Mbështetja, besimi dhe nënshtrimi ndaj Allahut Teala i jep njeriut lumturi dhe gëzim. Këto e shpëtojnë njeriun nga sëmundja për t’u kërkuar të tjerëve dhe e bëjnë të pasur. I japin atij nder, fisnikëri dhe bujari.

Besimtari është një njeri që i mbështetet Zotit (xh.xh.). Atij i mjafton Zoti në përballimin e të gjitha problemeve. Ai është i ndershëm dhe durimtar. Atij i drejtohet fermani hyjnor: “A nuk i mjafton Allahu robit të tij?” Ai e percepton të fshehtën e këtij ajeti dhe qëndron me durim kundrejt vështirësive të jetës duke thënë: “Kemi Allahun, andaj çdo gjë është në rregull.”

Besimtari beson se fuqia, krenaria e fisnikëria i përkasin Allahut (xh.xh.) dhe se ato mund të fitohen duke iu nënshtruar vetëm Atij. Ai çdo gjë e pret nga Allahu Teala. Nevojën ia parashtron Zotit (xh.xh.) dhe i kërkon ndihmë Atij për plotësimin e saj. Pra, ai nuk është i lidhur prej të tjerëve. Besimtari jeton me bindjen se të gjitha dyert e mirësisë hapen me fuqinë e Allahut të Lartësuar.

Besimtari e bën udhërrëfyes për jetën e tij ajetin fisnik në të cilin thuhet: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij.” (Talak, 2-3)

Që nga Epoka e Lumturisë e deri në ditët e sotme, në shoqëritë që jetojnë duke ia dorëzuar veten Allahut, duke kërkuar ndihmë vetëm prej Atij dhe duke iu mbështetur vetëm Zotit (xh.xh.), çelin lulet e edukatës, mirësjelljes, hijeshisë, ndershmërisë, dashurisë, dhembshurisë, trimërisë dhe sakrificës.

* * *

Ata bëjnë një jetë modeste deri në atë pikë, saqë nuk mund ta shprehin as nevojën e tyre për shkak të dashurisë, respektit dhe frikës ndaj Allahut Teala… Ata jetojnë me dëlirësi deri në atë pikë, saqë nuk bëjnë edhe lëshimin më të vogël në besim dhe dashuri ndaj Allahut (xh.xh.) dhe Resulullahut (s.a.s.)… Ja pra, edhe Ebu Said el-Hudriu (r.a.), është vetëm njëri prej këtyre njerëzve.

Ebu Said el-Hudriu (r.a.), e gdhendi në jetën e tij këshillën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i cili shprehet: “Ai që dëshiron të jetë më i forti i njerëzve, le t’i mbështetet Allahut.” Ebu Said el-Hudriu lindi dhjetë vjet para hixhretit. Për shkak se nëna e Ebu Saidit, Enisja dhe babai i tij Malik ibn Sinani ishin myslimanë, ai u rrit në një mjedis Islam dhe mori edukatë islame.

Për shkak se ishte i vogël në moshë, nuk mori dot pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit.

Kur babai i ra dëshmor në luftën e Uhudit, sigurimi i jetesës së familjes i mbeti atij. Familja e tij nuk kishte tjetër përveç Ebu Saidit që t’ua siguronte jetesën. Ebu Said el-Hudriu ishte shumë i ndershëm. Askujt nuk i fliste për gjendjen e tij dhe nuk i tregonte për nevojën, edhe nëse ishte në vështirësi. Edhe pse familja e tij ishte në një vështirësi të madhe, ai përpiqej të duronte.

Një ditë nëna e tij i tha: “Bir! Ngrihu, shko te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe kërko ndonjë gjë prej tij. Filani dhe filani kishin shkuar. Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i kishte ndihmuar dhe ua kishte plotësuar nevojat. Shko edhe ti. Ndoshta kjo do të jetë më e mirë për ne.”

Ebu Said el-Hudriu (r.a.), iu përgjigj nënës së tij: “Prit pak, nënë. Le të kërkojmë vetë sa të kemi mundësi. Nëse nuk gjejmë ndonjë gjë, atëherë do të shkoj.” Ditët po kalonin dhe vështirësitë e tyre sa vinin e shtoheshin. Gjendja shkoi deri aty, sa lidhnin gurë në bark për të mposhtur urinë. Më së fundi, Ebu Saidi (r.a.), nuk duroi dot dhe shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.).

Kur Ebu Said el-Hudriu vuri re se i Resulullahu (s.a.s.), po këshillonte sahabët, u ul dhe filloi të dëgjonte. Në një moment përgjatë fjalimit Pejgamberi ynë i nderuar u tha atyre që gjendeshin prezentë:

“Atë që heq dorë nga çdo gjë përveç Allahut dhe pret që çdo gjë t’i vijë nga Allahu, Allahu Teala do ta bëjë të pasur. Nuk ka asnjë rrësk më të lartë se durimi. Nëse nuk pranoni të bëni durim, atëherë kërkoni që t’ju jap.”

Këto fjalë si perla që dolën nga goja e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, u bënë shkak që të çelnin lulet e ndershmërisë në zemrën e Ebu Said el-Hudrit (r.a.). Atij iu shtua edhe më shumë besimi dhe mbështetja te Allahu i Madhëruar. Për shkak të ndershmërisë dhe edukatës, nuk i tha asgjë Hz. Pejgamberit. Ebu Saidi nuk e përzjeu dashurinë me interesat e kësaj bote. Për këtë arsye, u kthye pas pa kërkuar asnjë gjë. Ai punoi dhe u përpoq. U mundua që të mos ia kishte nevojën askujt. Me kalimin e kohës punët filluan t’i rregulloheshin. Pastaj u bë prej të pasurve të Medines. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë:

 “Ai që dëshiron të bëhet më i pasuri i njerëzve, le t’u besojë më shumë atyre që gjenden te Allahu sesa atyre që posedon.” Edhe Ebu Said el-Hudriu (r.a.), u bë prej këtyre të pasurve.

Ebu Said el-Hudriu (r.a.), ishte mjeshtër në hadith dhe në fikh (jurisprudencën islame). Ai ka transmetuar 1170 hadithe. Përgjatë periudhës së Ebu Bekrit, Omerit dhe Osmanit, radijall-llahu anhum, u preokupua me fetva në Medine. Ai nuk hezitonte të fliste për një çështje që e dinte me saktësi. Ndërkohë i ndihmonte nevojtarët, i merrte në shtëpi dhe i edukonte.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Zoti (xh.xh.), na bëftë edhe ne të ndershëm, të edukuar dhe të sjellshëm. Zoti na mundësoftë që edhe ne ta shfaqim në jetën tonë durimin që kishte Ebu Said el-Hudriu (r.a.)!

Amin!

Share.

Comments are closed.