Për shkak se durimi përmbledh në vete të gjitha bukuritë morale, vendi i durimit në fenë tonë është shumë i rëndësishëm. Ai është një virtyt i bukur që e bën robin të fitojë kënaqësinë e Allahut.
Në aspektin fetar dhe moral, durimi është ruajtja e qetësisë pa e prishur ekuilibrin përballë ndodhive të papëlqyeshme e të dhembshme, duke u mbështetur tek Zoti.
Durimi, është qendra e rëndesës së moralit të bukur. Ai është gjysma e besimit, çelësi i prehjes dhe lumturisë. Gjithashtu, ai është një mundësi e madhe që të çon në fitimin e mirësive të xhenetit.
Frutet e durimit, mund t’i fitojmë aq sa jemi në gjendje të përdorim cilësitë tona morale si faljen, butësinë, thjeshtësinë, nderin, ndjenjën e masës, dhembshurinë, delikatesën dhe mirëkuptimin para ndodhisë për të cilën duhet treguar durim. Për shkak se të gjitha llojet e mirësive dhe fitimet e mëdha fitohen në sajë të durimit, të gjithë profetët, të urtët dhe dijetarët e mëdhenj, e kanë bërë durimin pjesë të karakterit të tyre.
Në Kuran, flitet në më se shtatëdhjetë vende për durimin. Në ajete të ndryshme, Allahu e këshillon me durim Profetin tonë (a.s.) dhe, nëpërmjet tij të gjithë ummetin.
“Prandaj duro! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Dhe mos u pikëllo për ta e mos u ngushto për shkak të dredhive të tyre!” (Nahl, 127)
“Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd se, me të vërtetë, ti je nën Sytë Tanë!..” (Tur, 48)
“Zbatoje atë që të është shpallur ty dhe duro derisa të gjykojë Allahu!..” (Junus, 109)
“Dhe duro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij!..” (Kehf, 28)
Nuhu (a.s.), pati duruar për 950 vjet me radhë rrahje, sharje e poshtërime nga populli i tij!
Musai (a.s.), i pati këshilluar bijtë e Izraelit:
“Kërkoni ndihmë prej Allahut dhe duroni!..” (A’raf, 128)
Për shkak se Ejjubi (a.s.), pati duruar çdo lloj të keqeje që i pati rënë, meritoi lavdërimin e Allahut:
“…Ne e gjetëm atë të durueshëm, rob të mrekullueshëm. Ai kthehej vazhdimisht me pendesë tek Zoti!” (Sad, 44)
Lukmani (a.s.), e këshillonte kështu të birin:
“O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve!” (Lukman, 17)
Ndërsa Muhamedi (a.s.), tregoi durim të madh ndaj sulmeve dhe poshtërimeve të banorëve të Mekës dhe Taifit. Ky durim i tij, pas një farë kohe u shpërblye me udhëzimin e popullit mizor të Taifit dhe të Mekës.
*
Profetët dhe njerëzit e urtë, në sajë të durimit që treguan, merituan ndihmën e Zotit. Ata duhet të jenë shembujt më të shquar për ne. Durimi, në aspektin e kësaj bote mund të jetë disi i hidhur, por në aspektin e botës tjetër, ai është shumë i ëmbël. Ata që dhimbjet e durimit i mbyllin në vetvete, arrijnë Xhenetin e amshuar dhe pëlqimin e Zotit. Ne kemi për detyrë të mos shkojmë pas gjërave të ndaluara (haram) sado që të na i kërkojnë trupi dhe egoja jonë. Pra, duhet të durojmë sado e vështirë të jetë kjo. Po ashtu, jemi të detyruar të zbatojmë me përpikëri edhe urdhrat e Allahut dhe adhurimet, sado të vështira të na duken.
Të mendosh urtësitë dhe shpërblimet hyjnore të urdhrave dhe ndalimeve të Allahut në ndodhitë për të cilat duhet treguar durim, e bën më të lehtë durimin.
Ndonjëherë s’kemi zgjidhje tjetër veçse të durojmë fatkeqësitë me të cilat përballemi. Mirëpo, edhe në momentet më të vështira, nuk duhet humbur kurrë shpresa nga ndihma e Allahut. Ankesat, qarjet e klithmat s’janë gjë tjetër veçse përpëlitje të kota. Kjo, sepse edhe në momentet që duken më të pashpresa, nuk duhet dyshuar kurrë se Allahu do t’i hapë robit të Tij një derë shpëtimi.
Për këtë arsye, durimi ndaj fatkeqësive dhe mbështetja tek Allahu, vetëdija se çdo gjë vjen prej Tij dhe se çdo gjë është një sprovë e cila ka shpërblim, është mënyra më e zgjuar për t’u përballur me sprovat.
Në këtë botë sprovash, është e pamundur që njeriu të arrijë çdo gjë që dëshiron. Nëse gjërat të cilat i dëshirojmë shumë dhe për të cilat bëjmë përpjekje të mëdha nuk realizohen, duhet të mendojmë edhe faktin se: “Mbase mosrealizimi i saj ka qenë në të mirën tonë!”, dhe se: “Në çdo gjë ka një mirësi!”. Ky është qëndrimi më i përshtatshëm për njeriun si rob i Zotit dhe që na bën të denjë për ngritje shpirtërore. Kjo, sepse durimi është dorëzimi, nënshtrimi i robit te Zoti jo me detyrim, por me gjithë zemër.
