Halid ibn Velidi (r.a.), ishte një hero që njihej me llagapin “Sejfu’ll-llah/Shpata e Allahut”… Ai ishte një trim që nuk kishte konsideratë për jetën e tij që kishte jetuar para Islamit… Ai u bë mysliman në vitin e 8-të të hixhretit (630 e.s.). Halidi (r.a.), hyri në Islam në këtë mënyrë:

Vëllai i tij, Velidi, i cili gjendej ndërmjet robërve në luftën e Bedrit, pasi pagoi vlerën e lirimit nga robëria dhe u kthye në Mekë, u bë mysliman. Pastaj bëri hixhret në Medine për të jetuar Islamin. Velidi herë pas here i shkruante letër vëllait të tij, Halidit dhe i tregonte për kënaqësinë që merrte nga bashkimi i tij me të Dërguarin e Allahut, nga kuvendet e Hz. Pejgamberit dhe nga mirësitë e njerëzve që e rrethonin. Velidi përpiqej që edhe vëllai i tij, Halidi të bëhej mysliman dhe të arrinte prehjen shpirtërore.

Një ditë Resulullahu (s.a.s.), i tha Velidit: “Ku është Halidi? Një hero si ai nuk bën që të mos e njohë Islamin. Ah sikur t’i shfaqte kundrejt politeistëve përpjekjet dhe heroizmat e tij!..” Kur Halidi u njoftua për këtë lavdërim të Profetit (a.s.), ndjeu në zemër një ngrohtësi të madhe ndaj Islamit. Por prapë se prapë vazhdoi në prirjen e tij kundër fesë. Kur Velidi (r.a.), shkoi në Mekë për umre, nuk e gjeti Halidin në shtëpi. Ai i shkroi një letër atij të cilën e përfundoi me këto fjali: “…Ke humbur shumë mundësi. Andaj mos u vono edhe më shumë…”

Kur Halidi e lexoi këtë letër, vendosi që të hynte në Islam. Ai shkoi nga Meka në Medine së bashku me Osman ibn Talhanë dhe Amr ibn Asin. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i priti ata me një buzëqeshje që shndrinte dhe i lavdëroi duke u thënë sahabëve: “Meka ua dërgoi të zgjedhurit e saj.” Kur Halidi doli në audiencën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), tha menjëherë shehadetin duke u shprehur: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se ti je rob dhe i Dërguari i Allahut.” dhe u bë mysliman. Profeti ynë i nderuar tha: “Falënderimi qoftë për Allahun i Cili të udhëzoi!”

Halid ibn Velidi (r.a.), i kërkoi Hz. Pejgamberit që të lutej për faljen e mëkateve të tij. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), ia qetësoi zemrën duke i thënë këtë dispozitë:

“Islami i fshin mëkatet që janë bërë më parë.”

* * *

Në atë moment Halid ibn Velidi (r.a.), u gjallërua sikur të kishte lindur në atë çast. Në zemër ndjeu një emocion të madh dhe në trup ndjeu një prehje e lehtësim.

Halid ibn Velidi (r.a.), mori pjesë në luftën e Mu’tes për herë të parë si hero i Islamit. Atë ditë në dorën e tij u thyen nëntë shpata. Ai së bashku me ushtrinë islame prej tre mijë vetash e shpartalluan ushtrinë bizantine prej njëqind mijë vetash. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), po qëndronte me sahabët e tjerë në xhami. Ai po i shikonte heroizmat e Halidit dhe ecurinë e luftës sikur t’i kishte para syve. Sahabëve u thoshte:

“Ja, flamurin e mori Zejdi. Ai ra dëshmor. Tani e mori Xhafer ibn Ebi Talibi. Edhe ai ra dëshmor. Këtë herë e mori Abdullah ibn Revaha. Edhe ai ra dëshmor. Që të tre hynë në xhenet.” Ndërkohë që lotët po i rridhnin nga sytë e bekuar, këtë herë dha sihariqin:

“Flamurin e mori një shpatë prej shpatave të Allahut. Më së fundi Allahu ua lehtësoi çlirimin muxhahidëve.” Halid ibn Velidit (r.a.), këtu iu dha llagapi “Sejfu’ll-llah/Shpata e Allahut”.

* * *

Heroizmat e Halid ibn Velidit (r.a.), i shohim edhe më shumë në luftën e Jemames, në çlirimin e popujve të Irakut dhe Sirisë, në luftën e Shamit, Busrës, Humusit dhe Jermukut.

Ebu Bekr es-Siddik (r.a.), ka thënë për Halid ibn Velidin (r.a.): “Gratë nuk mund të lindin më një trim si Halidi.” Fjalimi që Halidi u mbajti mbi kalë ushtarëve, është shumë i bukur dhe mjaft mësimdhënës si një shembull heroizmi dhe trimërie. Ai u tha ushtarëve si më poshtë:

“Ushtarë! Unë e di që ju e doni vdekjen aq sa bizantët duan jetën. Ja, në njërën dorë kam shpatën e sheriatit. Përpara meje qëndron flamuri i Muhamedit (s.a.s.). Andaj ju ftoj për “I’laji kelimetull-llah/ për ta lartësuar fjalën e Allahut.

Sot zërat Allah-Allah të muxhahidëve do t’i mbushin me tmerr veshët e armiqve.

Dridhjet e trupit tim të cilit akoma nuk i janë shëruar plagët dhe rrahjet e zemrës kurrë nuk mund të më ndalojnë nga hyrja në këtë luftë.

