a) Besimi në jetën tjetër zhvillon te njeriu ndjenjën e përgjegjësisë. Njeriu i përgjegjshëm tregon kujdes për veprimet që kryen.

Të besosh te jeta tjetër, do të thotë të besosh te ringjallja pas vdekjes, te llogaria që do të jepet përpara Allahut për punët që kemi bërë në këtë jetë, që punëmirët do të shpërblehen, ndërsa punë këqijtë do të ndëshkohen. Ky besim e distancon njeriun nga veprat e këqija, duke e bërë atë person me moral dhe virtyte, pasi e drejton drejt së mirës dhe së vërtetës. Në një shoqëri që formohet nga njerëz me këtë besim, askush nuk e dëmton tjetrin, të gjithë respektojnë të drejtat e njëri-tjetrit dhe secili përpiqet të bëjë mirë me sa të mundet. Këto sjellje zhvillojnë ndjenjat e dashurisë dhe besimit të ndërsjellë në mesin e njerëzve. Besimi në botën tjetër ka një rol shumë të rëndësishëm, që individët të jenë të moralshëm dhe që shoqëria të sigurojë besimin dhe paqen e brendshme.

b) Personi që beson në jetën tjetër, përgatitet në këtë jetë kalimtare për një jetë më sublime dhe të përjetshme. Njeriu që dëshiron të niset për udhë, merr me vete aq para sa do t’i nevojiten dhe përgatitet për udhëtim. Askush nuk niset në udhëtim pa pasur para dhe pa u përgatitur më parë.

Udhëtimi drejt botës tjetër, që do të fillojë pas vdekjes, është udhëtim më i gjatë dhe më i rëndësishëm sesa udhëtimet e kësaj bote.

Për këtë arsye, duhet të sigurojmë sa më shumë zahire për jetën tjetër dhe të parapërgatitemi mirë për udhëtimin drejt saj.

Personi që beson në jetën tjetër, përgatitet për udhëtim duke përmbushur urdhrat e Allahut dhe duke u distancuar nga ndalesat e Tij. Ata që nisen për udhë të përgatitur për të, do të kalojnë një jetë më sublime. Allahu kërkon prej nesh që të parapërgatitemi, duke na urdhëruar që të mbledhim zahire.

Ata që nuk përgatiten për jetën tjetër, kanë për të parë vërtetësinë e saj në momentin e vdekjes dhe do të kërkojnë të kthehen sërish në këtë jetë për të kryer me përpikëri të gjithë urdhrat e Allahut. Atëherë është shumë vonë dhe kërkesa e tyre nuk do të pranohet. Kjo e vërtetë shprehet kështu në Kuran:

“Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” (Mu’minun, 100.)

c) Besimi në jetën tjetër e ngushëllon besimtarin dhe ia lehtëson atij dhim­bjet e kësaj jete.

Ka shumë njerëz të mirë, të cilët ndahen nga kjo jetë pa iu shpërblyer e mira që kanë bërë, ashtu sikur se ka shumë të nëpërkëmbur që vdesin pa e marrë të drejtën që u takon ose shumë zullumqarë, të cilët ndërrojnë jetë pa u dënuar për krimet dhe padrejtësitë që kanë kryer. Jeta tjetër është vendi ku do të ndahen nga njëra-tjetra e mira dhe e keqja dhe çdo njeri do të trajtohet në varësi të asaj që ka punuar.

Në jetën tjetër do të vihet në vend drejtësia hyjnore. Ata që kanë bërë vepra të mira do të shpërblehen me bollëk, njerëzit që janë nëpërkëmbur do të marrin atë që u takon, ndërsa kriminelët dhe tiranët do të vuajnë për krimet që kanë kryer. Ky besim i fal njeriut prehje dhe ia lehtëson atij hallet e kësaj jete.

Share.

Comments are closed.