Fjala arabishte “vahj” ka disa kuptime leksikore, si “shenjë e shpejtë”, “shkrim”, “dërgesë ose përfaqësim”, “frymëzim” dhe “fjalë e fshehtë”. Vahji është komunikimi i Allahut për profetët i çështjeve që Ai dëshiron dhe në atë mënyrë që dëshiron. Ai thotë kështu:
“Allahu bisedon me njeriun me rrugën e vahjit ose nga pas perdes ose dërgon një përfaqësues të cilit ia komunikon atë që dëshiron. Pa dyshim, Ai është i Lartë e i Urtë!” (esh-Shura, 51)
Siç rrëfen Hz. Aisheja (r.anha), kur e ka pyetur Profetin se si i vjen vahji, ai i ka dhënë këtë përgjigje:
“Disa herë më vjen si një zhurmë që të kujton zhurmën e një rraketakeje, dhe kjo është forma e vahijt që më vjen mua më e rëndë. Pasi e kuptoj thënien e Allahut të Lartë dhe e ngulis në kujtesë, engjëlli largohet. Kurse disa herë, engjëlli më vjen në trajtë njeriu, bisedon me mua dhe unë e kuptoj menjëherë atë që thotë!” (Buhari, Bed’u’l-Vahj, 1/2; Muslim, Fedail, 87)
Duke u nisur nga rivajete (rrëfime, hadithe) të ndryshme, dijetarët islamë i kanë përcaktuar kështu format e ardhjes së vahjit:
1) Vahji vinte disa herë në formë ëndrrash besnike që vërtetoheshin ashtu siç ishin shfaqur.
2) Fjala që do të komunikohej, sugjestionohej në zemrën e Profetit (s.a.s.) pa u dukur engjëlli.
3) Ashtu si në “Hadithin Xhibril”136, engjëlli i vahjit merrte trajtë njerëzore dhe e njoftonte atë që kishte për ta njoftuar.
Edhe ky rivajet i treguar nga Abdullah Ibni Abbasi (r.a.), është një shembull i bukur për këtë formë të vahjit:
“Së bashku me tim atë, Abbas, ndodhesha pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s).
Te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ndodhej një njeri me të cilin i pëshpërisnin njëri-tjetrit. Prandaj nuk tregoi interesim për tim atë. Dhe ne dolëm jashtë. Jashtë, im atë më tha:
“A e pe, o bir, që i Dërguari i Allahut nuk tregoi konsideratë për mua?”
Kurse unë i thashë:
“O im atë, pranë i ndodhej dikush, po bisedonte me të!”
Atëherë, u kthyem sërish te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Im atë i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Abdullait i thashë kështu, kurse ky më tha se pranë të ndodhej dikush i cili të pëshpëriste diçka. Me të vërtetë, a të ndodhej dikush pranë?”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) m’u kthye mua:
“O Abdullah, a e pe ti atë?”
“Po, e pashë!” – Iu përgjigja unë.
Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha tim eti:
“Ai ishte Xhebraili. Prandaj nuk munda të interesohesha për ty!” (Ahmed, I, 293-294; Hejsemi, IX, 276)
4) Disa herë, vahji i vinte në formë zhurmash tmerruese. Por kur krijoheshin kushtet e vahjit, Profeti i kuptonte dhe mësonte mirë ato që i thoshte engjëlli.
5) Xhebraili e pati sjellë vahjin dy herë duke u shfaqur me trajtën e tij origjinale. Rasti i parë ka ndodhur pas periudhës së parë të ndërprerjes kur Profeti po zbriste nga shpella Hira, kurse rasti i dytë ka ndodhur natën e Miraxhit në Sidretul Munteha.
6) Ashtu siç pati ndodhur në Miraxh, Allahu i Lartë ka komunikuar me Profetin drejtpërdrejt, pa ndërmjetësinë e engjëllit, duke i falur, kështu, atij, konsideratën e posaçme hyjnore.
7) Xhebraili (a.s.) ia ka sjellë vahjin kur Profeti ka qenë në gjumë. Disa komentues thonë se në këtë mënyrë i është komunikuar Profetit sureja “Keuther”.
Siç rrëfejnë disa nga sahabet, gjatë zbritjes së vahjit, tek Profeti krijohej një gjendje shqetësimi e rëndë, fytyra i merrte të kuq trëndafili, i mbyllte sytë dhe e përkulte kokën para. Edhe sahabet i përkulnin kokat para. Gjersa të merrte fund vahji, askush nuk kishte fuqi ta ngrinte kokën e ta vështronte bukurinë e Profetit!
Kurse disa herë të tjera, kur vinte vahji, rreth fytyrës së tij dëgjohej një uturimë si zhurmë bletësh. Në ato kushte, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) merrte frymë shpejt dhe në ditët më të ftohta, madje, nga balli i rridhnin djersë si pika margaritarësh.137
Siç bën të ditur Zejd bin Thabiti138, njëri prej shkruesve të vahjit, rëndesa e vahjit përputhej me rëndesën e konkluzioneve dhe vendimeve hyjnore. Kështu, kur vahji ishte ndonjë premtim ose përgëzim hyjnor, Xhebraili (a.s.) vinte në trajtë njeriu, gjë që nuk i shkaktonte ndonjë vështirësi Profetit. Por kur vahji përmbante paralajmërime hyjnore frikësuese mbi ndëshkimin, vinte si zhurma e një rraketakeje që përhapte tmerr.
Kur vahji i vinte Profetit ndërsa ndodhej mbi deve, kafsha nuk e përballonte dot peshën e vahjit dhe ulej ndenjur. Kështu, në rastin kur Profeti ndodhej mbi devenë e quajtur Adba, kur nisi të zbresë ajeti i tretë i sures Maide, Profetit iu duk sikur devesë do t’i këputeshin gjunjët, prandaj zbriti nga deveja.139
Zejd bin Thabiti (r.a.) thotë:
“Po rrija pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Në këtë mes, te i Dërguari i Allahut u krijua gjendja e vahjit. Gjunjët e tij ndodheshin mbi gjunjët e mia. Vallahi, nuk pata ndjerë gjë më të rëndë se gjunjët e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) në atë çast. M’u duk sikur do të më shtypeshin gjunjët!” (Ahmed, V, 190-191)