Në Mekë pati ndodhur një shtrëngatë, një përmbytje dhe Qabja qe dëmtuar mjaft. Pas kësaj, fiset vendosën të punonin së bashku për ta meremetuar Qaben. Ata vendosën ta shembnin gjer në themele dhe ta ngrinin nga e para.

Në këtë mes, u muar vesh se, për shkak të një ere të fortë, një anije ishte përplasur në skelën Shuajbe në afërsi të Mekës dhe ishte copëtuar. Anija transportonte material ndërtimi si gurë shtufi të rrafshtë, qereste dhe hekur. Ata shkuan gjer në skelë dhe e blenë qerestenë. Pastaj i ndanë me short punët e shembjes dhe rindërtimit të Qabes.

Kur Kurejshët do ta shembnin pjesën që u takonte dhe do të fillonin rindërtimin e saj, Ebu Vehb bin Amr u ngrit në këmbë dhe tha:

“O Kurejshë! Mos përzjeni në ndërtimin e Qabes atë gjë që s’është fituar në mënyrë të pastër e të bekuar! Në të të mos futet mall i fituar me rrugë të paligjshme, para kamate ose para e marrë pa të drejtë nga ndonjëri kushdo qoftë ai!” (Ibni Hisham, II, 210; Ibni Kethir, el-Bidaje, II, 305)

Kurejshët ishin të pavendosur për ta shembur Qaben nga frika se mos pësonin ndonjë ndëshkim të rëndë. Respekti dhe nderimi që ndjenin arabët ndaj Qabes buronte dhe ruhej si një detyrë e shenjtë që nga koha e ligjit të Ibrahimit (a.s.). Njëri nga parësia e Kurejshve, Velid bin Mugire, i pyeti:

“Cili është qëllimi juaj për shembjen e Qabes, për të mirë apo për të keqe?”

“Sigurisht që për të mirë!” – Iu përgjigjën Kurejshët.

Velidi vazhdoi:

“O fisi im! Me shembjen e Qabes, a nuk dëshironi ta rindërtoni dhe përmirësoni atë? Allahu i Lartë nuk i shkatërron përmirësuesit!”

Dhe e nisi vetë shembjen e Qabes. Pastaj e ndoqën edhe të tjerët. (Abdurrezak, V, 319)

Ata i ngritën muret e Qabes me një radhë gurë e me një radhë brezi prej ristelash. Në rindërtimin e Qabes mori pjesë edhe Profeti së bashku me të ungjin Abbas. Por, kur erdhi puna për ta vënë në vend Gurin e Zi, meqë secili fis kërkonte ta kishte vetë nderin për një gjë të tillë, u shkaktua një grindje e madhe. Mes tyre nisën konflikte të ashpra. Çështja u kthye në smirë dhe pasion. Ishte gati të derdhej gjak. Të bijtë Abduddar sollën një çanak plot me gjak, bënë marrëveshje me të bijtë Adij bin Ka’b se do të luftonin gjer në vdekje dhe u përgatitën për të luftuar. Dhe, për t’i përforcuar betimet e tyre, i ngjyen duart me gjak. Kjo gjendje e tensionuar vazhdoi për katër-pesë net.

Më në fund, më plaku i Kurejshve, Ebu Umejje, u foli me zë të lartë:

“O fisi im! Ne duam vetëm të mirë, nuk duam të keqe! Mos hyni në garën e zilisë për këtë gjë! Lëreni zënien! Meqë këtë çështje nuk mundëm ta zgjidhnim mes nesh, le ta caktojmë gjykatës mes nesh të parin njeri që ka për të hyrë tani nga porta e Qabes dhe ta pranojmë vendimin e tij!”

Dhe tregoi me dorë portën Beni Shejbe të Qabes.

Mu në ato fjalë u duk në portë Muhammedi. Fytyrën e secilit e mbuloi një buzëqeshje lehtësimi se ai që po hynte e që do të bëhej gjykatës mes tyre, ishte Muhammed Emini, Muhammedi i Besueshëm! Dashuria, respekti dhe besimi i Kurejshve për të ishte shtuar e forcuar çdo ditë e më tepër. Madje, edhe kur kishin ndonjë deve për ta therur, e kërkonin Profetin që shkonte dhe bënte lutje për begatimin e fitimeve të tyre!

Prandaj, sapo e panë, Kurejshët thanë:

“Ja, el-Emini! Të gjithë jemi dakord që ai të gjykojë mes nesh!”

Dhe ia treguan se si qëndronte çështja. Ai zgjodhi nga një person prej çdo fisi, pastaj hoqi mantelin e vet dhe e shtroi përdhe dhe urdhëroi që Gurin e Zi ta vendosnin në mes. Pastaj u tha njerëzve të zgjedhur prej çdo fisi që ta kapnin secili rrobën në një cep. Guri i Zi u bart nga të gjithë! Kurse në vend e vendosi Muhammedi me duart e tij. Kështu u parandalua një grindje e mundshme mes fiseve!

Sjellje të tilla të zgjuara e të virtytshme, morali i tij i përsosur dhe cilësi të tjera të larta që e karakterizonin Hz. Muhammedin atë kohë e që vlerësoheshin lart nga i gjithë opinioni, ishin për të shenjat e një profetësie me të cilën ai do të atribuohej “Mbreti i profetëve”, por që atë çast nuk njihej. Ndoshta nuk dihej ende se Muhammedi i lindur dhe rritur në Mekë do të bëhej profet, por disa njerëz të kulluar, të pandarë asnjëherë prej besimit monoteist, e dinin se do të vinte profeti i kohës së fundit dhe koha e ardhjes së tij ndihej se ishte afruar. Një nga këta ishte edhe Kuss bin Saide.

Share.

Comments are closed.