Erkam ibn Ebi’l-Erkami (r.a.), ishte prej sahabëve të rinj që u bënë myslimanë të parët… Ai ishte një trim që ua hapi shtëpinë myslimanëve dhe që e la në urdhrin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)… Erkami ishte një hero që formoi vakëfin e parë në Islam dhe vendin e parë të Islamit… Ai ishte pronari i shtëpisë së parë në të cilën mbaheshin kuvendet islame në Mekë…
Erkami (r.a.), i përkiste njërës prej familjeve ndikuese dhe të pasura të Mekës. Ai ishte prej fisit Beni Mahzum. Emri i tij ishte Erkam, ndërsa llagapi i tij ishte Ebu Abdullah. Babai i tij ishte Abdulmenafi, ndërsa nëna ishte Tumadir (Umejme) binti Huzejm. Ajo ishte prej grave të para sahabe që hynë në Islam. Edhe babai i tij pati hyrë në Islam. Transmetohet se babai i Erkamit ka ndërruar jetë në të njëjtën ditë me Ebu Bekrin (r.a.).
Ai ishte prej të rinjve të parë që ia hapën zemrën Islamit në Mekë. Kur u nderua me Islamin, thuhet se ka qenë në moshën shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë vjeçare. Erkami (r.a.), iu dorëzua Resulullahut, alejhi’s-selam, me një dashuri, besnikëri dhe sinqeritet të madh.
Mushrikët e Mekës e shqetësonin vazhdimisht të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Ndërsa nga ana tjetër u bënin presion myslimanëve që hynin në fenë e re. Në këto probleme ishte i vështirë predikimi i Islamit. Resulullahu (s.a.s.), kërkoi një vend të ri ku mund të qëndronte me sahabët, të bënte kuvende islame, t’u shpjegonte Islamin atyre, t’i edukonte myslimanët e rinj dhe ta vazhdonin këtë kauzë në një vend të sigurt. Për t’i bërë këto, pa të përshtatshme shtëpinë e Erkamit (r.a.), e cila gjendej në një rrugë të ngushtë në lindje te kodrës Safa.
Kjo shtëpi gjendej në një vend të lartë në jug të Qabesë së Shenjtë. Prej aty Qabeja shihej shumë lehtë. Përveç të tjerash, i zoti i shtëpisë ishte Erkami (r.a.). Ai ishte prej të parëve të Mekës dhe një person me influencë. Të gjithë e respektonin atë. Pejgamberi ynë i nderuar e pa këtë vend të përshtatshëm edhe për të kryer ibadetet, edhe për të bërë kuvendet fetare.
Shtëpia e Erkam ibn Ebi’l-Erkamit (r.a.), tashmë ishte shndërruar në një qendër. Ajo ishte një vendstrehim dhe një vatër edukimi. Aty ishte formuar një vend i vogël i Islamit. Ata që dëshironin të hynin në Islam, të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), e gjenin në këtë shtëpi. Po ashtu, ata që sapo hynin në fe, edukoheshin aty. Ata që shtypeshin, torturoheshin dhe u bëheshin padrejtësi, shkonin me vrap te shtëpia e Erkamit (r.a.). Tashmë kjo shtëpi ishte vendstrehim për besimtarët e tillë. Ajetet që sapo zbritnin, mësoheshin përmendësh në atë shtëpi.
Myslimanët i kryenin në këtë shtëpi dhe fshehurazi ibadetet e tyre dhe qanin hallet me njëri-tjetrin. Ata i tregonin njëri-tjetrit për problemet e tyre, kërkonin zgjidhje për to dhe luftonin për ta zbatuar Islamin në shoqëri të politeizmit. Për këtë arsye, në atë shtëpi konsultoheshin me njëri-tjetrin se si duhet të vepronin.
Myslimanët i ndriçonin zemrat e tyre me kuvendet fetare të të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam dhe bëheshin si një trup i vetëm për kauzën islame siç i kishte mësuar ai. Ata e flijuan jetën, pasurinë dhe çdo gjë që kishin në këtë rrugë. Ata e këshillonin njëri-tjetrin për besimin, vepra të mira, durim dhe për të vërtetën. Në këtë mënyrë, e forconin vendosmërinë dhe vullnetin e tyre dhe gjenin te vetja një fuqi të madhe kundrejt politeistëve. Ja pra, ky vend që u bë shkak për këto shërbime të gjera islame në ditët e para të Islamit, u quajt “Daru’l-Islam” apo “Daru’l-Erkam”.
Shoqëria islame e mëshirës u formua në këtë shtëpi. Sahabët u shumuan aty. Shumë sahabë si Hamzai (r.a.), Omeri (r.a.), Ammari (r.a.), Mus’abi (r.a.) dhe Suhejbi (r.a.), arritën aty dritën e Islamit dhe atmosferën e butësisë e të mëshirës së tij. Myslimanët u forcuan edhe më shumë me sahabin e dyzetë që ishte Omeri (r.a.). Ata dolën nga shtëpia e Erkamit dhe shkuan në Qabe. Aty i bënë ibadetet haptazi. Në këtë mënyrë, myslimanët u hapën me botën. Islami u mbart deri në ditët e sotme me emocionin dhe përpjekjet e atyre njerëzve si yje.
