Ebu Nuxhejd Imran Ibni Husajn el-Huzai (r.anhuma), transmeton se një grua prej fisit Xhuhejne bën imoralitet dhe pasi mbetet shtatzënë, erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Kam bërë një faj që duhet të dënohet. Prandaj më jep dënimin tim!” Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (a.s.), thërret kujdestarin e gruas dhe i thotë:

“Sillu mirë me këtë grua! Kur të ketë lindur ma sill mua!” Kujdestari bëri si i tha Profeti (a.s.) dhe, pasi ajo lindi fëmijën, e solli gruan tek ai. I Dërguari i Allahut (a.s.), urdhëroi që rroba që kishte veshur gruaja, të shtrëngohej mirë. Dhe kështu u bë. Më pas, me urdhrin e Profetit (a.s.), ajo u gurëzua për vdekje. Pas kësaj, Profeti (a.s.), i fali namazin e xhenazes. Mirëpo, Omeri (r.a.), pyeti:

“O i Dërguari i Allahut! A po fal namazin e një gruaje që ka bërë imoralitet?” I Dërguari i Allahut (a.s.), u përgjigj:

“Ajo grua ka bërë një teube të tillë, që nëse ajo teube do të ndahej ndër shtatëdhjetë persona prej popullit të Medinës, ajo do t’u mjaftonte të gjithëve. A di diçka më të madhe se sa të japësh jetën për të fituar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar?”

(Muslim, Hudud, 24. Shih. Ebu Daud, Hudud, 24; Nesai, Xhenaiz, 64.)

Imran Ibni Husajn (r.a.).

Ebu Nuexhejd Imran Ibni Husajni (r.a.), ishte prej fisit Huzaa. Ai pranoi Islamin bashkë me babanë e tij në vitin e shtatë të Hixhretit (628). Po ashtu, ai ka marrë pjesë në beteja të ndryshme bashkë me Profetin (a.s.).

Më vonë, ai është bërë Gjykatësi i Basras dhe u ka mësuar banorëve të Basrës Jurisprudencën Islame (fikhun). Madje, Hasan Basriu (Allahu e mëshiroftë!), thoshte se në këtë qytet nuk ka shkelur asnjë njeri që të ketë qenë më i dobishëm për banorët e tij , se sa Imran Ibni Husajni (r.a.).

Ai kujdesej për veten dhe i pëlqente të vishej bukur. Për këtë, ai e përsëriste shpesh thënien e të Dërguarit të Allahut (a.s.):

“Kur Allahu i Madhëruar i jep mirësi robit të Vet, Ai dëshiron ta shohë atë mirësi tek ai.”

Transmetohet se Imran Ibni Husajni (r.a.), mendonte shumë për vështirësinë e dhënies së llogarisë përpara Allahut të Madhëruar. Prandaj thoshte:

“Ah, sikur të isha si hiri që e merr era.”

Ai ka transmetuar 180 hadithe nga i Dërguari i Allahut (a.s.). Ai ndërroi jetë në Basra në vitin 52 (672), nga një sëmundje barku prej së cilës kishte tridhjetë vite që vuante.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Shpjegime

Për një besimtar, e rëndësishme është të arrijë i pastër tek Allahu. Dhe, për të fituar kënaqësinë e Tij, ai duhet të japë edhe jetën, e t’i dorëzojë Atij shpirtin me gjithë dëshirë, nëse i kërkohet. Kur bëhet një gjynah, në fillim duhet pasur frikë prej Allahut, duhet të ndjehet pendesë për gjynahun e bërë dhe duhet të qahet e të derdhen lot, duke iu përgjëruar Allahut për falje. Kjo është ajo që duhet të bëjë një mysliman i sinqertë. Mirëpo, sinqeriteti është me gradë. Për rrjedhojë, edhe sinqeriteti i gruas që tregohet në këtë Hadith, është përtej admirimit tonë. Ajo i ishte kthyer Allahut të Madhëruar me gjithë qenien e saj dhe me një besim madhështor e të papërshkrueshëm, iu lut Allahut për falje. Në këtë mënyrë, në vend që ajo të dilte para Allahut dhe të merrej në llogari për një gjynah të tillë, ajo preferoi të shpëtonte duke e vuajtur dënimin e saj në këtë botë.

Është e sigurt se, teubeja e bërë me sinqeritet, do ta pastrojë patjetër njeriun nga gjynahet. Kjo është ajo që na tregojnë ajetet dhe hadithet. Mirëpo, kjo zonjë sahabe, mbase ka menduar se teubeja e saj mund të mos ishte e sinqertë. Prandaj, vendosi që dënimin e saj ta vuajë që në këtë botë.

