Hudhejfe ibn Jemani (r.a.), ishte një sahab i cili njihej si mbajtësi i sekreteve të Resulullahut (s.a.s.)… Ngaqë Resulullahu (s.a.s.), e dinte se ai kishte një karakter që e mbante sekretin, i pati treguar për ngjarjet dhe përçarjet që do të ndodhnin në këtë botë. Përveç të tjerash, i pati treguar edhe për hipokritët që jetonin në atë kohë.
Hudhejfe ibn Jemani (r.a.), i cili i përkiste fisit Beni Abs, erdhi së bashku me babanë e tij të moshuar në Medine dhe u bënë të dy myslimanë. Prej asaj kohe nuk u nda më nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe jetoi si mbajtësi i sekreteve të tij.
Ai kishte një zgjuarsi të mprehtë dhe një aftësi të madhe konceptimi. Në lidhje me hadithet vepronte me gjakftohtësi dhe i zgjidhte problemet duke i përpunuar shpejt mendimet. Hudhejfe (r.a.), i mbante shumë sekretet. Askush nuk mund ta bënte që të nxirrte ndonjë sekret.
Zgjuarsinë praktike, aftësinë, përvojën, trimërinë dhe heroizmin e tij i shohim në luftën e Hendekut. Ai tregon si më poshtë:
“Ushtria e politeistëve ishte në anën e sipërme, ndërsa çifutet Beni Kurejdha ishin në anën tonë të poshtme. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, u ngrit natën dhe erdhi te unë. Ne po qëndronim në vendin ku gjendeshim, duke u mbuluar me copa për shkak të të ftohtit të acartë dhe tmerrit të natës. Ndërkohë ishim edhe të uritur. Errësirë dhe erë të fortë si atë natë nuk kam parë ndonjëherë përgjatë jetës sime. Kishte aq shumë errësirë, saqë nuk i shikonim dot majat e këmbëve. Edhe era po frynte shumë furishëm.
Atë natë Resulullahu (s.a.s.), më ngarkoi mua me detyrën për të kontrolluar gjendjen e mushrikëve dhe për ta njoftuar në lidhje me këtë. Unë dola jashtë. Ndërkohë kisha edhe frikë, edhe ftohtë. Kur Pejgamberi (s.a.s.), më përcolli, u lut:
“O Allah! Ruaje nga përpara, nga prapa, nga e djathta, nga e majta, nga lart dhe nga poshtë!”
Në ato momente frika që kisha brenda, mu largua. Në trup nuk ndjeja më të ftohtë. Pas pak më tha: “Hudhejfe!.. Derisa të vish te unë, mos bëj asgjë! Mos gjuaj as me shigjetë, as me gurë. Mos gjuaj me heshtë dhe mos e përdor shpatën.”
Në errësirën e natës depërtova te ushtria e politeistëve. Hyra ndërmjet tyre dhe u ula. Pas pak Ebu Sufjani u ngrit në këmbë dhe tha: “O kurejshë! Të gjithë le të kenë kujdes se kë kanë pranë, sepse do t’ju them diçka.”
Unë menjëherë i kapa dorën atij që kisha në të djathtë dhe atij që kisha në të majtë. Duke i pyetur se kush ishin, nuk u dhashë mundësi që të më njihnin.
Ebu Sufjani e vazhdoi fjalën: “O kurejshë! Siç e shikoni, furtuna e fortë e shkatërroi çdo gjë. Kuajt dhe devetë kanë filluar të ngordhin. Le të nisemi menjëherë dhe ta lëmë këtë vend. Ja, unë po largohem.” Pasi tha këto fjalë, i hipi devesë së tij.
