I cili, flamurin e tevhidit, besimit në një Zot të vetëm, e barti nga Lindja në Perëndim
“Dhulkarnejn”, është një fjalë arabe, e cila formohet nga bashkimi i fjalëve “dhu” dhe “karnejn”. “Dhu”, do të thotë, të zotërosh diçka. Ndërsa “Karn”, do të thotë, shekull, kohë, ose diell. Kurse fjala “Karnejn”, merr formën sipas numrit çift në gramatikën arabe[1], e cila do të thotë, “dy karn”. Në bazë të kësaj, fjala Dhulkarnejn, është përkthyer si “Zotëruesi/Sunduesi i dy shekujve”. Allahu i ka dhënë mundësinë të udhëtojë në lindje dhe në perëndim.
Dhulkarnejni (a.s.), mendohet të jetë nga gjaku i Jafes-it, njërit prej bijve të Nuhut (a.s.), dhe se emri i tij mund të ketë qenë Skënder. Po ashtu, dijetarët islamë, mendojnë se ai mund të ketë qenë ose profet ose një njeri me grada të larta tek Allahu. Në Kuran përmenden fushatat e tij në Lindje e Perëndim.
Dhulkarnejni (a.s.), nuk duhet ngatërruar me Aleksandrin e Maqedonisë. Aleksandri i madh i Maqedonisë që përmend historia, ka lindur në Maqedoni në shekullin e III p.e.r., ka shkuar gjer në Indi dhe ishte nxënësi i Aristotelit. Kurse Skënderi Dhulkarnejn (a.s.), ka jetuar në kohën e Ibrahimit (a.s.). Për më tepër, ai ka bërë haxhin bashkë me të dhe ka marrë bekimin e tij.
Dhulkarnejni (a.s.), e siguronte jetesën me duart e tij, duke punuar e shitur mburoja. Ndërsa tepricën e të ardhurave jashtë nevojave të tij, ia dhuronte të varfërve. Ai luftoi për një kohë të gjatë me mohuesit dhe heretikët. Po ashtu, ai bëri një pritë prej hekuri dhe bakri të derdhur kundër fisit Je’xhuxh-Me’xhuxh[2]. Ai përhapi dhe kumtoi fenë e Allahut, besimin në një Zot të vetëm.
*
Kur Muhamedi (a.s.), tregonte në Mekë për ngjarjet mësimdhënëse që kishin përjetuar popujt e shkuar, hebrenjtë dhe persianët nisën të tregojnë historitë e popujve të shkuar sipas tyre. Midis tyre, në Medine kishte edhe hebrenj që e prisnin se profeti i kohës së fundit kishte për të dalë prej tyre dhe do vinte të vendosej në Medine. Këta, i këshilluan politeistët/idhujtarët e Mekës, duke u thënë:
“Atje tek ju paska dalë një profet; nëse është i vërtetë, pyeteni për “Shokët e Shpellës” (As’habi Kehf), për Dhulkarnejnin dhe natyrën e shpirtit. Po qe se jep përgjigje të plotë për Shokët e Shpellës dhe Dhulkarnejnin dhe, përgjigje të pjesshme për natyrën e shpirtit, është profet i vërtetë; besojini e shkoni pas tij! Por, po qe se nuk jep dot përgjigje, do të thotë se është gënjeshtar!”
Idhujtarët mekas, shkuan tek Profeti ynë (a.s.) dhe e pyetën:
“Kush janë Shokët e Shpellës dhe Dhulkarnejni që luftoi në Lindje e Perëndim? Cila është natyra e shpirtit?”
Pas kësaj zbriti surja “Kehf”, në të cilën thuhet:
“Të pyetën ty për Dhulkarnejnin. Thuaju: “Do t’ju lexoj një kujtim për të! Pa dyshim, Ne e bëmë atë zotëruesin e një fuqie të madhe mbi tokë dhe i dhamë mundësinë të arrijë çdo gjë që të dëshirojë.” (Kehf, 83-84)
*
Cilësitë dalluese të Dhulkarnejnit (a.s.)
- Allahu i Madhëruar, i dha fuqi Dhulkarnejnit (a.s.), i cili bëri fushata në Lindje e Perëndim dhe ndërtoi Pritën Dhulkarnejn.
- Retë dhe mjete të tjera ishin dhënë nën urdhrin e tij.
- Atij iu dha dituri dhe fuqi. Kështu, ai u bë i aftë për të administruar dhe sunduar.