Siç shihet, kjo është një çështje besimi. Kështu që, edhe teubeja e atyre që kanë një besim të tillë, është e veçantë. Për rrjedhojë, Profeti ynë (a.s.), shprehet se teubeja e saj, ishte aq e fortë, saqë po të shpërndahej, do të mjaftonte për faljen e gjynaheve të shtatëdhjetë personave.

Por këtu lind pyetja se, a mundet që një njeri me besim të fortë të kryejë një gjynah siç është zinaja (imoraliteti)?

Po, mund të ndodhë, sepse përveç profetëve, askush tjetër nuk është i ruajtur nga gjynahet. Pra, të gjithë njerëzit e tjerë, përveç tyre, mund të gabojnë e të bëjnë gjynahe të mëdha. Njeriu është gjithmonë i gabueshëm dhe mund të bjerë në gjynah në çdo çast. Ai mund të bie pre e egos dhe e shejtanit, të cilët presin gjithmonë gjendjen e tij më të dobët. Prandaj, në këtë aspekt, e rëndësishme është që pas bërjes së gjynahut, të dihet se çfarë duhet të bësh. Nëse robi e kujton Zotin e tij, i Cili ia ka ndaluar bërjen e gjynaheve, ndjen pendesë dhe i përgjërohet Atij me keqardhje duke i thënë, “O Zot më fal!”, do të thotë se ai ka hyrë në rrugën e shpëtimit. Kjo, sepse edhe nëse gjynahet e robit kapin qiellin, Allahu ka premtuar se do ta falë atë, për sa kohë që ai i hap duart dhe i përgjërohet Atij për falje.

Në këtë Hadith, nuk përmendet identiteti i gruas së penduar. Gjithsesi, është e rëndësishme t’i shpjegojmë disa çështje në lidhje me këtë Hadith:

Dënimi me vdekje, me anë të gurëzimit, i cili në terminologjinë fetare njihet si “rexhm”, i jepet burrit, ose gruas së martuar, të cilët bëjnë marrëdhënie seksuale jashtëmartesore. Ndërsa për të pamartuarit që bëjnë të njëjtin gjynah, jepet dënimi i goditjes me shkop. Nga ajo që kuptojmë, kjo grua e cila u ndëshkua me dënimin e rexhmit, ka qenë e martuar.

Arsyeja që i Dërguari i Allahut (a.s.), e thirri kujdestarin e saj dhe e porositi të sillej mirë me të, ishte që t’i pengonte ata (të afërmit e saj) ta mërzisnin atë me fjalë, duke e pyetur se si e kishte bërë atë turp. Kjo sepse, turpërimi i një personi të tillë që e kishte kuptuar se çfarë gjynahu të madh kishte bërë dhe ishte gati të jepte edhe jetën për t’u pastruar prej tij, nuk do të ishte një veprim njerëzor.

Ndërsa arsyeja që dënimi i rexhmit iu dha pas lindjes, ishte shpëtimi i fëmijës së pafajshëm që ajo kishte në barkun e saj. Po ashtu, edhe një grua beqare që bën zina dhe mbetet shtatzënë, nuk lejohet të dënohet me goditje shkopinjsh derisa të lindë fëmijën.

Përveç këtyre, arsyeja që Profeti (a.s.), urdhëroi që t’ia lidhnin mirë rrobën e saj pas trupit, ishte me qëllim që gjatë ekzekutimit të dënimit, të mos i hapeshin pjesët e turpshme të trupit.

Pyetja e Omerit (r.a.) dhe përgjigja që Profeti (a.s.), i dha, është një çështje mbi të cilën duhet menduar shumë.

Pasi shpirti i asaj të penduare e la ndyrësinë e gjynahut në këtë botë dhe fluturoi drejt Zotit të Madhëruar, kufoma e saj ishte larë dhe pastruar. Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), u ngrit për t’i falur namazin e xhenazes, Omeri (r.a.), u habit, sepse falja e namazit të xhenazes së dikujt, nënkuptonte vlerësim të tij dhe kërkesë për faljen e tij nga Allahu i Madhëruar.

Omeri (r.a.), shikonte vetëm madhësinë e gjynahut që ishte vepruar, por nuk e shihte madhësinë e pendimit që ishte bërë pas atij gjynahu. Për këtë arsye, ai kërkoi të mësonte arsyen pse i Dërguari i Allahut (a.s.), po e falte namazin e xhenazes së një personi të tillë.