Ejani, t’ju shoh tashmë, o luanët e fesë!.. Le të shfaqim sakrificë dhe t’ua tregojmë të gjithë njerëzve të kësaj bote profecinë e vërtetë të të Dërguarit të Allahut dhe sublimitetin e fesë sonë.

Frika nga vdekja nuk ka asnjë dobi për jetën. Qëllimi ynë nuk janë bahçet e xhenetit dhe shtëpitë e larta të kësaj bote, por është vetëm fitimi i kënaqësisë së Allahut. Përparoni! Le të jehojnë këta shkëmbinj me emrin e Allahut!..

Sot bota islame po shikon shpatat tuaja. Jam i sigurt se sytë që kanë parë të Dërguarin e Allahut, nuk kanë frikë nga vdekja. Mendoni për trimërinë e Pejgamberit. Ja, së pari po shkoj vetë drejt flijimit. Unë nuk mund ta mendoj një besimtar që nuk më vjen nga pas!..”

* * *

Hazreti Halidi ia dedikoi shërbimeve fetare të gjithë jetën e tij, ngaqë vuante prej mundësive që kishte humbur para se të bëhej mysliman. Veten ia përkushtoi lartësimit të Islamit. Sipas tij nuk kishte ndryshim ndërmjet të qenët komandant apo ushtar, sepse që të dy ishin shkak për kryerjen e detyrës kundrejt Allahut që i kishin besuar dhe Pejgamberit që i kishin dhënë besën. Këtë modesti dhe sinqeritet e shohim qartë kur Omeri (r.a.), e hoqi nga detyra e komandantit.

Kur Omeri (r.a.), u bë kalif, shkroi një letër me të cilën emëroi Ebu Ubejde ibn Xherrahin (r.a.), si komandant në vend të Halid ibn Velidit (r.a.). Kur Halidi filloi të dëgjonte thashetheme ndërmjet ushtarëve për këtë ndryshim, u përpoq që t’i qetësonte ata duke u shprehur me këto fjalë:

“O ushtarë të nderuar! Qëllimi ynë është lartësimi i fjalës së Allahut dhe jo të qenët komandanti i ushtrisë. Unë kam marrë pjesë në të gjitha këto luftëra jo për t’u bërë komandant i ushtrisë, por vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut Teala.

Për këtë arsye, ju këshilloj që të mos bini në kontradikta, në mënyrë që të përfitojë armiku ynë. Këtej e tutje dëshiroj ta flijoj veten për hir të fesë sonë sublime si një ushtar.” Ai ua bëri të qartë të gjithëve se tashmë ishte vetëm një ushtar. Pra, përpjekjen që kishte dhënë si komandant kur i bindeshin të gjithë, tashmë kishte për ta dhënë si ushtar që i bindet komandantit.

* * *

Hz. Halidi (r.a.), u sëmur në Humus më 642 e.s. dhe filloi të dergjej në shtrat. Kur heroi i patrembur i mejdaneve të luftës e ndjeu se tashmë nuk mund të shërohej dhe se po jetonte momentet e fundit të jetës, u ngrit menjëherë dhe u drejtua. Ai u mbështet te shpata në shtrat dhe tha këto fjalë që ta dridhnin trupin:

“Shumë shpata janë thyer në dorën time. Andaj më brengos shumë fakti se do të vdes në shtrat.

Asnjë sahab i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), nuk ka vdekur i qetë në shtrat. Ata kanë rënë dëshmorë në mejdanet e luftës ose nëpër vende të largëta duke përhapur Islamin.

Ah Halid!.. Ah Halid!.. A kështu në shtrat do të ishte fundi i jetës së dikujt që ka kalëruar nëpër mejdanet e luftës përgjatë gjithë jetës?” Pastaj u drejtua edhe pak duke u mbështetur te shpata dhe dha këto këshilla:

“Vdekjen do ta pres në këmbë sikur të isha në luftë. Kur të ndërroj jetë, kalin tim jepjani një trimi që zhytet në rreziqe përgjatë luftërave. Unë do të vdes pa pasur asgjë përveç kalit dhe shpatës. Varrin ma hapni me këtë shpatë. Heronjtë marrin kënaqësi nga zhurma e shpatës.” Pasi tha këto fjalë, filloi të dridhej dhe ra në shtrat. Ai u shpërngul në botën e përhershme me mallëngjimin e hingëllimës së kalit dhe zhurmave të shpatës nëpër mejdanet e luftës.

* * *

Halid ibn Velidi (r.a.), nuk la asgjë prej pasurisë së kësaj bote të cilën njerëzit e fitojnë dhe posedojnë duke punuar. Ai la pas vetëm kalin dhe armën. Hz. Halidi e kaloi jetën e tij duke rëndur nga fitorja në fitore mbi kurrizin e kalit për të lartësuar fjalën e Allahut (xh.xh.). Por ja që caktimi hyjnor ia mori shpirtin në shtrat. Ai e dha frymën e fundit duke ndjerë mallëngjim për zhurmat e shpatave e hingëllimat e kuajve dhe duke u mbështetur në shpatën e tij.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu i Lartësuar na dhëntë edhe neve prej trimërisë dhe shpirtit hero që i pat dhënë Halid ibn Velidit! Na bëftë prej atyre që përpiqen për lartësimin e Islamit!.. Gjithashtu na bashkoftë të gjithëve në xhenet me Sejfullahun! Amin!

Share.

Comments are closed.