Profetët janë të shmangur nga kryerja e çdo gabimi dhe mëkati të fshehtë a të hapur. Si rrjedhojë e këtij atributi, ata janë mbrojtur si para, ashtu dhe pas profetësisë së tyre, nga batakllëku i politeizmit dhe herezisë. Gjithashtu, ka qenë e pamundur që gjatë kumtimit te njerëzit të vahjit ose mesazhit hyjnor të marrë nga Allahu, të harrojnë diçka ose të gabojnë në diçka.

Po të mos zotëronin atributin e pafajshmërisë, nuk do t’u besohej në drejtësinë dhe vërtetësinë e lajmeve që jepnin, gjë që do të lëshonte hije mbi veçorinë e tyre si provë dhe dëshmi të Allahut mbi tokë.

Sipas sunnitëve, profetët kurrë nuk bëjnë mëkat të madh. Edhe nëse është e mundur që të bëjnë ndonjë gabim ose rrëshqitje161 pas të cilave ka, në fakt, ndonjë urtësi, nuk lihen në atë gabim, por korrigjohen dhe paralajmërohen menjëherë me ajet.

Këto gabime njerëzore involitive (të pavullnetshme) që i quajmë “rrëshqitje, gabim pa dashje”, mbështeten në urtësinë që edhe profetët ta shijojnë dobësinë dhe, duke ua kujtuar se edhe ata janë njerëz, të pengohet mendimi për t’u atribuar atyre hyjnitet.

Profetët janë të detyruar të sillen në atë mënyrë që të bëhet e mundur të merren shembull. Në të kundërt, njerëzit, duke thënë “urdhrat e profetëve janë mbi mundësitë tona”, do të prodhonin shumë justifikime për të mos i zbatuar urdhrat dhe ndalimet hyjnore. Kështu, duke mos e mbajtur parasysh këtë të vërtetë, kanë dalë edhe indiferentë që kanë menduar se profetët duhet të jenë engjëj, kurse Kur’ani u ka dhënë këtë përgjigje:

(O i Dërguar!) Thuaju: “Po qe se qeniet e vetëdijshme që jetojnë dhe lëvizin mbi tokë, do të ishin engjëj, pa dyshim, edhe Ne do të dërgonim nga qielli për ta një engjëll si profet!” (el-Isra, 95)

 “Ne nuk i krijuam ata (profetët) si kufoma (engjëj) që nuk hanë bukë. Ata as nuk janë të përjetshëm (në këtë botë)!” (el-Enbija, 8)

Nga ana tjetër, profetët janë të detyruar të jenë shembull referimi edhe që bashkësitë e tyre të mos bien në të njëjtin gabim dhe të mësojnë që, nëse bien, të dinë se si të veprojnë.

Për shembull, pasi bashkësia e tij nuk u kthye në rrugë të drejtë edhe pas përpjekjeve të tij 950-vjeçare me durim të madh, profeti Nuh (a.s.)

 “… u dorëzua duke i thënë Zotit të tij: “(O Zot,) u munda, më ndihmo!” (el-Kamer, 10)

Pastaj, ndërsa si përfundim i kësaj lutjeje, populli i tij po mbytej në ujë, iu lut Zotit i shtyrë nga mëshira prindërore, t’ia shpëtonte të birin i cili, si dhe të tjerët, po mbytej për shkak të mohimit dhe herezisë së tij:

 “… o Zot, edhe im bir është nga familja ime…” (Hud, 45)

Dhe Zoti, meqë profeti Nuh e mallkoi popullin e vet, kurse u lut për të birin, e qortoi në këtë mënyrë:

“… (o Nuh!) Të këshilloj të mos bëhesh nga injorantët!” (Hud, 46)

Ky gabim i Nuhut (a.s.) është bërë shembull referimi për të gjitha bashkësitë dhe të gjithë popujt gjer në kiamet!

Vetia “lâ juhti” (i pagabueshëm) është e posaçme vetëm për Zotin. Njerëzit e kanë të pamundur t’u shmangen gabimeve. Ndërkaq, muslimani duhet të bëjë përpjekje për t’i zbritur gabimet në minimum. Për këtë, në shumë vende të Kur’anit urdhërohet dhikri (zikri), domethënë, qëndrimi i zemrës gjithmonë pranë Zotit dhe bashkë me Të! Sepse, kur zemra thotë “Allah”, nuk mund të bëhen padrejtësi, nuk mund të bihet në gabime.

Allahu i Lartë urdhëron:

 “Mos u bëni si ata që e harrojnë Allahun duke bërë që edhe Allahu t’i harrojë ata; ata janë njerëz mëkatarë që kanë dalë nga udha!” (el-Hashr, 19)

Për indiferentët në këtë drejtim, Allahu ka thënë, gjithashtu:

 “Sa keq për ata që u janë ngurtësuar zemrat për ta përmendur Allahun! Ata janë haptazi në humbje!” (ez-Zumer, 22)

 

Përveç këtyre pesë atribute të profetëve (1. Besa, besnikëria dhe ndershmëria në fjalë dhe veprime; 2. Besueshmëria; 3. Zgjuarsia dhe inteligjenca profetike; 4. Aftësia dhe cilësia kumtuese; 5. Pafajshmëria), janë edhe tre atribute të mëdha që i përkasin vetëm profetit Muhammed (s.a.s.), të cilat janë:

1) I Dërguari i Madh, profeti ynë, Muhammedi (s.a.s.), është Habibullah, i Dashuri i Allahut. Ai është më i virtytshmi i profetëve dhe më i nderuari i njerëzimit.

Poeti N. Fazëll e përshkruan atë shkurt me këto fjalë:

Esencën ta ka kulluar amëshimi,

Ti je mjalti; hojet, gjithësia…

2) Hz. Muhammedi (s.a.s.) është profeti i dërguar për të gjithë njerëzit dhe xhindët, pra, është, Rasulu Thekalejn. Feja e sjellë prej tij është e vlefshme gjer në kiamet. Kurse profetët e tjerë janë dërguar për një periudhë kohore kalimtare dhe disa prej tyre, vetëm për një fis ose popull të caktuar. Nga ky aspekt, ndërsa mrekullia e çdo profeti i ka përkitur vetëm kohës së vet, mrekullitë e Hz. Muhammedit (s.a.s.) i përfshijnë të gjitha kohët. Veçanërisht Kur’ani, si mrekullia më e madhe e dhënë atij, do të mbetet gjer në kiamet i virgjër nga cënimet dhe korrigjimet.

3) Hz. Muhammedi (s.a.s.) është Hatemu’l-Enbija, i fundit i profetëve.

Veç këtyre, Hz. Muhammedit (s.a.s.) i janë dhuruar për ditën e kiametit dhe ringjalljes, makami mahmud, posti i të lavdëruarit, si dhe shefaati uzma, e drejta e ndërmjetësimit të madh (për falje). Si rrjedhojë, ai profet i mëshirës do të ndërhyjë gjatë llogaridhënies (mahsher) për mëkatarët e ummetit, bashkësisë së tij, dhe kjo ndërhyrje do t’i pranohet.

Share.

Comments are closed.