Vajtimin e thellë të Jakubit (a.s.), poeti turk Junus Emre, e shprehte me këto vargje:

Një Jakub në hallin tim isha,

Në gjuhë emrin e Zotit kisha;

Jusufin në tokat e Ken’anit e humba

Qan Jakubi qan: O Jusuf i mjerë.

E morën Jusufin, me gjak e përlyen,

E hëngri ujku thanë, gënjyen,

Këmishës së Jusufit, s’e di se ç’i bënë

Qan Jakubi, qan: O Jusuf i mjerë!

 

Tashmë, Jakubit (a.s.), nuk i kishte mbetur gjë tjetër, veçse të bënte durim. Dhe me të vërtetë që, ai duroi pa iu ankuar askuj:

(Jakubi) Tha: «Unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut e nga Allahu di atë që nuk e dini ju».” (Jusuf, 86)

Profeti ynë (a.s.), pyeti Xhebrailin (a.s.):

“Sa ishte dhimbja e Jakubit për shkak të ndarjes nga Jusufi?”

Dhe Xhebraili (a.s.), u përgjigj:

“Sa vuajtja e shtatëdhjetë nënave që kanë humbur djemtë e tyre!..”

Profeti ynë (a.s.), pyeti përsëri:

“- Atëherë, po shpërblimi i tij sa ishte (për durimin)?”

Xhebraili (a.s):

“Sa shpërblimi i njëqind dëshmorëve, sepse ai (Jakubi) nuk mendoi keq për Allahun as edhe një çast të vetëm!” (Sujuti, ed-Durru’l-mensur, IV, 570.)

Ky pra ishte durimi më i mirë.

Durim i mirë, do të thotë të durosh fatkeqësitë që të bien, pa u ankuar në asnjë mënyrë tek të tjerët. Nëse dikush ankohet tek të tjerët për vuajtjet dhe fatkeqësitë që po heq, durimi që tregohet ndaj ndodhive, e humb veçorinë e tij.

Nxjerrja nga pusi dhe shitja e Jusufit (a.s.)

Ndërkohë që Jakubi (a.s.), bënte durim, edhe Jusufi në pus, përjetonte të njëjtën gjendje dorëzimi dhe nënshtrimi. Në këto çaste:

“Erdhi një karvan. Ata dërguan ujëmbartësin e vet dhe ai lëshoi kovën e tij dhe thirri: «O sa gëzim! Qenka një djalë!» Ata e fshehën atë si plaçkë tregtie, por Allahu e dinte mirë çfarë bënin ata. Ata e shitën Jusufin me një çmim të ulët, veç disa grosh, pa pasur fare lakmi (për para). (Jusuf, 19-20)

Megjithëse ata që e shitën, ishin mahnitur para bukurisë së Jusufit, për shkak të frikës se mos dilte pronari i tij dhe ua merrte, e shitën atë me nxitim tek një tregtar skllevërish, me një çmim të ulët.

Muhjiddin ibn Arabiu (Allahu e mëshiroftë!) në lidhje me ligjin hyjnor; “…Urdhri i Allahut është vendim i kryer”, i cili kalon në ajetin 38 të sures Ahzab, thotë:

“Kur Allahu dëshiron diçka për një rob, ndonjëherë, e bën këtë pasi ai rob të ketë bërë ndonjë gabim.

Në fakt, një ditë, kur Jusufi ishte duke parë veten në pasqyrë, u mahnit me bukurinë e vet dhe tha:

“Nëse do të kisha rënë skllav e të shitesha, s’do të kisha çmim; do të vleja shumë para!”

Për shkak të këtij gabimi, atë e shitën si skllav, madje edhe me një çmim shumë të lirë!

Tregohet se një ditë, kur Profeti (a.s.), po kthehej nga xhamia për në shtëpi, disa fëmijë i dolën në rrugë dhe i thanë:

“Po nuk na dhe edhe neve ndonjë gjë ashtu sikur u jep Hasanit e Husejnit, nuk të lëshojmë!”

Profeti (a.s.), i thotë Bilalit (r.a.):

“Shko në shtëpi dhe më sill ç’të gjesh, që “ta blej veten” prej këtyre!”

Bilali (r.a.), shkoi dhe u kthye me nja tetë kokrra arra me të cilat Profeti (a.s.), bleu veten prej fëmijëve. Më pas, duke bërë shaka, i thotë Bilalit (r.a.):

“Vëllain tim Jusufin, e shitën me një çmim të ulët. Ja pra, edhe mua më shitën për tetë kokrra arra!”

Në një hadith finsik, thuhet:

“Pa dyshim se, Allahu nuk sheh pamjen dhe pasurinë tuaj, por zemrën dhe punët tuaja!” (Buhari, Nikah, 45, Edeb 57, 58, Feraiz 2.)

Po kështu, nëna jonë Haxherja i qe dhënë nënës sonë Sares si skllave nga ana e faraonit. Mirëpo prej saj lindi Ismaili (a.s.) dhe, prej brezit të tij erdhi në botë Muhamedi (a.s.).

Struktura fizike e njeriut, nuk ka ndonjë vlerë të madhe. Trupi është si një këllëf i shpirtit. Njeriu fiton nder e respekt vetëm në sajë të strukturës shpirtërore dhe, po për shkak të saj turpërohet. Pra, mund të themi se, nëse një njeri ka zemër dhe vepra të mira, ai është i pranuar tek Allahu. Përndryshe, nuk ka rëndësi nëse e ka ose jo fytyrën të bukur apo është i pasur ose i varfër! Shihni se me çfarë çmimi të ulët shitet trupi i njeriut kur bëhet skllav!.. Por vallë sa vlerë do të kenë në Ditën e Gjykimit ata që e skllavëruan trupin dhe shpirtin tek egoja tyre?

Nisur nga kjo, njeriu duhet ta dijë mirë vlerën dhe nderin e vërtetë të vetes dhe kurrë nuk duhet t’i bëhet skllav egos së vet! Lidhur me këtë, në Kuranin Fisnik urdhërohet:

“A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?” (Furkan, 43)

*

“Një njeri nga Egjipti që e bleu, i tha gruas së vet: “Bëja të këndshëm qëndrimin këtu. Ndoshta do të na shërbejë ose do ta birësojmë!” Dhe kështu, Ne e vendosëm Jusufin në atë tokë të bukur dhe i mësuam shpjegimin e ëndrrave. Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Jusuf, 21)

Siç shpjegohet nëpër tefsirë (komentimet e Kuranit), tregtari i skllevërve që bleu Jusufin, më pas ia shiti atë ministrit të ekonomisë së Egjiptit. Ministri e kishte kuptuar zgjuarsinë e Jusufit dhe mendoi se në të ardhmen mund të përfitonte prej tij. Përveç kësaj, për shkak se nuk mund të kishte fëmijë, mendoi ta bënte atë fëmijën e vet.

Shitja e Jusufit tek ministri i ekonomisë, pasi ishte shitur më parë me një çmim shumë të ulët, tregon se herën e dytë, ai u shit me një çmim shumë të lartë. Njeriu që e bleu në fillim, e veshi dhe e zbukuroi. Më pas, e nxori në treg, në një ankand, i cili kishte vazhduar për tri ditë me radhë! Si përfundim, atë e bleu ministri i ekonomisë, Azizi, në këmbim të parfumeve, perlave, arit, argjendit dhe mëndafshit, çdonjëra prej të cilave peshonte sa vet Jusufi!

Share.

Leave A Reply