I cili, me meditimin e tij të thellë, është bërë “guri mprehës” i durimit

Mendohet se Ejjubi (a.s.), ka qenë prej gjakut të Ijsit, vëllait të Jakubit (a.s.) dhe ka jetuar në rrethinat e Damaskut. Ata që i kanë besuar atij kanë qenë të paktë.

Në sajë të begatisë së lutjes së gjyshit të tij, Is’hakut (a.s.), Allahu i Madhëruar i dha Ejjubit (a.s.), shumë pasuri, prona dhe fëmijë. Ai kishte toka, bagëti dhe shërbëtorë të shumtë. Ai i ndihmonte shumë të varfrit, jetimët dhe vejushat. Madje, ai nuk hante bukë pa pasur në sofrën e tij një të varfër. Gjithashtu, atij i pëlqente shumë të priste e të gostiste miq me të mirat që i kishte dhuruar Allahu.

Ejjubi (a.s.), në fillim të jetës jetoi i pasur, ndërsa nga mesi i saj, ngeli i varfër dhe i vetmuar. Mirëpo, në pjesën e fundit të jetës, në sajë të falënderimit dhe durimit të pashoq që tregoi, atij iu dhanë përsëri mirësitë hyjnore. Kurani e lavdëron durimin e tij me këto fjalë:

“…Ne e gjetëm atë të durueshëm, rob të mrekullueshëm. Ai kthehej vazhdimisht me pendesë tek Zoti!” (Sad, 44)

Ejjubi (a.s.), ishte dërguar si profet për njerëzit që jetonin në zonën e Damaskut. Në Kuran, në lidhje me profecinë e tij thuhet:

“Ne të frymëzuam ty (o Muhammed) me shpallje, ashtu siç frymëzuam me shpallje Nuhun dhe profetët pas tij; siç frymëzuam me shpallje edhe Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Jakubin dhe bijtë e tij, Isain, Ejjubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin dhe Dautin, të cilit i dhamë Zeburin.” (Nisa, 163)

“Ne i dhuruam atij (Ibrahimit) Is’hakun dhe Jakubin. Që të dy këta i udhëzuam në rrugë të drejtë, ashtu siç patëm udhëzuar më parë Nuhun. Ndër pasardhësit e tij Ne udhëzuam Daudin, Sulejmanin, Ejjubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë punëmirët.” (En,am, 84)

 

Share.

Leave A Reply