Besimtari që beson te kaderi, e di se çdo gjë në gjithësi ndodh me cakti­min dhe krijimin e Allahut dhe ai zotëron lirinë e zgjedhjes dhe një potencial veprimi që të kryejë atë që dëshiron. Personi që beson këtë gjë, përpiqet gjatë gjithë jetës së tij me sa fuqi që ka, në mënyrë që të arrijë suksesin dhe asgjë nuk e kthen mbrapsht nga synimi që ka. Besimtari beson se Allahu ka për ta krijuar punën drejt së cilës ai ka orientuar vullnetin dhe fuqinë e tij dhe se Allahu do ta ndihmojë ta realizojë atë gjë.

Besimtari e përdor në punë të hajrit lirinë e tij të zgjedhjes, meqë e di se do të jetë përgjegjës për punët e kryera me dëshirën e tij. Ai distancohet nga veprimet për të cilat do të dënohet. Kështu, besimi te kaderi edhe rrit fuqinë e punës te njeriu, edhe zhvillon te ai ndjenjën e përgjegjësisë.

Myslimani që beson te kaderi nuk thyhet moralisht dhe nuk bie në pesimi­zëm, kur nuk është i suksesshëm në punën e tij apo kur përballet me fatkeqësi. Ai e di se çdo punë dhe krijim i Allahut ka një synim dhe një urtësi, se ai është krijuar me fuqi dhe mundësi të kufizuara, se nuk do të jetë përgjegjës

për punët që nuk ka fuqi t’i kryejë, prandaj ai përulet para caktimit të Allahut dhe strehohet te Ai. Ky besim e lehtëson mendërisht dhe shpirtërisht njeriun dhe ia zbut problemet që ka.

Besimi te kaderi na mëson se çdo gjë në gjithësi është krijuar në përputhje me një plan dhe për një qëllim të caktuar dhe i mëson atij se çdo gjë ka një shkak.

Me këtë besim, njeriu përpiqet në jetë të përmbushë detyrat e tij, duke kërkuar rrugët dhe arsyet që do ta çojnë atë drejt suksesit.

Share.

Comments are closed.