Në lidhje me këtë ngjarje, transmetohen versione të ndryshme, të cilat në përgjithësi janë marrë nga librat e vetë hebrenjve. Midis disa versioneve, në tefsirin e Ibn Kethirit, shënohet se: Muhammed ibn Xheriri ka thënë se, nga Ibn Abbasi transmetohet të ketë thënë kështu në lidhje me çështjen e lopës:

Në kohën e Musait (a.s.), jetonte një burrë i moshuar dhe shumë i pasur, por pa fëmijë. Ndërsa djemtë e vëllait të tij ishin shumë të varfër dhe prisnin që xhaxhai i tyre të vdiste, me qëllim që t’i trashëgonin pasurinë. Për shkak se plaku i moshuar nuk po vdiste, dy vëllezërit nuk po duronin dot më dhe thurën një plan për ta vrarë. Pasi e realizuan planin e tyre dhe e vranë, ata e hodhën trupin e xhaxhait të tyre midis dy fshatrave, me mendimin që të merrnin dëmshpërblim nga njëri prej fshatrave. Banorët e fshatit u betuan në Allahun se nuk e kishin vrarë ata. Për këtë arsye, populli shkoi drejt e tek Musai (a.s.), për të marrë gjykimin e tij. Pasi të dyja palët thanë versionin e tyre të ngjarjes, Musait (a.s.), i erdhi Xhebraili (a.s.) dhe i komunikoi urdhrin e Allahut për të prerë një lopë. Populli i tha Musait (a.s.):

“E ç’lidhje ka mes vrasësit dhe flijimit të lopës? A mos po tallesh me ne?”

Musai iu tha:

“Unë po ju komunikoj vetëm urdhrin e Zotit tim!”

Në Kuranin Fisnik, urdhërohet:

“Kujto kur Musai i tha kombit të vet:

«Allahu ju urdhëron të therni një lopë!» Ata thanë:

«A do të tallesh me ne?»

«Zoti më ruajt!» – tha Musai – «të bëhem unë nga të paditurit!».

Ata thanë: «Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë si duhet të jetë ajo!» Musai tha:

«Ajo të jetë një lopë as plakë, as e re, por e mesme; pra, bëni atë që ju është urdhëruar!» Ata thanë:

«Lutju Zotit tënd që të na shpjegojë çfarë ngjyre të ketë ajo!» Musai tha:

«Ai thotë se ajo duhet të jetë lopë me ngjyrë të verdhë të ndezur, të cilën e pëlqejnë shikuesit.» Ata thanë:

«Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë çfarë lloji të jetë, sepse lopët të gjitha na duken njësoj e ne, në dashtë Zoti, do të udhëzohemi në rrugën e drejtë.» Musai tha:

«Ai thotë se lopa s’duhet të jetë e lodhur nga lërimi apo nga ujitja e tokës, por të jetë e shëndoshë dhe pa asnjë të metë.». Ata thanë:

«Tani na the të vërtetën!»

Kështu, ata e therën lopën, por desh e lanë pa flijuar.” (Bekare, 67-71)

Ibn Abbasi, thotë se; nëse ata do të kishin gjetur menjëherë një lopë dhe do ta kishin therur, ajo do të mjaftonte si zbatimi i urdhrit të Allahut. Por, për arsye se ata filluan të pyesnin shumë dhe ta vinin në vështirësi Musain (a.s.), edhe Allahu i Madhëruar ua vështirësoi punën.

Në fakt, lopë me këto karakteristika, e gjetën tek një grua që jetonte me një fëmijë jetim (sipas disa versioneve, e gjetën tek një burrë i moshuar). Pronarja e lopës, u kërkoi një çmim shumë të lartë, gjë e cila i futi në vështirësi bijtë e Izraelit. Prandaj ata nuk pranuan ta merrnin dhe shkuan përsëri tek Musai (a.s.), i cili i tha pronares së lopës që t’ua shiste atyre. Sipas një versioni, më në fund, pronarja ua shiti lopën në këmbim të lëkurës së lopës të mbushur plot me florinj.

Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Pasi vratë një njeri e u grindët me njëri-tjetrin në lidhje me të, Allahu e nxori në shesh atë që fshihnit ju. Ne ju thamë:

«Prekeni të vrarin me një copë të lopës së flijuar!» Dhe kështu, Allahu do t’i ngjallë të vdekurit dhe do t’ju tregojë mrekullitë e veta, që ju të kuptoni. ” (Bekare, 72-73)

Padyshim se Allahu i Madhëruar ka fuqi t’i ngjallë të vdekurit pa përdorur metoda të tilla. E gjithë kjo, ishte një sprovë për atë popull të pagdhendur dhe kryeneç.

Më në fund, kur i ranë të vdekurit me një pjesë të lopës, ai u ngrit dhe e tregoi se kush e kishte vrarë. Më pas, ra prapë i vdekur. Më vonë, vrasësit u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan.

Nga kjo ngjarje, mund të nxjerrim këto mësime:

Nëse bijtë e Izraelit, do të kishin therur një lopë çfarëdo sapo erdhi urdhri i Allahut, puna do të kishte marrë fund dhe urdhri do të ishte zbatuar. Mirëpo, pyetjet e njëpasnjëshme që bënë, treguan se ata nuk donin ta zbatonin urdhrin. Në këtë mënyrë, çështja u rëndua vetvetiu dhe pas çdo kundërshtimi, vuajtjet e tyre vazhduan të shtohen. Kjo, tregon qartë se, një besimtar, duhet t’i zbatojë menjëherë urdhrat e të Dërguarit të Allahut. Përndryshe, vonimi dhe shtyrja e zbatimit të tyre, e ngarkon besimtarin me përgjegjësi dhe dënime më të mëdha. Pra, nuk duhen bërë pyetje të panevojshme, sepse çdo pyetje i shton pyetësit edhe më tepër përgjegjësi.

Për shkak se më parë adhuruan lopën si zot, bijtë e Izraelit u urdhëruan të bëjnë kurban një lopë, me qëllim që të kuptonin se tek lopa nuk gjendet asnjë veti hyjnore. Kjo, sepse njeriu, për shkak të nevojës për të besuar, ndonjëherë mashtrohet nga ndjenjat e tij për të adhuruar dhe mund të hyjë në devijimin i cili e shpie atë të kërkojë Zotin brenda dimensionit dhe botëkuptimit të tij njerëzor. Për këtë arsye, gjithmonë ekziston rreziku që njeriu të bjerë në shirk[1]për shkak të vlerave dhe dashurisë së tepërt që u jep njerëzve apo sendeve.

Për shkak se vrasësit nuk po gjendeshin, fërkimet dhe trazirat kishin filluar të shtoheshin. Mirëpo, gjetja e vrasësit pas prerjes së lopës, e normalizoi dhe e qetësoi gjendjen e popullit. Siç kuptohet prej kësaj, zbatimi i urdhrave hyjnorë me bindje të plotë, është e domosdoshme për qetësinë dhe paqen e një shoqërie.

Tek disa prej të bijve të Izraelit, kishte lëkundje lidhur me besimin në “ringjalljen pas vdekjes”. Kjo ngjarje, bëri që çdo gjë të qartësohet.

 

[1] Shirk: Adhurimi i dikujt tjetër përveç Allahut ose së bashku me Allahun.

Share.

Leave A Reply