Profeti ynë (a.s.), në një hadith ku ka përshkruar llojet e durimit dhe mirësitë e tij, thotë:
“Durimi është tre llojesh: Durimi ndaj fatkeqësive, durimi në devotshmëri (ndaj Allahut) dhe durimi ndaj gjynaheve (largohet prej tyre). Kush i duron fatkeqësitë (pa u qarë) deri sa t’i hiqen, Allahu i shkruan atij (e ngre) treqind gradë, ku distanca midis dy gradëve është sa mes qiellit dhe tokës. Kush bën durim në bindjen ndaj Allahut, Ai i shkruan gjashtëqind gradë, ku distanca midis dy gradëve është sa mes tokës dhe shtatë kate poshtë saj. Dhe, kush bën durim ndaj një gjynahu, Allahu i shkruan nëntëqind gradë, ku distanca midis dy gradëve është sa mes tokës dhe Arshit të Allahut.” (Sujuti, el-Xhamiu’s-Sagir, II, 42; Dejlemi, II, 416.)
Një nga kushtet e durimit, është që ai të tregohet në momentin e parë kur përballesh me fatkeqësinë. Pra, durimi që tregohet për një fatkeqësi të kaluar, nuk ka ndonjë shpërblim të madh. Nisur nga kjo, për dikë që ka humbur fëmijën apo një të afërm, është shumë e rëndësishme të bëjë durim në çastet e para.
Sipas një transmetimi të Enes bin Malik (r.a.), i Dërguari i Allahut (a.s.), kaloi pranë një gruaje e cila po vajtonte mbi varrin e fëmijës së saj dhe i tha:
“Ki frikë Allahun dhe bëj durim!”
Mirëpo, gruaja, e cila nuk e njohu Profetin (a.s.), thotë:
– M’u hiq prej këtu! Fatkeqësia që më ka rënë mua nuk të ka rënë ty.
Kur gruas i thanë se ai ishte Profeti (a.s.), ajo vrapoi tek shtëpia e tij dhe doli menjëherë para tij (duke kërkuar falje):
– O i Dërguari i Allahut nuk ju njoha!
Pas kësaj, Profeti (a.s.), i thotë:
“Durimi i vërtetë, është ai që tregohet në momentin e parë kur përballesh me fatkeqësinë!..” (Buhari, Xhenaiz, 32; Muslim, Xhenaiz, 15.)
Njëri prej emrave dhe atributeve të Allahut është “es-Sabur”, “I Durueshëm”. Domethënë se Zoti u jep kohë (afat) robërve të Tij dhe, brenda kësaj kohe, duron edhe mosmirënjohësit, madje duke u dhënë pjesë nga të mirat! Ç’do të bëhej gjithësia nëse Zoti do të kërkonte të merrte hak në çast prej fajtorëve? Pa mendoni!
Personat në të cilët shfaqet më bukur emri i nderuar i Zotit, “es-Sabur”, janë profetët dhe të urtët. Morali më i bukur që kemi trashëguar prej tyre, është durimi në mirëqenie dhe vështirësi.
Durimi që tregohet në mirëqenie, është të mos bëhesh mburravec dhe mendjemadh, të mos hakmerresh, të mos mposhtesh nga dëshirat e egos, të mos tregohesh koprrac e shpërdorues, të mos përbuzësh të varfrit dhe të mos ua përplasësh në sy të mirën që u bën. Me të vërtetë që egoja e shtyn njeriun gjithmonë në vepra të këqija. Prandaj, njeriu ka për detyrë të ruhet nga këto sjellje.
Për këtë arsye, është e domosdoshme të merren shembull gjendjet e profetëve dhe njerëzve të urtë në kohë mirëqenieje dhe vështirësie. Kjo, sepse ne jemi të detyruar të durojmë për të shpëtuar prej rreziqeve shpirtërore që sjell mirëqenia dhe vështirësia dhe për të fituar kënaqësinë hyjnore.
Durimi i Ejjubit (a.s.), në mirëqenie dhe vështirësi, është një shembull i bukur për të gjithë ne! E shoqja, zonja Rahime, i thotë:
“Ti je profet! Lutja jote është e pranuar. Tani që gjendesh në gjendje të keqe lutu të shërohesh!”
Ndërsa Ejjubi (a.s.), i përgjigjet:
“Allahu më dha tetëdhjetë vjet shëndet. Ndërsa sëmundja ime nuk i ka mbushur tetëdhjetë vite. Vetëm pak kohë kam që po vuaj. Më vjen turp të kërkoj shëndet prej Zotit!..”
Më në fund, ky profet i lartë, në sajë të durimit të tij legjendar, rifitoi shëndetin dhe rininë e mëparshme!
Atyre që durojnë, ndërkohë që i kanë të gjitha mundësitë, u thuhet “falënderuesit e pasur” (agnija-i shakirin). Kurse atyre që janë në vështirësi dhe e lidhin zemrën pas Zotit, duke falënderuar pa u ankuar aspak, u thuhet “durimtarët e varfër” (fukara-i sabirin). Për falënderuesit e pasur dhe durimtarët e varfër, në Kuran ka myzhde për shpërblime të panumërta.
Allahu i Madhëruar, urdhëron:
“O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin për të qenë të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Al-i Imran, 200)
Ndërsa në një ajet tjetër, urdhërohet:
“Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin!” (Asr, 1-3)