Ndërsa Profeti (a.s.), iu përgjigj kësaj pyetjeje duke thënë se, ajo grua bëri një teube të tillë, saqë po t’i ndahej shtatëdhjetë gjynahqarëve të Medinës, do të mjaftonte për faljen e gjynaheve të çdonjërit prej tyre. Me këtë, Profeti (a.s.), dëshiroi të theksonte cilësinë shpëtuese dhe lartësuese të sinqeritetit.

Siç e shohim në këtë Hadith, edhe njëherë vihet në pah madhështia e Profetit tonë të dashur (a.s.) dhe vlera që i jep ai njeriut. Në një transmetim tjetër që shënohet në “Sahihun” e Muslimit, kjo ndodhi jepet në formë më të zgjeruar.

Sipas këtij transmetimi, kur gruaja shkoi tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe i tha më jep dënimin e më pastro, në fillim, ai nuk deshi t’i jepte rëndësi fjalëve të saj. Mirëpo, gruaja këmbënguli dhe duke e theksuar, tha se kishte bërë zina, madje në barkun e saj barte edhe frytin e kësaj vepre dhe se patjetër kërkonte të ndëshkohej. Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (a.s.), i tha të shkonte e të kthehej pasi të kishte lindur fëmijën. Kaluan disa muaj, e mbase gruaja mund të hiqte dorë nga kërkesa e saj, sepse jeta është e ëmbël. Mirëpo, ajo e lindi fëmijën dhe e solli tek i Dërguari i Allahut(a.s.) të mbështjellë me një copë beze. Kësaj here, Profeti (a.s.), i tha:

“Shko dhe jepi gji fëmijës derisa ta ndërpresë!” Gruaja e mori fëmijën dhe u kthye. Pas disa vitesh, gruaja erdhi përsëri me fëmijën që tashmë e kishte lënë gjirin dhe përpiqej të brente një copë bukë që kishte në dorë. Ajo i tha:

“O i Dërguar i Allahut! Unë ia ndërpreva gjirin dhe ai ka filluar të hajë bukë”. Pas kësaj, ajo kërkoi përsëri ekzekutimin e dënimit. Për rrjedhojë, më në fund, atë e futën në një gropë dhe e mbuluan deri në gjoks. Më pas, ekzekutuan dënimin me vdekje, duke e goditur me gurë.

Gjatë jetës së Profetit (a.s.), ka ndodhur edhe ngjarja e sahabit të quajtur Maiz (r.a.), të cilit i është dhënë i njëjti dënim. Kur Maizi (r.a.), shkoi tek Profeti (a.s.), i tregoi se kishte bërë zina dhe i kërkoi t’i jepnin dënimin. Në fillim, Profeti (a.s.), nuk deshi ta dëgjonte atë dhe i tha të largohej. Mirëpo, Maizi (r.a.), këmbënguli. Ai doli para të Dërguarit të Allahut (a.s.), i cili ia kthente shpinën duke mos dashur ta dëgjonte dhe e përsëriti katër herë faktin se kishte bërë zina. Për dhënien e dënimit të zinasë, duheshin katër dëshmitarë okularë, ose pohimi katër herë i këtij gjynahu nga ai që e ka vepruar atë. Për rrjedhojë, kur Maizi e pohoi këtë ngjarje katër herë, atëherë u zbatua dënimi i rexhmit edhe për të.

Sipas të dhënave, dihet se në kohën e Profetit (a.s.), dënime të tilla nuk janë zbatuar më shumë se dy-tre herë.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Kur bën një gjynah, myslimani duhet të hidhërohet, të vuaj shpirtërisht dhe të pendohet për atë që ka bërë.
  2. Nëse njeriu pendohet dhe bën teube për gjynahun e bërë, dënimi që i jepet në këtë botë, konsiderohet si shpagim i atij gjynahu dhe në botën tjetër nuk do të merret në llogari për të.
  3. Gruaja shtatzënë, e cila ka bërë një gjynah që meriton dënim, nuk dënohet derisa t’i përfundojë shtatzënia. Po ashtu, nëse ka fëmijë, dënimi i saj shtyhet derisa të ndërpresë gjirin, edhe nëse ajo nuk e ushqen vetë me gji.
  4. Teubeja e sinqertë, ka fuqinë të sigurojë edhe faljen e një gjynahu të madh siç është zinaja (marrëdhënia jashtëmartesore).
Share.

Leave A Reply