Hazreti Hamzai (r.a.), i cili njihej si “luani i Allahut” dhe “i nderuari i dëshmorëve”, ishte xhaxhai i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)… Ai ishte mbajtësi i parë i flamurit të Islamit… Heroi i patrembur i mejdaneve të luftës… Mbajtësi i flamurit të dëshmorëve të Uhudit…

I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, e donte shumë atë, sepse ai nuk ishte vetëm xhaxhai i tij, por në të njëjtën kohë ishte edhe vëllai i qumështit dhe shoku i tij i fëmijërisë. Të dy qenë rritur së bashku, patën lozur së bashku dhe patën jetuar si vëllezër. Hz. Hamzai (r.a.), përgjatë gjithë jetës ka qenë miku i ngushtë i Pejgamberit tonë të nderuar.

Ai ishte i njohur ndërmjet kurejshve me trimërinë dhe heroizmin e tij. Hamzai (r.a.), ishte më trimi i të rinjve të Mekës. Ai e shikonte moralin e lartë të birit të vëllait të tij. Andaj e respektonte dhe e donte me gjithë zemër. Për këtë arsye, kishte një mall të madh për t’i besuar Pejgamberit (a.s.) dhe për t’ju bashkuar karvanit të tij, por presioni i zakoneve e i traditave dhe thashethemet e qortimet e njerëzve ndikonin në marrjen e këtij vendimi. Çdo gjë ka një kohë të caktuar. Edhe ai priste kohën e tij. Kjo ngjarje u bë shkak që ai të nderohej me Islam:

Një ditë, kur Pejgamberi ynë i dashur po qëndronte në kodrën Safa, aty kaloi Ebu Xhehli dhe e ofendoi. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), nuk i tha asgjë, por heshti. Shërbëtorja e Abdullah ibn Xhud’anit i dëgjoi këto fjalë. Në ato momente Hz. Hamzai po kthehej nga gjuetia. Siç vepronte gjithmonë, para se të shkonte në shtëpi, shkoi në Haremin Sherif për të bërë tavaf Qabenë. Kur shërbëtorja e Abdullahut e pa atë, i tregoi për fjalët që Ebu Xhehli i kishte thënë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Hamzai(r.a) akoma nuk ishte bërë mysliman, por, kur dëgjoi ofendimet që ia kishin bërë birit të vëllait të tij, nuk duroi dot dhe u zhyt ndërmjet kurejshve me një zemërim të madh. Ebu Xhehli po qëndronte me shokët e tij. Hamzai(r.a) i shkoi pranë dhe i gjuajti me hark në kokë duke i thënë: “Ti je ai që ka ofenduar nipin tim!”

Shokët e Ebu Xhehlit deshën ta sulmonin Hamzanë(r.a). Pothuajse po shkaktohej një grindje e madhe. Ebu Xhehli i ndaloi shokët e tij duke u thënë: “Mos e prekni!.. Hamzai ka të drejtë, sepse unë i kam thënë fjalë të këqija birit të vëllait të tij.” Në këtë mënyrë, e largoi Hamzain (r.a.). Pastaj u kthye nga ata që kishte pranë dhe e shfryu mllefin duke thënë: “Aman mos e prekni atë. Përndryshe me këtë zemërim do të shkojë dhe do të bëhet mysliman. Nëse ndodh kjo, pasuesit e Muhamedit do të forcohen me të.”

Koka më problematike e shirkut, Ebu Xhehli nuk deshi të merrte hak prej Hamziat (r.a.), edhe pse i kishte rënë kokës, në mënyrë që të mos e bënte atë të bashkohej me sahabët e Muhamedit (s.a.s.). Por kur Allahu Teala dëshiron mirësi për një rob, asnjë i padrejtë nuk mund ta ndalojë.

* * *

Hamzai (r.a)pas kësaj ngjarjeje shkoi drejt e në vendin ku gjendej i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ai u takua me të dhe i tregoi për ato që i kishin ndodhur me Ebu Xhehlin. Hamzai (r.a.), deshi ta ngushëllonte Pejgamberin tonë të nderuar duke i thënë se ia kishte marrë hakun. Resulullahu, alejhi’s-selam, i tha xhaxhait të tij:

“Çfarë pune kam unë me hakmarrjen?” Pastaj shtoi duke i thënë se “mund të ngushëllohej dhe të bëhej i lumtur vetëm nëse do të besonte.” Tashmë kishte ardhur koha. Xhaxhai i dashur, Hamzai (r.a.), tha shehadetin dhe hyri në Islam. Pasi ai pranoi Islamin, myslimanët u forcuan me të. Ai i njoftoi kurejshit se këtej e tutje do ta merrte nën mbrojtje të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).

