Ebu Duxhane (r.a.), ishte prej trimave të ensarëve që vinte në kokë copën e kuqe dhe dilte në mejdanin e luftës… Ai ishte nje hero plot virtyte që pati pranuar Islamin para hixhretit… Ai ishte njëri prej heronjve të Uhudit që njihej me llagapin Ebu Duxhane…

Ebu Duxhane (r.a.), ka marrë pjesë në të gjitha Luftërat. Ishte një hero që e flijonte jetën e tij për të Dërguarin e Allahut, alejhi’s-selam, pa iu trembur syri. Ai vendoste gjithmonë në kokë një copë të kuqe. Në të gjitha luftërat që mori pjesë, e pati atë copë në kokë. Ky veprim i tij mbartte kuptimin se ai ishte një flijues i gatshëm për të dhënë jetën në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Për shkak të kësaj cope që ishte shenjë e kësaj trimërie, i dhanë atij edhe llagapin “Dhu’l-Meshhere”.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e ka lavdëruar atë duke u shprehur: “Zëri i Ebu Duxhanes është sa një njësi ushtarësh.”

Ebu Duxhane (r.a.), ishte heroi i patrembur i mejdaneve të luftës. Shembujt më të bukur të heroizmit të tij janë parë në luftën e Uhudit.

Në ditën e Uhudit i Dërguari i Allahut (s.a.s.), nxori shpatën nga këllëfi i saj dhe e ngriti lart. Në shpatë shkruante: “Në frikë ka turp. Ndërsa në përparim (në mejdanin e luftës) ka nder dhe krenari. Njeriu nuk mund të shpëtojë nga kaderi duke pasur frikë.” Pasi nxori shpatën, tha: “Kush dëshiron ta marrë prej meje këtë shpatë?” Sahabët e nderuar zgjatën duart duke thënë: “Unë, unë…” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i përsëriti fjalët e Ebu Duxhanes, por shtoi edhe diçka tjetër: “Kush dëshiron ta marrë këtë shpatë për t’ia dhënë hakun?” Sahabët i zgjatën përsëri duart duke thënë: “Unë, unë…”

Në ato momente Ebu Duxhane (r.a.), u tregua largpamës dhe pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Cili është haku i kësaj shpate?” Pejgamberi ynë i nderuar buzëqeshi dhe tha:

“(Haku i kësaj shpate është) të luftuarit me armiqtë derisa ajo të thyhet.”

Ebu Duxhane tha: “O i Dërguari i Allahut! Me atë kusht e marr unë.” Pas këtyre fjalëve, shpata iu dorëzua atij.

Ebu Duxhane, radijall-llahu anh, u hodh në mejdanin e luftës me copën e kuqe lidhur në kokë, me shpatën në dorë dhe duke thënë poezi heroike. Ai filloi të ecte plot krenari drejt politeistëve. Kjo ecje nuk u pëlqeu sahabëve. Nisur nga kjo, Resulullahu (s.a.s.), tha:

“Kjo është një ecje që Allahu Teala nuk e pëlqen përveçse në këtë pozitë.” Në këtë mënyrë, i njoftoi sahabët se mund të ecej kështu kundrejt armiqve.

* * *

Zubejr ibn Avvami (r.a.), e tregon si më poshtë trimërinë, heroizmin dhe sakrificën që Ebu Duxhane (r.a.), shfaqi në luftën e Uhudit:

“Edhe unë e kërkova shpatën nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ai nuk ma dha mua atë, por ia dha Ebu Duxhanes (r.a.). Për këtë arsye, u bëra kureshtar dhe fillova ta ndiqja atë. Ebu Duxhane ecte me krenari dhe vriste këdo mushrik që i dilte përpara. Ebu Duxhanës i doli përpara Ebu Dhu’l-Kershi, i cili ishte trupmadh dhe ndër politeistët më të tërbuar. Çdo anë e tij ishte e mbuluar me parzmore. Atij i dukeshin vetëm sytë. Kur e pa Ebu Duxhanen (r.a.), e sulmoi. Ai e goditi me shpatë dhe e nguli atë në mburojën e Ebu Duxhanes. Ai e tërhoqi shpatën, por nuk e nxori dot. Ebu Duxhane (r.a.), u drejtua shpejt dhe e goditi me shpatë Ebu Dhu’l-Kershin. E ndau atë përgjysmë nga supi e deri te kofsha. Pastaj arriti deri në fund të malit duke i shkatërruar rreshtat e armikut. Ebu Duxhane e ngriti përsëri shpatën… Aty pa gratë që po u binin defeve dhe Hindin… Ai nuk u bëri gjë atyre dhe u kthye pas.”

