në argumentin e mëposhtëm, duke e përbuzur Hudin, i kërkuan ndëshkimin:

“Ata thanë: «Vallë, a ke ardhur të na largosh ne prej hyjnive tona. Sillna atë (dënim) që po na premton dhe të shohim nëse thua të vërtetën!»” (Ahkaf, 22)

Pas kësaj u thanë burimet dhe u zverdhën kopshtet e vreshtat. Ato kopshtet e bukura të Iremit u asgjësuan dhe ata njerëz trupmëdhenj u bënë nevojtarë për një kafshatë.

Hudi (a.s.), i mblodhi prapë dhe i këshilloi: “Kërkoni falje prej Zotit!” Më pas, për shkak se ata këmbëngulën në mohimin e tyre, ai i paralajmëroi hapur:

“…«Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju, se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni afat aspak! Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im, është në rrugë të drejtë. E, nëse ju shmangeni, unë tashmë jua kam përcjellë atë (mesazhin), për të cilin jam dërguar te ju. Zoti im, në vendin tuaj do të sjellë një popull tjetër, kurse ju nuk mund t’i bëni kurrfarë dëmi Atij. Vërtet, Zoti im është Mbikëqyrës mbi çdo gjë!»” (Hud, 54-57)

Atyre nuk u mjaftoi as ky kërcënim. Megjithëse po vuanin aq shumë, përsëri nuk u penduan e të ktheheshin në besimin e vërtetë, sepse ata qenë larguar shumë prej Allahut për shkak të pasurisë së madhe që kishin. Nëse do të kishin vepruar siç u pati thënë profeti i tyre, nuk do të kishin bërë ato poshtërsi që kishin bërë dhe nuk do t’i kishin shtypur të varfrit. Feja e një Zoti të vetëm, që është fe e drejtësisë dhe të vërtetës, sillte disa kufizime e rregulla. Kurse njerëzit e mësuar me rehati, nuk deshën të kufizohen. Ata zgjodhën jetesën në kënaqësi e indiferentizëm të plotë.

Cikloni që e ktheu përmbys çdo gjë

Pa kaluar shumë, në qiell u shfaqën re. Me të parë retë që kishin zënë qiellin skaj më skaj, populli u gëzua dhe tha:

“Po vjen shiu!”

Mirëpo këto qenë re ndëshkimi.

Hudi (a.s.), i paralajmëroi njerëzit për herë të fundit:

“Ejani në vete, besoni!”

Por ata përsëri u treguan të pakujdesshëm e indiferentë:

“Jo! Këto janë re që paralajmërojnë shiun!”

E kështu, njerëzit u treguan të verbër e të shurdhër ndaj paralajmërimit të fundit hyjnor. Më në fund, melekët e ngarkuar me detyrë, e mbështollën të gjithë popullin me retë që u shfaqën në qiell. Në mëngjesin e të mërkurës, era u bë shumë e fortë. Aq sa ishte në gjendje të shkulte pemët me gjithë rrënjë. Zhurma, forca dhe i ftohti i furtunës sa vinte e shtohej.

Njerëzit nisën të fluturonin në ajër si karkaleca. U lidhën me njëri-tjetrin për rrobash duke formuar rrathë që të mos fluturonin, por pa dobi! Disa, duke parë se si fluturonin në ajër devetë dhe gjithë ata burra trupmëdhenj, vrapuan nëpër shtëpi. Por e keqja vazhdoi t’i ndiqte edhe atje, duke i hedhur jashtë nga shtëpitë si fije kashte.

