Vënia në sprovë e robërve nga ana e Allahut, ka filluar me krijimin e Ademit (a.s.). Në fillim, u vunë në provë melekët kur u urdhëruan që të binin në sexhde para Ademit (a.s.). Të gjithë melekët e fituan këtë sprovë, sepse tek ta nuk ekzistojnë prirjet egoiste. Kurse shejtani, e humbi sprovën duke e kundërshtuar urdhrin e Allahut, sepse ai ishte prej grupit të xhindëve, të cilët kanë ego.

Allahu i Madhëruar, e sprovoi Ademin (a.s.) dhe nënën tonë Havanë me anë të Iblisit. Dhe për realizimin e kësaj sprove, Ai i dha mundësi Iblisit.

Allahu i Madhëruar, ua kishte ndaluar Ademit (a.s.) dhe Havasë afrimin tek një pemë e xhenetit. Egoja, e cila e pengon njeriun t’i bindet urdhrit të Allahut, e filloi luftën me njeriun në sajë të tundimit që i dha shejtani në xhenet. Shejtani, u mundua me lloj-lloj hilesh që të mashtronte njeriun në xhenet. Lidhur me këtë, në Kuran, urdhërohet:

“Shejtani u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: «Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.» Dhe iu betua atyre (duke thënë): «Vërtet, unë jam për ju këshillues i sinqertë!» Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit dhe Zoti i tyre i thirri: «A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se shejtani është vërtet armiku juaj i hapët?»” (A’raf, 20-22)

Afrimi i Ademit (a.s.) dhe Havasë tek fruti i ndaluar ishte për shkak të përballimit të tyre me sprovën e egos. Pasi Ademi dhe e shoqja, të cilët ranë në kurthin e shejtanit, i cili e organizoi atë për t’u hakmarrë ndaj tyre, të penduar jashtë mase, e braktisën menjëherë shejtanin dhe, duke zgjedhur rrugën e melekëve, u penduan dhe kërkuan falje tek Allahu:

قَالَا رَبَّنَا ظَلَمْنَا أَنفُسَنَا وَإِن لَّمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ

“Ata thanë: «O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit».” (A’raf, 23)

Për shkak se ata u penduan, Allahu i Madhëruar, ua tregoi rrugën e shpëtimit atyre dhe brezave pasardhës, duke thënë:

“O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim; por, petku i devotshmërisë është më i miri!..

O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme!..” (A’raf, 26-27)

Në këto ajete, theksohet se, veshjet që ne njohim, nuk janë të mjaftueshme në mbulimin e të metave dhe mangësive njerëzore dhe se rroba e vërtetë, është rroba e “devotshmërisë”, e cila i mbron zemrën dhe shpirtin prej ndjenjave negative dhe i siguron njeriut vetëdijen e përgjegjësisë ndaj Allahut.

Allahu i Madhëruar, e krijoi njeriun dhe e vendosi në xhenet, prej nga ku e nxori dhe e uli në tokë për shkak të gabimit që bëri. Lidhur me këtë fakt, ka urtësi të shumta, disa prej të cilave janë:

– Allahu i Madhëruar, dëshiroi ta zbriste Ademin (a.s.) dhe Havanë në tokë, me qëllim që ata të shtoheshin  dhe të siguronin vazhdimin e llojit njerëzor deri në Ditën e Kiametit.

– Allahu dëshiroi që njerëzit ta njihnin xhenetin dhe të bënin vepra të mira në këtë botë ku janë dërguar për t’u sprovuar, me shpresën për ta fituar përsëri xhenetin.

– Allahu dëshironte të ndante ata që e meritojnë xhenetin nga ata që nuk e meritojnë atë.

– Allahu dëshironte ta vendoste njeriun si mëkëmbës të Tij në tokë, me qëllim që ai të zbatonte vullnetin dhe ligjet e Tij dhe të ndërtonte tokën.

– Allahu i Madhëruar, dëshiron që njeriu të fitojë xhenetin, jo vetëm si një mirësi prej Allahut, i Cili e nderoi Ademin dhe pasardhësit e tij me këtë mirësi, por në të njëjtën kohë, edhe si shpërblim i punës së tij.

 

Share.

Leave A Reply