Kur Zubejr ibn Avvami (r.a.), e pa këtë guxim, trimëri dhe heroizëm, tha: “I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e di më mirë se kujt duhet t’i jepet shpata.” Zubejri shkoi drejt Ebu Duxhanes (r.a.), duke thënë me vete se Ebu Duxhane ia dha hakun shpatës. Kur arriti te ai, i tha: “E pashë çdo gjë që bëre. Gjithashtu të pashë kur e ngrite shpatën, por hezitove ta godisje atë gruan.” Ebu Duxhane (r.a.), i tha: “Nuk desha ta lyeja shpatën e të Dërguarit të Allahut me gjakun e një gruaje.”

Ja pra, Figurat e Epokës së Lumturisë, ata njerëz si yje, mendonin në këtë mënyrë. Ata kishin zemra të mbushura plot me dashuri dhe respekt ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), madje edhe ndaj gjërave të Resulullahut.

* * *

Njëri prej atyre që nuk u larguan aspak nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ditën e Uhudit ishte edhe Ebu Duxhane (r.a.). Ai e pati bërë veten mburojë për Pejgamberin tonë të nderuar dhe i priste me trupin e tij shigjetat që i gjuheshin të Dërguarit të Allahut. Politeisti Abdullah ibn Hunejdi, i cili ishte i mbuluar nga çdo anë me parzmore, i shkoi pranë Ebu Duxhanes. Ai thoshte: “Unë jam biri i Zuhejrit. Më tregoni Muhamedin. Ose do ta vras, ose do të vdes para tij.” Ebu Duxhane nuk duroi dot dhe i tha: “Eja këtu!.. Unë jam një person që po e mbroj atë me trupin tim. Eja!..” Kur Abdullahu u afrua, Ebu Duxhane e goditi kalin e tij me shpatë te këmbët. Ai u rrëzua së bashku me kalin. Ebu Duxhane e goditi me shpatë Abdullahun duke i thënë: “Merre! Këtë e ke nga biri i Hareshes.” Në këtë mënyrë, e rrëzoi atë për tokë me një të goditur.

* * *

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, po i shikonte të gjitha këto që po ndodhnin. Andaj lutej për Ebu Duxhanen (r.a.): “O Allah!.. Unë jam i kënaqur prej birit të Hareshes! Edhe Ti ji i kënaqur!”

Çfarë heroizmi!.. Çfarë gëzimi!.. Sa lumturi e madhe!.. Të fitosh kënaqësinë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij!.. Të kujtohesh me heroizëm!..

Gjithashtu edhe një prej heroizmave të tij e kishte parë Ka’b ibn Maliku (r.a.). Ai e transmeton atë si më poshtë:

“Një politeist që kishte veshur një parzmore prej së cilës nuk njihej, po u priste hundën, veshët dhe organet e tjera dëshmorëve tanë. Kur ky njeri me parzmore u afrua, Ebu Duxhane (r.a.), e goditi me shpatë aq fort, saqë e ndau më dysh nga qafa e deri te kofsha. Pastaj e prezantoi veten duke më thënë: “Si t’u duk, o Ka’b? Unë jam Ebu Duxhane.”

Ebu Duxhane (r.a.), siç ishte në pikën kulmore të trimërisë dhe heroizmit, ishte në pikën kulmore edhe të moralit më të lartë. Ai nuk i bënte keq askujt dhe nuk preokupohej me gjëra të kota e të padobishme.

Zejd ibn Eslemi (r.a.), e transmeton si më poshtë moralin e lartë të Ebu Duxhanes (r.a.): “Ebu Duxhane ishte sëmurë. Ndërkohë fytyra i shndrinte si dritë. Njëri prej atyre që vinin për ta vizituar, e pyeti: “Si e ke arritur këtë dritë?” Ebu Duxhane (r.a.), iu përgjigj:

“Kam dy vepra që mund t’u besoj. E para: Nuk jam preokupuar me asnjë gjë që nuk më interesonte. E dyta: Nuk kam pasur në zemër asnjë mendim të keq kundrejt asnjë myslimani. Nuk kam menduar asnjëherë t’i bëj keq dikujt.”

* * *

Ebu Duxhane (r.a.), ra dëshmor në luftën e Jemames. Edhe martirizimi i tij ishte pikërisht si jeta e tij… Ebu Duxhane u tha shokëve që ta hidhnin brenda në bahçen ku gjendeshin Musejlemetu’l-Kedhdhab dhe përkrahësit e tij, në mënyrë që të hapte portën e bahçes. Kur u hodh nga muri në bahçe, iu thye këmba. Edhe pse iu thye këmba, ai luftoi dhe ua hapi portën myslimanëve. Në këtë mënyrë ra edhe dëshmor.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu (xh.xh.), na dhëntë edhe neve prej heroizmit dhe shpirtit fisnik që kishte Ebu Duxhane (r.a.)! Zoti i Madhëruar na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.