Allahu (xh.xh) i dha urdhër erës dhe ajo hodhi mbi ta kodrat me rërë. Ky ciklon vazhdoi për shtatë net e tetë ditë. Natyrisht që Hudi (a.s.) dhe ata që besonin në Zotin e vërtetë, shpëtuan. Ndërsa ndëshkimi ra vetëm mbi të pabindurit. Në Kuran urdhërohet:

“Kur erdhi urdhri Ynë, me mëshirën Tonë, Ne e shpëtuam Hudin bashkë me besimtarët e tij. I shpëtuam ata nga dënimi i rëndë. Ja, ky ishte fisi Ad. Ai i mohonte shenjat e Zotit të tij, nuk i dëgjonte të dërguarit e Tij dhe shkonte pas urdhrit të çdo keqbërësi kokëfortë. Ata i ndoqi mallkimi në këtë jetë dhe në Ditën e Kiametit. Me të vërtetë, fisi Ad e mohoi Zotin e tij. Qoftë larguar (nga mëshira e Allahut) fisi Ad, populli i Hudit!” (Hud, 58-60)

“Dhe, Ne u dërguam atyre në ditët e fatkeqësisë erë të acartë, për ta shijuar dënimin poshtërues që në këtë jetë; ndërsa dënimi në jetën tjetër do të jetë edhe më poshtërues dhe askush nuk do t’i ndihmojë.” (Fussilet, 16)

(Mësim ka edhe në historinë) e fisit Ad, kur i dërguam erën shkatërruese, e cila, ngado që kaloi, nuk kurseu asgjë, duke i kthyer në kalbësira.” (Dharijat, 41-42)

(Furtunën) të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura.” (Hakka, 7)

“Eh, sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia!” (Kamer, 21)

“A sheh ndonjë gjurmë të tyre” (Hakka, 8)

Dijetarët e tefsirit, shprehjen “i shpëtuam me anë të mëshirës Tonë” që përmendet në ajet, e komentojnë kështu:

“Allahu e ka mbrojtur dhe e ka shpëtuar Hudin (a.s.), bashkë me besimtarët që ndodheshin me të, si domosdoshmëri e mëshirës së Tij!..”

Pas shkatërrimit të popullit, Hudi (a.s.) dhe ata që i besuan atij, erdhën në Mekë dhe jetuan aty derisa ndërruan jetë.

Mrekullitë e Hudit (a.s.)

  1. Me lejen e Allahut, ua kthente drejtimin erërave.

Njerëzit i kërkuan një mrekulli. Dhe ai i pyeti:

“Ç’lloj mrekullie?”

Dhe ata i kërkuan t’i kthente erërat në drejtimin që donin. Për rrjedhojë, Hudi (a.s.), e ktheu erën nga deshën ata.

Është shumë domethënës fakti se populli, i cili e pa këtë mrekulli të Hudit (a.s.) dhe nuk i besoi atij, u shkatërrua pikërisht me anë të erës. Kjo lloj ere, në Kuran përmendet me emrin “rih-i sar-sar”, pra “erë e fuqishme”.

  1. Ai e kthente leshin në ibërshim (mëndafsh i shndritshëm).
  2. Në shirat e dendur nuk mund të bëhej udhëtim. Prandaj, Hudi (a.s.), u lut dhe nëpër udhë u formuan strehë ku njerëzit prisnin derisa mbaronte shiu dhe pastaj vazhdonin udhëtimin.

Disa nga mësimet që duhen marrë nga historia e Hudit (a.s.), janë:

Hudi (a.s.), ishte një njeri i matur, i cili vepronte me sinqeritet në rrugën e Allahut. Ai e peshonte çdo fjalë, pastaj e thoshte. Ashtu siç nuk i përgjigjej të keqes me të keqe, ai sillej butësisht edhe me atë që i bënte keq. Kur populli i tij e akuzoi si të çmendur, ai mjaftohej vetëm duke u thënë se nuk ishte i çmendur dhe se Allahu e kishte dërguar për t’i paralajmëruar. Ai u kujtonte atyre mirësitë që u kishte dhënë Allahu dhe u thoshte se duhej t’i bindeshin Allahut si falënderim për këto mirësi. Dhe, në këmbim të gjithë këtyre shërbimeve, ai nuk kërkonte asnjë lloj pagese prej tyre.

 

Share.

Leave A Reply