* * *

Myslimanit të parë që i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i ka dhënë flamur në dorë, është Hazreti Hamzai (r.a.). Ai shfaqi heroizma legjendare në luftën e Bedrit dhe të Uhudit. Kur dilte në mejdanin e luftës, e vriste armikun me një të goditur dhe zhytej në mes të ushtrisë së kurejshve. Askush nuk kishte mundësi ta ndalonte atë. Atë kohë luftërat bëheshin duke luftuar një me një.

Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), tha në luftën e Bedrit: “Çohu, o Ubejde! Çohu, o Hamza! Çohu, o Ali!”, të tre së bashku u ngritën si luanët dhe u hodhën në mejdanin e luftës.

Ubejde (r.a.), ishte kundër Utbes prej kurejshve, Hz. Hamzai (r.a.), ishte kundër Shejbes dhe Hz. Aliu (r.a.), ishte kundër Velidit. Këta ishin më trimat e arabëve. Hz. Ubejde dhe Utbja i gjuajtën disa herë njëri-tjetrit dhe e plagosën njëri-tjetrin. Asnjëri nuk e vrau dot tjetrin. Ndërsa Hamzai (r.a.) dhe Aliu (r.a.), i vranë armiqtë e tyre me një të goditur. Ata shkuan te Ubejde (r.a.), e ndihmuan dhe i dhanë fund punës së Utbes.

Hamzai (r.a.), shfaqi heroizma të mëdha edhe në luftën e Uhudit. Ai në këtë luftë vrau më shumë se tridhjetë prej ushtarëve të kurejshve. Ndërsa vetë mori më shumë se njëzet plagë. Por ja që tashmë do të realizohej ajo që ishte e shkruar në kader. Jeta e tij e përkohshme do të merrte fund aty. Kështu e kishte pasur të shkruar Hz. Hamzai. Heshta që i gjuajti Vahshiu, iu ngul në zemër. Hamzai (r.a.), u rrëzua përtokë dhe ra dëshmor. Në këtë mënyrë, Hz. Hamzai që i vuri vulën Uhudit, pothuajse u bë njësh me Uhudin. Uhudi e donte atë dhe ai e donte Uhudin. Kurdo që bëhet fjalë për Uhudin, kujtohet edhe “Sejjidu’sh-Shuheda” Hamzai (r.a.)

Pas luftës i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, zbriti në luginën e Uhudit për të parë dëshmorët. Ai i pa në fytyrë një nga një sahabët e tij. Kur pa trupin e copëtuar të xhaxhait të tij, shtrëngoi dhëmbët, mbylli sytë dhe qau shumë. Hz. Pejgamberi nuk mund ta pranonte kurrë që njerëzimi të kishte rënë deri në këtë gradë sa ta bënte këtë barbarizëm. Si mund t’ia copëtonin organet e brendshme një të vdekuri? Si mund t’ia copëtonin sikur të ishin duke prerë mish kafshe?

Ai nuk e përballoi dot këtë gjendje të xhaxhait të tij të shtrenjtë. Për këtë arsye, u mori besën sahabëve për hakmarrje. Por ja që një pejgamber nuk mund të veprojë siç mendon vetë. Fjalët dhe veprimet e tij janë nën kontrollin e shpalljes hyjnore. Allahu Teala e qetësoi me këta ajete fisnike Pejgamberin tonë të dashur të cilit i ishte copëtuar zemra prej kësaj ngjarjeje:

“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, i di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë. Nëse ndëshkoni, ndëshkoni aq sa jeni ndëshkuar, por, nëse duroni, kjo është më e mira (rrugë) për të durueshmit. Prandaj duro! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Mos u pikëllo për ta e mos u ngushto për shkak të dredhive të tyre! Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” (Nahl, 125-128)

Zbritja e këtyre ajeteve në këtë vend pas kësaj ngjarjeje, ishte nderimi më i mirë që Allahu Teala bëri për të nderuarin e dëshmorëve, Hamzain (r.a.).

Hamzai (r.a)do të kujtohet deri në kiamet si mbajtësi i flamurit të dëshmorëve të Uhudit dhe xhaxhai i të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam. Për çdo vit atë e vizitojnë me miliona myslimanë dhe i japin selam duke i thënë:

“Esselamu alejke ja Sejjide’sh-Shuhedai Uhud!.. Esselamu alejke ja amme’rr-Rrasul!.. Esselamu alejke ja Sejjide’sh-Shuheda!.. Esselamu alejke ja Hazreti Hamza!..

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu na mundësonte që të marrim mësim nga trimëria dhe heroizmi i të nderuarit të dëshmorëve! Na mundësoftë që ta vizitojmë atë sa më shpesh dhe na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.