Dashuria ndaj Allahut Teala është një ndjenjë që përbën kulmin e besimit të besimtarit. Besimi shtohet dhe thellohet me këtë dashuri. Nëse dashuria kalon nga gjuha në zemër dhe reflekton nga zemra në vepra, bëhet sublime. Siç duhet që besimi të pranohet me zemër edhe dashuria e vërtetë është ajo që vjen nga zemra. Ato që zemra ndjen në qendrën e saj, e lartësojnë shpirtin. Kjo ndodh me funksionimin e një mekanizmi në botën e brendshme, që mund t’i ndryshojë ndjenjat dhe perceptimet e besimtarit. Ky mekanizëm i botës së brendshme është dhikri, që fillon nga gjuha, zbret në zemër dhe nga aty, përhapet në të gjithë trupin. Dhikri është një shfaqje e dashurisë së vazhdueshme. Kur robi bën dhikër, e percepton nënshtrimin e tij ndaj Zotit dhe e reflekton në pasqyrën e zemrës admirimin që ka ndaj Tij. Dhikri është dëshira për të qëndruar me Allahun Teala në çdo kohë.
Ai që do, nuk e harron atë që do, qoftë edhe për një çast. Ai kënaqet kur e përmend atë. Një moment shkujdesjeje në përkujtimin e tij, e konsideron padrejtësi të bërë ndaj atij që do.
Ajo që e ushqen dashurinë, është gjendja e dhikrit deri në frymën e fundit. Dashuria është si një lumë që rrjedh nga robi për te Zoti (xh.xh.). Ndërsa shpërblimi për atë dashuri është si lumenjtë që rrjedhin nga Zoti (xh.sh.), te robi. Mirësia e dashurisë është e pafundme, siç është e pafundme çdo mirësi që vjen nga Zoti (xh.xh.). Risku i vërtetë është risku i dashurisë. Lutja për furnizimin me dashurinë e Allahut Teala, çdo moment duhet të jetë në gjuhën e besimtarit, siç thuhet edhe në duanë e Pejgamberit (a.s.). Allahu i Madhëruar shprehet në suren el-Bakara se përkujtimi është i dyanshëm: “Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falënderomëni Mua (duke m’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!” (Bakara, 152)
Dhikri që robi bën për Zotin, është falënderim për mirësitë, durim kundrejt sprovave dhe nënshtrim ndaj urdhrave. Është një rregull jete për të mos u ndarë nga orientimi që na ka treguar Zoti (xh.sh.). Një tjetër synim i dhikrit, është edhe pastrimi i nijetit dhe zhvillimi i vazhdueshëm i pjekurisë shpirtërore. Ndërsa kujtimi i robit nga ana e Zotit, do të thotë se Zoti është i kënaqur me të, e ka marrë nën mbrojtje, e ka udhëzuar, i ka dhënë largpamësi, i ka dhënë vetëdijen e nënshtrimit dhe ato që ia ka premtuar në jetën e kësaj bote dhe të Ahiretit. Në suren el-Maide, Allahu Teala shprehet se dashuria është e dyanshme: “O ju që keni besuar! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan, të përulur me besimtarët dhe të ashpër me femohuesit, që luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Bujar i madh dhe i Gjithëditur.” (Maide, 54) Po ashtu, ka edhe prej robërve që ia kthejnë shpinën dhikrit të Allahut Teala. Kjo është fatkeqësia më e madhe për robin. Kthimi i shpinës ndaj dhikrit të Allahut (xh.xh.), është neglizhencë ndaj Allahut, duke qenë në detin e mëshirës së Allahut. Për këtë arsye, udhëzimi është mirësia më e madhe që Allahu i Lartësuar u ka dhënë robërve të Tij. Udhëzimi është si port për një besimtar. Në fillim të çdo lutjeje të besimtarit, duhet të jetë kërkimi i udhëzimit prej Allahut Teala, siç është edhe në suren el-Fatiha, që e lexojmë dyzet herë në ditë: “Na udhëzo në rrugë të drejtë!” (Fatiha, 6)
Privimi nga dhikri, nga meditimi në lidhje me krijimin e Allahut Teala dhe nga ibadeti, është privimi më i dhimbshëm. Shndërrimi i dynjasë dhe i interesave të saj në synim të vetëm duke u humbur në pasionet mashtruese të saj, është pengesë për zbritjen e mirësive hyjnore. Kjo gjë ia shkëput lidhjet njeriut me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Në këtë mënyrë, nuk e percepton mesazhin që i vjen dhe nuk shqetësohet për gjendjen në të cilën gjendet. Allahu Teala na njofton se ata që e harrojnë, do t’i ndëshkojë me vështirësi në këtë jetë dhe do t’i tubojë të verbër në Ahiret. Këto ajete në suren Taha, e tmerrojnë njeriun:
“Kushdo që i kthen shpinën këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (Taha, 124)
“Ai do të thotë: ‘O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë shikoja më parë?” (Taha, 125.)
(Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Taha, 126)
“Kështu e ndëshkojmë Ne atë që e tepron (me gjynahe) dhe nuk beson shenjat e Zotit të tij. Ndërsa dënimi në jetën tjetër, në të vërtetë, është më i ashpër dhe më i qëndrueshëm.” (Taha, 127)
Allahu (xh.xh.), na tregon për fundin e keq të atyre që e harrojnë Atë. Po ashtu, na ka njoftuar se njeriu ka një zemër (Ahzab, 4). Në zemër ka formuar një ekuilibër fizik. Në zemër duhet të ketë vetëm një dashuri. Allahu i Madhëruar nuk dëshiron që robi të ketë ndonjë dashuri më të madhe se ajo që ka për Të. Në suren ez-Zumer, thotë: “A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit?!) Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu! Njerëz të tillë janë në humbje të qartë!” (Ahzab, 22) Siç shihet edhe në ajetin fisnik, zemra e mbushur me dashurinë ndaj Allahut Teala, zotëron dritë hyjnore.
Zoti, (xh.sh.), thotë në suren el-Bejjine se është i kënaqur prej atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira dhe i cilëson ata si robër të kënaqur nga Ai: “Shpërblimi i tyre është te Zoti: Kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet.” (Bejjine, 8)