Ata Ibni Ebi Rebah (r.a.), ka thënë:

Abdullah Ibni Abas (r.a.), më tha:

“A të tregoj një grua prej banorëve të Xhenetit?”

“Po, ma trego!” –i thash unë. Ibn Abasi (r.a.), tha:

“E sheh atë grua të zezë! Një ditë, ajo erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe i tha:”

«Mua më zë sëmundja e tokës dhe më zbulohet trupi. Lutuni Allahut që të shërohem!» I Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

«Nëse mendon se mund të durosh, do të shpërblehesh me Xhenet. Por nëse dëshiron, unë i lutem Allahut të të japë shërim!» Pas kësaj, gruaja tha:

«Unë do të duroj (sëmundjen). Por ju lutuni që kur të më zërë sëmundja, të mos më zbulohet trupi!» Më pas, i Dërguari i Allahut (a.s.), u lut për të.

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Merda, 6; Muslim, Birr, 54.)

Shpjegime

Nisur nga ato që kemi mësuar nga transmetime të tjera në lidhje me këtë temë, gruaja ishte nga Etiopia, ishte trupmadhe dhe thirrej me llagapin Ummu Dhufar.

Ummu Dhufar (r.a.), e cila vuante nga sëmundja e tokës, ndryshe epilepsia, rrëzohej në tokë gjatë krizave të sëmundjes dhe i zbulohej trupi. Prandaj, për shkak se kjo situatë e mundonte shumë, ajo shkoi tek i Dërguari i Allahut (a.s.), dhe i kërkoi të lutej për të, që të shpëtonte nga ajo sëmundje.

Mirëpo, Profeti ynë (a.s.), për t’i bërë të ditur se, nëse do të bënte durim ndaj kësaj fatkeqësie, do të shpërblehej me Xhenet, i tha: “Nëse do, bëj durim dhe hyr në Xhenet, nëse do, unë bëj dua që të shërohesh”. Kjo zonjë e nderuar, e cila u detyrua të bënte zgjedhje midis shëndetit dhe Xhenetit të sigurt, si përfundim zgjodhi durimin, pra Xhenetin. Megjithatë, duke u shprehur se ajo që e shqetësonte më tepër atë, ishte zbulimi i trupit gjatë krizave, i kërkoi Profetit (a.s.), të lutej që të mos zbulohej gjatë krizave. Kjo, tregon se Ummu Dhufar (r.anha), ishte një myslimane e vetëdijshme.

Ndokujt mund t’i duket i çuditshëm fakti që Profeti (a.s.), i dha dy mundësi zgjedhjeje kërkesës për shërim të kësaj gruaje me epilepsi. Madje mund të pandehet se Profeti (a.s.), është edhe kundër kurimit. Mirëpo, i Dërguari i Allahut (a.s.), i kujtoi asaj një mundësi më të mirë për veten e saj dhe e la atë të lirë të zgjedhë midis dy mirësive. Ky është një tregues i natyrshëm i butësisë dhe mëshirës që i Dërguari i Allahut (a.s.), kishte ndaj sahabëve të vet dhe Ummetit të tij në përgjithësi.

Me këtë veprim, i Dërguari i Allahut (a.s.), nuk është pozicionuar aspak kundër  kurimit. Argumenti i kësaj, është fjala e tij, “nëse dëshiron, unë lutem për ty!”. Mirëpo, ka edhe sëmundje që nuk kanë kurim. Prandaj, ai ka bërë të ditur se çfarë duhet bërë në raste të tilla, duke thënë se shpërblimi i durimit ndaj këtyre lloj sëmundjeve, është Xheneti. Me këtë rast, ai ka dhënë mesazhin se, “fundi i durimit, është Xheneti”.

Abdullah Ibni Abasi (r.a.), duke u nisur nga fjala e Profetit (a.s.) dhe zgjedhja që bëri gruaja, doli në përfundimin se ajo ishte prej banorëve të Xhenetit, ndërkohë që ishte ende gjallë.

Nga ana tjetër, për shkak se lutja e Profetit (a.s.) është e pranuar, si rrjedhojë e lutjes së tij, gruaja nuk u zbulua më asnjëherë gjatë krizave të epilepsisë.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Durimi ndaj fatkeqësisë në këtë botë, e bën njeriun të fitojë Xhenetin në botën tjetër.
  2. Për ata që kanë mundësi, përpjekja është shumë më e mirë se sa zgjedhja e lehtësive.
Share.

Leave A Reply