I cili meritoi grada të larta.

Eljesa (a.s.), është nga profetët e dërguar tek populli i beni Izraelëve. Në fëmijëri i pati rënë një sëmundje e rëndë dhe pati gjetur shërim në sajë të lutjes së Iljasit (a.s.). Pas kësaj, nuk qe ndarë kurrë prej tij dhe po prej tij e pati mësuar Teuratin.

Edhe Eljesa (a.s.), ashtu si profetët e mëparshëm, u përpoq shumë për udhëzimin e popullit të beni Izraelëve, të cilët herë-herë e ndiqnin dhe herë-herë e kundërshtonin. Në Kuran për të flitet në dy ajete:

“Kujtoje edhe Ismailin, Eljesain dhe Dhulkiflin. Të gjithë ata kanë qenë nga besimtarët e zgjedhur e të mirë.” (Sad, 48)

Urdhri “Kujtoje!”, që kalon në këtë ajet, është për të treguar se edhe këta profetë, ashtu si profetët e tjerë, kanë shfaqur zell, sakrificë, durim dhe vendosmëri për të përhapur fenë e Allahut, në një mënyrë të denjë për t’u lavdëruar.

Ndërsa ajeti tjetër lidhur me Eljesan (a.s.), është kështu:

“Po ashtu, udhëzuam edhe Ismailin, Eljesan, Junusin dhe Lutin – secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit.” (En’am, 86)

Gjatë profecisë së Eljesas (a.s.), mes fiseve pati filluar gara për të marrë në dorë pushtetin. Ata s’ia vunë veshin Eljesas (a.s.) dhe u kacafytën me njëri-tjetrin. Dukej sikur intriga, grindja dhe përplasja nuk do të merrnin fund. Atëherë, Allahu bëri që ata t’i sulmonte mbretëria e Asirisë. Si përfundim, për shkak të bëmave të veta të këqija, mbetën larg mëshirës hyjnore, u mundën dhe u shkatërruan prej asirianëve.

Në librin “Pasqyra e Gjithësisë” (Mir’at-i Kainat), lidhur me mrekullitë e Eljesas (a.s.), tregohet:

Ujërat e pijshëm të qytetit Eriha ishin bërë të njelmët. Për këtë arsye, njerëzit vrapuan menjëherë tek Eljesa (a.s.) dhe i kërkuan ndihmë. Atëherë, duke hedhur në burimin e ujit të kripëzuar një dorë kripë, Eljesa (a.s.), tha: “Bëhu i ëmbël, o ujë!”. Dhe, me lejen e Allahut, uji u bë më i ëmbël, e më i shijshëm se më parë.

Siç rrëfehet, tek Eljesa (a.s.), shkoi një grua e ve e mbytur në borxhe dhe ia parashtroi hallin. Eljesa (a.s.), e pyeti:

“Çfarë ke në shtëpi?”

“Një dorë gjalpë!” – i tha gruaja.

“Shko dhe atë pak gjalpë fute në një enë që ke në shtëpi!”- e urdhëroi Eljesa (a.s.).

Gruaja u kthye në shtëpi dhe bëri atë që iu tha. Pas një farë kohe, ajo pa se të gjitha enët i qenë mbushur plot me gjalpë! Në sajë të kësaj mrekullie, ajo i pagoi të gjitha borxhet e prapë gjalpi nuk iu mbarua!

Kur Eljesas (a.s.), iu afrua vdekja, e thirri pranë Dhulkiflin (a.s.) dhe me urdhër të Allahut, e caktoi atë si zëvendës të vetin në kryerjen e detyrës së profecisë.

O Zot! Ashtu siç u ke dhënë grada të larta profetëve të Tu, na e mundëso edhe neve të arrijmë grada të larta në devotshmërinë ndaj Teje!..

 

Share.

Leave A Reply