Transmetohet nga Ebu Hurejra (RadijAll-llahu anhu) se i Dërguari i Allahut (Sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Kush i merr nga unë këto porosi që të punojë me to ose t’ia mësojë dikujt që të punojë me to?”
Thashë: “Unë, o i Dërguari i Allahut”. Profeti (Sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) më mori për dore dhe numëroi pesë gjëra duke thënë:
“Ruaju nga gjërat e ndaluara (haramet), do të jesh prej adhuruesve më të mëdhenj;
Kënaqu (pajtohu) me atë që Allahu të ka caktuar, do të jesh njeriu më i pasur;
Bëji mirë fqinjit tënd, do të jesh besimtar (mu’min);
Dëshiro për njerëzit atë që dëshiron për veten tënde, do të jesh musliman;
Mos e tepro në të qeshur, sepse të qeshurit e shumtë ta vdes zemrën.”
(Ahmed, Tirmidhi; Hadith Hasen)
Dobitë e hadithit
- Besimtari duhet të mësojë për vete dhe ta përhapë diturinë e dobishme mes njerëzve të tjerë.
- Adhurim nuk është vetëm namazi, agjërimi, zekati, haxhi por edhe largimi nga nga gjërat e ndaluara.
- Pasuri në botëkuptimin islam nuk është vetëm pasuria materiale, por edhe pasuria e shpirtit, edhe kënaqja me caktimin e Allahut.
- Bamirësia ndaj fqinjit është argument për imanin e plotë.
- Imani i plotë arrihet atëherë kur t’ia duam të mirën çdo muslimani.
- E qeshura e tepërt, pa nevojë, ndikon në seriozitetin e besimtarit dhe ndjenjën e përgjegjësisë së tij. Pavarësisht nga dobitë e qeshjes së qetë, është vërtetuar se për disa njerëz e qeshura e tepërt dhe e fortë mund të shkaktojë edhe probleme me zemrën dhe ezofagun. Përgjithësisht Profeti ynë (Sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ishte i buzëqeshur, por ndonjëherë edhe ka qeshur aq sa i janë dukur dhëmballët.
Përgatiti: Gilman Kazazi