Sa mirësi e madhe!.. Sa nder i madh!.. Sa lumturi e madhe!.. Kjo shtëpi do të përkujtohet deri në kiamet si “Daru’l-Erkam/Shtëpia e Erkamit”… Shumë myslimanë do t’ua vendosin fëmijëve të tyre emrin Erkam… Me këtë emër do të formohen shumë institucione… Në këto institucione do të jepen shumë shërbime të dobishme… Shumë njerëz do të udhëzohen nëpërmjet këtyre vendeve… Njerëzimi do të rigjallërohet me dritën e Islamit… Kjo dritë do t’i japë përsëri botës sonë paqe dhe lumturi…
O Zoti ynë! Na jep burra që e mbartin vetëdijen e Daru’l-Erkamit dhe që i kryejnë këto shërbime!.. Na jep institucione që e mbartin këtë vetëdije në çdo fushë!.. Nderoji myslimanët dhe Islamin!.. O Allah! O Mëshiruesi i mëshiruesve!..
* * *
Erkami (r.a.), këtë shtëpi ia la birit të tij me kusht që të mos shitej dhe të mos trashëgohej. Në këtë mënyrë, ai bëri vakëfin e parë në Islam. Në dokumentin e vakëfit shkroi:
“Kjo është fjala dhe testamenti që Erkami ka lënë në lidhje me shtëpinë e tij që gjendet në Safa. Për shkak se trualli i saj konsiderohet prej Haremit Sherif, kjo është bërë vakëf. Nuk mund të shitet dhe nuk mund të trashëgohet. Për këtë është dëshmitar Hisham ibn Asi dhe robi i tij i lirë.”
Kjo shtëpi arriti deri në kohën e kalifit Mansur duke u përdorur nga fëmijët dhe nipërit e Erkamit (r.a.). Mansuri i bleu pjesët që kishin ata. Shtëpia i mbeti plotësisht shtetit. Më vonë përgjatë restaurimeve i ndryshoi edhe forma. Pasi kaloi nëpër shumë duar, u ndërtua përsëri si xhami nga Sulltan Murati III në vitin 1591 e.s. Ndërsa sot këtyre veprave pothuajse nuk u gjendet as vendi.
* * *
Erkam ibn Ebi’l-Erkami (r.a.), ishte prej sahabëve të parë që bënë hixhret në Medine. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, e bëri atë vëlla me Ebu Talha Zejd ibn Sehl el-Ensariun (r.a.). Atij i dha një shtëpi dhe një pjese toke, në mënyrë që të jetonte i qetë dhe në paqe.
Ai ka marrë pjesë në të gjitha luftërat duke filluar që nga lufta e Bedrit, Uhudit dhe Hendekut. Erkami shfaqi heroizma të mëdha duke luftuar me trimëri. Shpatën që quhej “Merzuban” e cila qe marrë si plaçkë lufte prej mekasve në luftën e Bedrit, Resulullahu (s.a.s.), ia dha dhuratë Erkamit (r.a.).
Për shkak se Erkami (r.a.), dinte shkrim e këndim, ishte edhe njëri prej shkruesve të Pejgamberit (a.s.), që shkruanin shpalljen hyjnore. Më vonë u caktua në krye të detyrës për të mbledhur zekatin.
* * *
Ai njihej për asketizmin dhe devotshmërinë e tij. Erkami (r.a.), merrte kënaqësi të madhe prej ibadeteve. Një pjesë të madhe të kohës e kalonte me adhurim ndaj Allahut Teala.
Një ditë i lindi në zemër dëshira për të falur namaz në Xhaminë Aksa që gjendet në Kuds. Kur ia parashtroi të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), këtë kërkesë, Pejgamberi ynë i nderuar iu përgjigj:
“Falja e një namazi në Mesxhidu’l-Haram ka më shumë sevape se falja e një mijë namazeve në xhamitë e tjera.”
* * *
Kjo përgjigje përgëzuese ia shtoi edhe më shumë mallëngjimin ndaj ibadetit. Për ta shuar këtë mall, mori rrugën drejt Mekketu’l-Mukerrame. Erkami (r.a.), bëri shumë ibadet në Mesxhidu’l-Haram dhe u kthye përsëri në Medine. Ai kishte dy djem që quheshin Ubejdullah e Osman dhe tri vajza që quheshin Merjem, Safije dhe Umeje.
Erkam ibn Ebi’l-Erkami (r.a.), ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare në vitin 53 hixhri (637 e.s.), në Medine. Namazin e xhenazes deshi t’ia falte prefekti i Medines, Mervan ibn Hakemi, por biri i Erkamit tha se babai i tij ia kishte lënë porosi që namazin e xhenazes t’ia falte njëri prej dhjetë sahabëve të përgëzuar me xhenet. Nisur nga kjo porosi, namazin e xhenazes ia fali Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), i cili ishte njëri prej dhjetë sahabëve të përgëzuar me xhenet. Pastaj u varros në varrezën Xhennetu’l-Baki.
Allahu qoftë i kënaqur prej tij!
Allahu (xh.xh.), na mundësoftë të gjithëve që të shkëlqejmë në shërbimin ndaj Islamit si Erkam ibn Ebi’l-Erkami (r.a.)! Pra, na mundësoftë t’ua hapim shtëpinë, vendin, punën dhe sidomos zemrën tonë shërbimeve që bëhen për të përhapur Islamin! Zoti na bashkoftë me të në xhenet!