Ushtria e politeistëve u mblodh në atë gjendje të dërrmuar dhe u nis në drejtim të Mekës. Unë i dëgjoja gurët e çakllit që binin në kokat e tyre për shkak të furtunës. Po të mos më kishte thënë i Dërguari i Allahut (s.a.s.), që të mos bëja asgjë derisa të kthehesha, mund ta kisha vrarë atë me një shigjetë. U ktheva dhe shkova te Resulullahu (s.a.s.). I tregova për atë që ndodhi ndërmjet mushrikëve. Kur Pejgamberi ynë i nderuar po i dëgjonte këto fjalë, buzëqeshte. Prej fytyrës së tij kuptohej krejt qartë se ishte shumë i gëzuar. Ai po falënderonte Allahun.”
* * *
Hudhejfe ibn Jemani (r.a.), nuk pati marrë dot pjesë në luftën e Bedrit. Në luftën e Uhudit pati marrë pjesë së bashku me babanë e tij të moshuar. Babai i tij ishte i përmalluar për të rënë dëshmor. Ata sapo kishin ardhur në Medine. Për këtë arsye, nuk njiheshin nga të gjithë. Kur lufta u ashpërsua dhe çdo gjë u bë rrëmujë në luftën e Uhudit, u martirizua prej shpatave të myslimanëve për shkak se nuk njihej.
Hudhejfes (r.a.), deshën t’i jepnin shpagimin për të, por ai nuk e pranoi atë dhe tha: “Në fakt ai dëshironte të binte dëshmor. O Allah! Ji dëshmitar! Unë ua kam falur myslimanëve të tjerë shpagimin e tij.” Në këtë mënyrë, nuk pranoi shpagim për babanë. Ky veprim i pjekur i tij i pëlqeu shumë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).
* * *
Përsëri tregon Hudhejfe:
Një ditë e pyeta të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), për përçarjet që do të ndodhnin në të ardhmen duke i thënë:
“O i Dërguari i Allahut! A do të vijnë përsëri ditë të këqija pas këtyre ditëve të lumtura?” Ai mu përgjigj:
“Po, do të vijnë.” Unë e pyeta përsëri:
“A do të vijnë ditë të mira pas këtyre ditëve të këqija?” Ai mu përgjigj:
“Po, do të vijnë, por ajo kohë do të jetë e turbullt.” Unë i thashë:
“Çfarë do të thotë turbullim?” Resulullahu (s.a.s.), mu përgjigj:
“(Turbullimin do ta shkaktojnë) ata njerëz që nuk i përmbahen rrugës sime. Ata do të bëjnë edhe ibadete, edhe mëkate.” Unë e pyeta:
“A do të ketë përsëri ditë të këqija?” Ai më tha
“Po, do të ketë prej atyre që do të ftojnë te dyert e xhehenemit. Ata që ua vënë veshin atyre, do t’i hedhin në xhehenem.” Unë i thashë:
“O i Dërguari i Allahut! Çfarë njerëzish do të jenë ata?” Pejgamberi ynë i nderuar ma ktheu:
“Ata do të jenë njerëz si ne. Ata do të flasin si ne.” Unë prapë e pyeta:
“Çfarë më urdhëroni të bëj nëse arrij kohën e tyre?” Hz. Pejgamberi më tha:
“Ndiq xhematin e myslimanëve!”
Çfarë ditësh që kanë ardhur e kanë kaluar!.. Kush e di se çfarë ditësh të tjera do të vijnë e do të kalojnë… Allahu Teala na ruajt prej atyre ditëve me përçarje! Zoti (xh.xh.), na e mundësoftë të ecim në rrugën e Kuranit dhe Sunetit, të ndjekim xhematin e myslimanëve dhe të mos ndahemi prej njerëzve të devotshëm! Amin!
* * *
Ebu Bekri, radijall-llahu anh, e emëroi Hudhejfe ibn Jemanin (r.a.), komandant të ushtrisë që u dërgua kundrejt dezertorëve të fesë në Uman. Omeri (r.a.), e pati thirrur në Medine dhe e pati futur në komisionin e konsultimit. Hudhejfe ibn Jemani (r.a.), mori pjesë edhe në luftërat në anët e Mezapotamisë. Ai mori pjesë edhe në çlirimin e Irakut dhe Iranit. Gjithashtu u gjend edhe në ushtrinë që çliroi Hamedanin, Rejin dhe Dejnurin.