- Atij iu dhuruan edhe një flamur i bardhë dhe një flamur i zi, në formë mrekullie. Kur marshonte ditën, flamurin e zi e vendoste pas dhe fundin e ushtrisë e rrethonte errësira. Në këtë mënyrë, armiku nuk mund t’i gjente ata, humbte rrugën dhe zhytej i mundur në errësirë. Kur marshonte natën, flamurin e bardhë e vendoste para dhe vendi bëhej dritë për të dhe ushtarët e tij, gjë që i jepte mundësi të korrte fitore të mëdha kundër armikut.
- Dhulkarnejni (a.s.), i besonte Allahut dhe Ditës së Gjykimit, prandaj ishte një sundues që sillej me drejtësi dhe mëshirë ndaj njerëzve të tij. Ai nuk i shtypte dhe nuk u bënte padrejtësi popujve ku shtrinte sundimin e tij. Ai u thoshte njerëzve: “Të pafajshmit nuk kanë pse të shqetësohen; ndërsa ata që bëjnë mirësi, do të marrin shpërblimin e tyre!”. Në sajë të mëshirës dhe mirëkuptimit që tregoi, ai fitoi zemrat e njerëzve.
- Ai ishte njeri bujar dhe tolerant. Nuk rendte pas pasurisë, ashtu siç bënin sunduesit e tjerë. Ishte njeri, të cilit i pëlqente të dhuronte dhe të falte.
- Ai ishte njeri i matur dhe i urtë. Në sajë të butësisë dhe mëshirës që kishte, ai e mbizotëronte zemërimin e tij. Qëllimi i tij kryesor, ishte t’i shërbente njerëzimit dhe t’i siguronte drejtësinë të shtypurve. Ai, mendonte se pasuria nuk ishte për mirëqenien e sundimit të tij, por për shërbim të popullit.
Fushatat për ftesën në teuhid[3]
Në sajë të çlirimeve që bëri, Dhulkarnejni (a.s.), e zgjeroi vendin dhe e forcoi shtetin e tij. Ai nisi t’i kumtojë urdhrat dhe ndalimet e fesë popujve nën sundimin e vet. Me ushtrinë e formuar prej besimtarëve, në fillim marshoi drejt Perëndimit. Kudo që shkoi, ftoi njerëzit jobesimtarë në besimin e teuhidit. Ai përparoi deri në pikën më të fundit të Perëndimit. Tashmë toka kishte mbaruar dhe ai kishte arritur brigjet e detit. Në atë vend, dukej sikur dielli perëndonte duke u zhytur në një liqen balte të zezë. Aty, takoi një popull jobesimtar. Një pjesë e tyre besoi, ndërsa me pjesën tjetër që nuk i besoi, zhvilloi luftë dhe i mundi duke i lënë në errësirë. Mirëpo, më pas, edhe pjesa tjetër e këtij populli u pendua dhe pranoi besimin e teuhidit. Në lidhje me këtë, Kurani Fisnik, shprehet:
“Pa dyshim, Ne e bëmë atë zotëruesin e një fuqie të madhe mbi tokë dhe i dhamë mundësinë të arrijë çdo gjë që të dëshirojë. Dhe ai mori një rrugë (drejt Perëndimit)… Kur, më në fund, arritën në vendin ku perëndonte dielli, pa se ai (dielli) zhytej në një llum të zi. Atje takoi një popull. Ndërsa Ne i thamë: “O Dhulkarnejn, është e drejta jote t’i ndëshkosh ose t’i marrësh me të mirë ata!” (Kehf, 84-86)
Dhulkarnejni, të cilit iu dha një kompetencë e tillë, veproi sipas kritereve hyjnore dhe:
“Tha: “Atë që do të veprojë me të padrejtë, do ta ndëshkojmë, e ai pastaj do të dërgohet te Zoti i tij. Atëherë Allahu do ta ndëshkojë atë keqas! Kurse ai që do të sillet mirë, do të ketë shpërblim të mirë. Dhe do ta urdhërojmë me gjëra të lehta!..” (Kehf, 87-88)
Në këtë mënyrë, Dhulkarnejni (a.s.), gjithmonë i ftoi njerëzit në besim. Ata që e ndoqën, gjetën shpëtim. Kurse ata që s’besuan, u ndëshkuan.
