“Kur një pasdite iu paraqitën kuajt (e mirë) këmbëshpejtë, ai tha: «Unë shfaqa dashuri për pasurinë, që të më kujtojë Zotin tim. Kur kuajt humbën pas perdes (humbën nga sytë), ai tha: «M’i ktheni ata (kuajt)» – pastaj nisi t’i fërkojë nga këmbët dhe qafat e tyre.” (Sad, 31-33)
Sipas disa interpretimeve, njëherë Sulejmani (a.s.), kishte shkuar të shohë kuajt e tij. Për shkak se u mahnit pas bukurisë së kuajve dhe akrobacive të tyre, ai harroi të falë namazin e ikindisë. Kur kuajt u fshehën pas perdes, pra mbaruan shfaqjen dhe humbën nga sytë, koha e namazit kishte kaluar. Prandaj, ai tha: “M’i ktheni ata mua!”. Më pas, filloi t’i fërkonte qafët e këmbët.
Nga ajeti kuptohet se, me bukurinë e tyre në qëndrim dhe ecje, kuajt shpalosën bukuritë që u kishte falur Allahu. Për rrjedhojë, Sulejmani (a.s.), u habit pas tyre.
Gjatë gjithë historisë, kali ka qenë shenjë trimërie, guximi, fitoreje dhe fisnikërie. Kali është ndër krijesat e veçanta mbi të cilin Allahu është betuar në Kuran:
“Betohem për ata (kuaj) që vrapojnë duke dihatur, që nxjerrin xixa nga thundrat dhe trokojnë për sulm në mëngjes, duke çuar re pluhuri, ndërsa çajnë armikun në dysh.” (Adijat, 1-5)
Po ashtu, edhe Profeti ynë (a.s.), e ka theksuar rëndësinë e rritjes dhe trajnimin e kuajve, duke thënë:
“Kush e rrit një kalë për të luftuar në rrugë të Allahut, duke i besuar me të vërtetë Allahut dhe duke i besuar me zemër premtimit të Tij, në Ditën e Kiametit, ato që kali ka ngrënë, ka pirë dhe ka nxjerrë jashtë, do të jenë ndër shpërblimet e atij njeriu.” (Buhari, Xhihad, 45; Nesai, Hajl, 11.)
Për nga aspekti shpirtëror, kuajt janë kafshët më të ngjashme me njeriun. Kalorësi që do të futet në luftë, e zgjedh kalin në përputhje me botën e vet shpirtërore. Kjo, sepse përballë armikut, kuajt përjetojnë të njëjtin emocion me kalorësin që mbartin.