Edukata në dhënie, është shumë e rëndësishme. Në mënyrë të veçantë, dhënësi duhet të japë duke ndjerë respekt dhe falënderim për marrësin, sepse ai që e pranon dhurimin, e shpëton dhënësin nga borxhi i dhënies, që është një detyrim fetar (farz). Përveç kësaj, sadakatë e dhëna, e mbrojnë atë që jep nga sëmundjet dhe fatkeqësitë. Për ta theksuar më mirë rëndësinë e këtij adhurimi, në Kuran, folja “merr”, i atribuohet direkt Allahut, duke u shprehur se: “Allahu është ai që merr sadakatë e robërve të Vet!” (shih. Tevbe, 104.)

Lidhur me edukatën që duhet të tregojmë gjatë dhurimit, në Kuran urdhërohet:

“O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke fyer, siç vepron ai që e shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës dhe nuk beson në Allahun dhe Ditën e Fundit!..” (Bekare, 264)

Në këto ajete, krahas nxitjes për të dhënë e për të bërë bamirësi, tregohet qartë edukata që duhet të respektohet gjatë bamirësisë. Pra, mirësia e bërë duke thyer zemra, duke përbuzur, duke munduar dhe duke u mburrur, nuk ka asnjë vlerë tek Allahu. Në fakt, mirësitë e bëra në këtë mënyrë, janë gjynahe të rënda, të cilat bëhen shkak i ndëshkimit të atij që i bën. Kjo, sepse zemrat janë vendi ku sheh Allahu. Xhelaleddin Rumi, Mevlana -Allahu e mëshiroftë- ka thënë:

Pasurinë dhe gjithçka që ke, dhuroje në mënyrën më të bukur, që të fitosh një zemër, duaja e së cilës do të të bëhet dritë në varr, në atë natë të errët!..”

Gjithashtu, në vargjet e tij plot urtësi, Mevlana, lidhur me faktin që të varfrit dhe nevojtarët bëhen shkak që njerëzit bujarë e të pasur të mund ta shlyejnë borxhin e falënderimit ndaj Allahut; se bujaria e tyre realizohet vetëm në sajë të tyre dhe për këtë arsye ata nuk duhet t’ua thyejnë zemrat, shprehet:

“I varfri është pasqyra e bujarëve. Kujdes, mos e ia zbeh shkëlqimin pasqyrës duke i thyer zemrën me fjalë fyese.”

“O ju që nuk doni të bini në këtë disfatë! Rrethojini krijesat me bujarinë tuaj që të bëheni nga të mirët!”

Edukata më e bukur në dhënien për të varfrit, të cilët janë pasqyra e bujarisë, është mënyra e dhënies sipas hadithit të Profetit tonë (a.s.). Pra, “të jepet me dorën e djathtë pa e marrë vesh e majta”. Ata që e respektojnë këtë mënyrë të edukatës kur dhurojnë diçka apo japin sadaka, do të jenë prej atyre që do të qëndrojnë nën hijen e Arshit të Allahut në Ditën e Kiametit.[1] Për realizimin e kësaj edukate të dhurimit, të parët tanë kanë themeluar vakëfe të shumtë. Dhurimet dhe ndihmat që bëhen me anë të këtyre vakëfeve, nuk dihet se prej kujt janë bërë. Për këtë arsye, dhënësi ruhet nga rreziku i syfaqësisë dhe mburrjes. Ndërsa ai që merr, lutet për dhënësin pa e njohur atë.

Një shembull i bukur i këtij fakti, është edhe një nga vakfijejet[2] të Sulltan Fatihut:

“Unë, Fatih Sulltan Mehmeti, ngadhënjyes i Stambollit, robi i përvuajtur i Allahut, 136 dyqanet e mia, të cilat i kam pronë të fituar me djersën e ballit, po i dhuroj si vakëf sipas kushteve të mëposhtme:

Në mensën që e kam ngritur në kompleksin tim, të përgatitet ushqim për gratë dhe jetimët e dëshmorëve dhe të varfrit e Stambollit! Ndërsa ushqimet e personave që nuk munden të vijnë për të ngrënë, t’u dërgohen nëpër shtëpi pasi të erret, në enë të mbyllura dhe larg syve të njerëzve!..”

Siç shihet, në vakfijen e tij, Sulltan Fatihu ka vendosur rregulla me kritere të kujdesshme të edukatës për atë pjesë të shoqërisë që ka nevojë për mbrojtje. Ndërsa pjesëtarët e një shoqërie me një sundimtar që shfaq një edukatë të tillë, paratë e zekatit i futnin në zarfe dhe i linin në “gurët e zekatit” që ndodheshin nëpër xhamia. Kurse nevojtarët, shkonin atje e merrnin aq sa kishin nevojë pa e parë personin që i kishte lënë.

Një rëndësi të madhe, ka edhe bamirësia ndaj atyre që për shkak të dinjitetit, nuk e shprehin hallin e vet. Lidhur me këtë, Allahu i Madhëruar, urdhëron:

(Lëmosha) u takon të varfërve, të cilët kanë hyrë në rrugën e Zotit e nuk janë në gjendje të udhëtojnë (për të fituar). Kush nuk i njeh ata, kujton se janë të kamur, për shkak se ata nuk lypin. Do t’i njohësh nga pamja e tyre. Ata nuk i mërzisin njerëzit duke lypur. E çdo gjë që shpenzoni prej të mirave, Allahu i di ato.

Ata që japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.” (Bekare, 273-274)

*

Qëllimi i vërtetë i fesë është që pas pohimit të unitetit të Zotit, të edukojë një njeri të mirë, të sjellshëm, të thellë në mendime dhe, në këtë mënyrë, të sendërtojë një mjedis shoqëror të qetë e të kënaqur. Ndërkaq, kjo arritje është e mundur vetëm me anë të ndjenjës së mëshirës dhe dhembshurisë që shfaqet në zemër dhe të zekatit, që zemra e besimtarit t’i përfshijë me mëshirë dhe dhembshuri të gjitha krijesat.

Ne jetojmë në pronën dhe pasurinë e Zotit tonë dhe ushqehemi e furnizohemi nga mirësitë e Tij. Ata që u shmangen detyrimeve të tyre fetare në fushën ekonomike, a nuk e mendojnë vallë, se mallin e kujt e kursejnë për ta dhënë dhe për kë e kursejnë?

Rezultati i dashurisë është sakrifica. Ai që e do dikë, sakrifikon me dëshirë dhe duke e ndjerë për detyrë, aq sa ndjen edhe dashuri për të. Kjo sakrificë shkon gjer atje sa i dashuri të japë edhe jetën për atë që do.

O Zoti im, që je Pronari i vërtetë i pasurisë! Mëshira, dhembshuria dhe të gjitha shfaqjet e kontributit në rrugën Tënde u bëfshin thesari i pashtershëm i jetës sonë shpirtërore!

 

[1] – shih. Buhari, Ezan, 36.

[2] – Dokument ku bëhen të ditura kushtet e dhurimit apo vakëfit.

Share.

Leave A Reply