*
Pas Perëndimit, Dhulkarnejni (a.s.), marshoi për në Lindje. Lidhur me këtë, në Kuran, urdhërohet:
“Pastaj mori përsëri një rrugë… Më në fund, kur arriti në vendin ku lindte dielli, pa se ai lindte mbi një popull që Ne nuk i kishim dhënë ndonjë mbulojë ndaj tij (diellit).” (Kehf, 89-90)
Populli i kësaj zone, që përmendet në Kuran, kur nxehtësia e diellit shtohej, futeshin nëpër shpella ose në det. Por, kur kalonte i nxehti i madh, dilnin jashtë e përpiqeshin të siguronin jetesën. Dhulkarnejni (a.s.), edhe ata i ftoi në fenë e vërtetë.
*
Më vonë, Dhulkarnejni (a.s.), mori një rrugë në një drejtim tjetër. Atje gjeti një popull që pothuajse nuk kuptonte asnjë fjalë. Prandaj, mund të jenë kuptuar mes tyre me anë të ndonjë përkthyesi. Në lidhje me këtë udhëtim, Allahu i Madhëruar urdhëron:
“Pastaj mori përsëri një rrugë… Më në fund, kur arritën mes dy malesh, para u doli një popull që s’kuptonte asnjë fjalë.” (Kehf, 92-93)
Ky popull u ankua te Dhulkarnejni për disa krijesa të quajtura Je’xhuxh dhe Me’xhuxh, të cilët i shqetësonin vazhdimisht. Për këtë arsye, i kërkuan t’u bënte një pritë për t’i mbrojtur prej tyre. Atëherë Dhulkarnejni bëri pritën që mori emrin e tij. Edhe ky popull u udhëzua në rrugën e drejtë dhe u bë mysliman. Në Kuran urdhërohet:
“E thanë: “O Dhulkarnejn! Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët krijojnë trazira në këtë vend. A të të japim një taksë e të na bësh një pritë mes nesh dhe atyre? (Dhulkarnejni) Tha: “Mua më ka dhënë Zoti gjëra më të mira se ç’mund të më jepni ju, por më ndihmoni duke punuar e të bëjmë një pritë të pakalueshme për ta. Eja, më sillni copa hekuri!
E, kur i niveloi të dy anët e kodrës, u tha: “Ndizeni! E, kur u skuq hekuri, u tha: “Më sillni bakër t’ia hedh sipër!”
Pastaj as e kaluan dot e as e shpuan!..
E tha: “Kjo është një e mirë nga Zoti im. Por, kur vjen premtimi i Zotit tim, Ai e rrafshon! Caktimi i Zotit është i drejtë!” (Kehf, 94-98)
Kjo pritë ka të bëjë me shenjat e Kiametit. Ajo nuk ka të bëjë me Murin e Madh Kinez. Në lidhje me vendin, ka mendime të ndryshme, por askush nuk mund të thotë me saktësi se ku ndodhet. Kur të afrohet Dita e Kiametit, kjo pritë, do të shembet dhe popujt Je’xhuxh dhe Me’xhuxh do të përhapen mbi tokë e do të shkaktojë trazira. Ata do të jenë aq të shumtë në numër, saqë do të përbëjnë nëntë të dhjetat e popullsisë së botës. Ndërsa një të dhjetën tjetër do ta përbëjnë njerëzit e tjerë dhe xhindët. Allahu i Lartë urdhëron:
“Kur të hapet prita e Je’xhuxh-Me’xhuxhëve, e ata të vërshojnë prej çdo maje, atëherë është afruar premtimi i vërtetë (Kiameti); atëherë sytë e atyre që nuk kanë besuar, do të zgurdullohen, (e thonë): “Mjerë për ne! Ne kemi qenë të pavëmendshëm ndaj kësaj dhe e kemi ngarkuar veten me gjynahe”.” (Enbija, 96-97)
[1] – Në gramatikën e gjuhës arabe, emrat marrin numrin njëjës, dyshës dhe shumës.
[2] – Je’xhuxh-Me’xhuxh: Janë emrat e dy fiseve që përmenden në Kuranin Fisnik. Këta kanë qenë dy fise shumë të rrezikshëm dhe mizorë. Gjithashtu, sipas transmetimeve, pranë Ditës së Kiametit, këta dy fise do të përhapen në të gjithë botën dhe do të bëjnë shkatërrime të papara.
[3] -Teuhid: Besimi në një Zot të vetëm.