Enes Ibni Malik (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:
“Askush prej jush të mos e dëshirojë vdekjen për shkak të ndonjë fatkeqësie që e godet! Por, nëse është i detyruar të dëshirojë vdekjen, atëherë le të thotë: «O Allah! Më jep jetë derisa jeta ime të jetë e dobishme për mua dhe ma merr atë kur vdekja ime të jetë e dobishme për mua!»”
-Muttefekun alejhi-
(Buhari, Merda, 19; Dauat, 30; Muslim, Dhikr, 10, 13; shih. Ebu Daud, Xhenaiz, 9; Nesai, Xhenaiz, 1; Ibni Maxhe, Zuhd, 31.)
Shpjegime
Ky Hadith, i cili do të përsëritet edhe në atë me numër 586, e ndalon dëshirimin e vdekjes në rast të përballjes me fatkeqësi të kësaj bote. Kjo, sepse një veprim i tillë, (Allahu na ruajt!) mund të përfundojë me vetëvrasje. Ndërsa të bësh durim dhe të rezistosh, do të jetë shkak i shpëtimit prej asaj fatkeqësie. Lidhur me këtë çështje, në një Hadith tjetër thuhet: “Askush prej jush të mos e dëshirojë vdekjen dhe të mos e ftojë vdekjen pa i ardhur ajo, sepse atij që vdes i ndërpriten edhe veprat. Kurse jeta, ia shton mirësitë besimtarit!” (Muslim, Dhikr, 13.)
Të kërkosh vdekjen për shkak të vështirësive dhe problemeve të kësaj bote, tregon paaftësi. Mirëpo, edhe pse mund të jetë paaftësi, ndonjëherë mund të lindë domosdoshmëria e dëshirimit të vdekjes. Dhe, pikërisht në këtë pikë, Profeti ynë (a.s.), tregon një mënyrë që mund të bëhet në përputhje me parimet Islame dhe natyrën njerëzore: T’ia dorëzosh çdo gjë vullnetit dhe dijes së Allahut, duke kërkuar mirësinë në çdo gjë. Kjo tregon se sa realist është edhe Islami si fe, por edhe vetë i Dërguari i Allahut (a.s.). Një dorëzim i tillë, do ta mbajë myslimanin që ndodhet në vështirësi, edhe në vijën e besimit dhe dorëzimit, por do t’i japë edhe forcën për të bërë durim.
Ka ndodhur që edhe disa prej dijetarëve dhe poetëve, që e njohin dhe kuptojnë mirë Islamin, të kenë hasur vështirësi në jetën e tyre, aq sa herë-herë të kenë dëshiruar edhe vdekjen. Për shembull, kur një prej myslimanëve të parë e të përvuajtur, sahabi i madh Habab Ibni Eret (r.a.), u sëmurë rëndë, atyre që i shkuan për vizitë u tha: “Nëse i Dërguari i Allahut (a.s.), nuk do ta kishte ndaluar, padyshim se unë do ta dëshiroja vdekjen!” Po ashtu, edhe i ndjeri Mehmed Akif Ersoj, një vit para se të ndërronte jetë, në vitin 1935, ka shkruar këto vargje:
I sigurt jam se barrën e jetës edhe për ca kohë,
I dënuar jam ta vuaj me gjunjët që më dridhen.
Zgjidhe tashmë nyjën e lidhur pisk të barrës sime,
Mos ma quaj të tepërt një pëllëmbë dhé, o Zot!..
Dorëzimi dhe dëshira, durimi dhe malli, nuk mund të ishin shprehur më bukur se kaq!
Sipas një pjese të dijetarëve Islamë, dikush që ka frikë se mos bie në fitne në aspektin fetar, mund ta dëshirojë vdekjen. Ashtu siç është konsideruar gjë e mirë të dëshirosh të biesh dëshmor në rrugën e Allahut, ose të dëshirosh të vdesësh në një qytet të bekuar, ashtu edhe sipas Imam Neveviut, është e njëjtë të dëshirosh vdekjen me një arsye fetare. Si shembull mund të marrim Omerin (r.a.), i cili u lut duke thënë: “O Zot! Më jep fatin të bie dëshmor në rrugën Tënde dhe të vdes në qytetin e të Dërguarit Tënd!” Madje, kur Omeri (r.a.), u martirizua, bija e tij Hafsa (r.anha), tha: “Allahu ia plotësoi dëshirën babait tim”.
Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:
- Të kërkosh vdekjen për shkak të fatkeqësive që të godasin, nuk është e lejueshme. Madje, kjo tregon se njeriu nuk është i kënaqur me caktimin e Allahut.
- Mirëpo, të lutesh për një vdekje të bukur në shërbim të fesë dhe njerëzimit, duke dëshiruar të takohesh me Allahun, nuk është e ndaluar.