* * *
Omer ibn Hattabi (r.a.), i besonte shumë atij. Një ditë e pyeti nëse kishte ose jo hipokritë ndërmjet punonjësve të shtetit. Hudhejfe (r.a.), i tha se njëri prej tyre ishte hipokrit. Edhe pse Omeri (r.a.), këmbënguli që t’ia tregonte, ai prapë se prapë nuk ia tha emrin e tij. Deshi Allahu që Omeri (r.a.), ta gjente vetë atë hipokrit dhe t’i jepte fund detyrës së tij.
* * *
Kur Omeri (r.a.), e caktoi Hudhejfe ibn Jemanin (r.a.), si prefekt në kohën e kalifatit të tij, shkroi në fermanin që i dërgoi popullit të Medajinit: “Dëgjojani fjalën, bindjuni dhe jepjani atë që u kërkon!” Kur Hudhejfe (r.a.), arriti atje, populli e pyeti:
“Çfarë dëshironi, në mënyrë që t’jua japim?” Ai u tha atyre:
“Kërkoj ushqim për vete dhe për kafshën time përderisa të gjendem ndërmjet jush.”
* * *
Hudhejfe me këtë përgjigje deshi t’ua bënte të qartë atyre se në zemrën e tij nuk gjendej dashuri ndaj kësaj bote dhe pasurisë. Kur u kthye në Medine, nuk kishte asgjë më tepër se sa kur kishte shkuar në Medajin. Për këtë arsye, Omeri (r.a.), e përqafoi, e lavdëroi dhe shfaqi dashuri ndaj tij, duke i thënë: “Ti je vëlla im. Unë jam vëllai yt.”
Sa ditë të lumtura që ishin ato ditë!.. Atë kohë nuk iu dha rëndësi pasurinë e pronave… Interesat e kësaj bote nuk ishin në plan të parë… Ndërsa ditët e sotme kanë shumë fitne… Njerëzit janë të prirë pas pasioneve, mëkateve, epsheve dhe interesave… Dashuria ndaj kësaj bote ka kapluar çdo anë… Një njeri i devotshëm këto gjëra duhet t’i konsiderojë gjithmonë kurthe… Ai nuk duhet t’u bëjë vend në zemrën e tij dashurive të përkohshme… Besimtari i devotshëm nuk duhet të kaplohet nga sëmundja e shekullarizmit…
* * *
Në kohën e Osmanit (r.a.), Hudhejfe u dërgua për çlirimin e Azerbajxhanit dhe Armenisë. Ai vuri re se Kurani Fisnik aty këndohej në dialekte të ndryshme. Për këtë arsye, i propozoi Hz. Osmanit që ta shumonte Kuranin me dialektin e kurejshve. Ky propozim u pranua dhe Kurani Fisnik u shumua. Pastaj u dërgua në qendrat e caktuara.
Hudhejfe ibn Jemani (r.a.), ka transmetuar më shumë se njëqind hadithe. Ai ndërroi jetë në vitin 656 e.s. pas martirizimit të Hz. Osmanit.
Allahu qoftë i kënaqur prej tij!
Allahu i Lartësuar na e mundësoftë të gjithëve të bëhemi besimtarë të devotshëm që i mbajnë sekretet dhe që nuk ndahen nga rruga e Kuranit e Sunetit në periudha përçarjesh si Hudhejfe ibn Jemani (r.a.)! Zoti (xh.sh.), na bashkoftë në xhenet me këtë njeri yll i cili ishte mbajtësi i sekreteve të të Dërguarit ta Allahut (s.a.s.)! Amin!