Luftërat e bëra në muajt e ndaluar, arabët i quanin mes tyre “luftëra fixhar”, “luftëra mëkatare”. Luftërat fixhar kanë ndodhur katër herë. Në luftën e katërt të zhvilluar mes fiseve Kurejsh dhe Kinane, nga njëra anë, dhe fisit Hevazin, nga ana tjetër, pati marrë pjesë edhe Profeti (s.a.s.).

Ai pati marrë pjesë gjithmonë vetëm në anën e së drejtës, në krah të të drejtit dhe viktimës. Në këtë luftë ai mori pjesë në moshën njëzetvjeçare, së bashku me të ungjit, por nuk derdhi gjakun e askujt. Vetëm mblodhi shigjetat e hedhura nga armiku dhe ua dha të ungjve.

Pas kthimit nga kjo luftë, në muajin Dhilkade që ishte njëri nga muajt e ndaluar, një jemenas i fisit Zubejd pati sjellë në Mekë mall tregtie për ta shitur. As bin Vail nga parësia e Kurejshve e bleu mallin por nuk ia dha paratë të zotit të mallit. Ai iu drejtua për ndihmë kryetarëve të familjeve të shquara të Mekës, Abduddar, Mahzum, Xhumah, Sehm dhe Adij bin Ka’b. Por ata, në vend që ta ndihmonin viktimën, e vunë në lojë dhe i dolën krah As bin Vailit.

I mbetur në gjendje të pashpresë, duke përfituar nga një rast kur parësia Kurejshe ishin mbledhur dhe ulur përreth Qabes, viktima u ngjit në kodrën Ebu Kubejs dhe recitoi një vjershë duke thirrur: “O fisnikët Fihr!” Ai shpalli padrejtësinë dhe dhunën që i ishte bërë dhe kërkoi ndihmë. Personi i parë që u hodh në veprim për ndihmë, qe ungji i Profetit, Zubejri. Së bashku me parësinë Kurejshe, u mblodhën në shtëpinë e Abdullah bin Xhuda-it.

Abdullai u shtroi bukë. Pas buke ata u morën vesh mes tyre “për ta mbrojtur viktimën kundër përdhunuesit gjersa haku të shkonte te i zoti”. Ata u betuan se do t’i mbeteshin besnikë marrëveshjes “gjersa në dete të mbetej aq ujë sa për ta lagur një qime dhe gjersa malet Hira dhe Sebir të ndodheshin në këmbë”!

Organizata Hilful Fudul e nisi veprimtarinë duke marrë nga As bin Vaili të drejtën që i takonte jemenasit nga fisi Zubejd. Më pas, kjo organizatë u shkoi në ndihmë shumë vetëve që kishin pësuar padrejtësi në Mekë dhe bëri përpjekje për vendosjen e drejtësisë.89

Hilful Fudul është e vetmja organizatë e kohës pagane paraislamike që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ka miratuar dhe ka marrë pjesë në të. Sepse kjo ishte një organizatë që mbronte drejtësinë. Ajo ishte ngritur për ta penguar padrejtësinë dhe dhunën. Pas profetësisë, Profeti (s.a.s.) është shprehur kështu për këtë organizatë:

“Kam marrë së bashku me ungjit e mi pjesë në Hilful Fudul në shtëpinë e Abdullah bin Xhuda-së. Aq i kënaqur mbeta nga ai kuvend, sa nuk do të mbetesha i kënaqur e i gëzuar edhe sikur të më falnin deve të kuqe në vend të tij! Edhe sikur të thirresha përsëri sot për një marrëveshje të tillë, do të merrja pjesë!” (Ibni Kethir, el-Bidaje, II, 295)

Share.

Comments are closed.