Një ditë, njëri prej miqve të Allahut Teala, Ahmed bin Ebu’l-Havari, kishte dalë për të ecur në shkretëtirë.
Ai pa një grup njerëzish arabë që po bënin gara me deve në shkretëtirë. Ndërkohë që ata i ngisnin devetë e tyre në një anë, në anën tjetër pa një fshatar të ulur në një qoshe. Në zemër i erdhi dëshira për të biseduar me të dhe u drejtua nga ai.
Burri kishte një gjendje të çuditshme.
Ai dukej aq i qetë dhe i strukur në vetvete, saqë mund t’i bënte përshtypje njeriut nga larg.
Ndërsa një grup bedevish arabë po përjetonin çaste shumë emocionuese. Ata bërtisnin dhe brohorisnin të entuziazmuar.
Si mund të ulej një njeri pa lëvizur nga vendi përballë një atmosfere të tillë?
Ahmed bin Ebu’l-Havari, rahmetullahi alejh, u bë shumë kureshtar, shkoi te ai dhe i dha selam:
“Esselamu alejkum!”
Edhe ai iu përgjigj me një zë të lehtë:
“Ue alejkum selam!”
Nuk tha asnjë fjalë tjetër. Vijimin e ngjarjes e tregon vetë Ahmed bin Ebu’l-Havari:
Qëndrova i ulur pa thënë asnjë fjalë. Zemra m’u mbush me prehje shpirtërore.
Njeriu që dukej i çuditshëm nga larg, vazhdimisht bënte dhikër dhe përkujtonte Allahun Teala. Dukej qartë se preokupohej me dhikrin.
Nuk desha t’ia prishja qetësinë. Qëndrova pranë tij i heshtur dhe u mundova të përfitoja. Pasi kaloi shumë kohë, e ngriti kokën dhe më vështroi me shikimin e tij. Pastaj filloi të fliste:
“Sa gjë e mirë është përkujtimi i Allahut Teala!.. Zemrave u jep prehje dhe shërim…
Habitem për këta njerëz!..
Përse nuk e ulin kokën dhe t’i përgjërohen Allahut të Madhëruar?
Përse nuk e përkujtojnë Allahun?
Përse e harrojnë Allahun (xh.xh.), duke u zhytur në argëtim e dëfrim?
Ndërkohë vdekja është pas tyre dhe i ndjek ata në çdo çast.
Njeriu kurrë nuk mund të shpëtojë prej saj.
Përse njerëzit preokupohen me gjëra boshe, edhe pse janë ballë për ballë me një rrezik dhe fatkeqësi të tillë?”
Unë e pyeta:
“Mëshira e Allahut qoftë mbi ju! Me çfarë rreziku dhe fatkeqësie janë njerëzit ballë për ballë?”
Ai m’u përgjigj:
“Fatkeqësia e mëkateve dhe rreziku i vdekjes. Jeta para dhe pas vdekjes!”
Pastaj filloi të qante. Edhe unë qava bashkë me të.
Pas pak e pyeta përsëri:
“Përse qëndron i vetëm?”
Ai m’u përgjigj:
“Unë nuk jam vetëm! Unë jam me Zotin!”
Mendova se është i varfër dhe ka nevojë për diçka. Kështu që i thashë:
“A do ndonjë gjë?”
Ai më tha:
“Po! Dua një mjek që të më mjekojë brengën e zemrës sime.”
“Kush është mjeku yt?”
“Zoti.”
“Cila është brenga e zemrës tënde?”
“Mëkatet…”
“Kush ka shpëtuar prej mëkateve?”
“Ata prej të cilëve është i kënaqur Allahu Teala.”
“A je udhëtar?”
“Jam udhëtar që kur kam lindur nga nëna.”
“Për ku po udhëton?”
“Për në varr.”
“Ku po shkon?”
“Po shkoj në ahiret.”
“Pa ushqim nuk udhëtohet. Ku e ke ushqimin?”
“Kam shumë pak ushqim.”
“Çfarë ke për të ngrënë?”
“Subhanallah! Riskun që më ka dhënë Zoti.”
“A nuk ke frikë vetëm?”
“Si të kem frikë? Përse të kem frikë? Unë jam në tokën e Zotit.
Pastaj e pyeta:
“Cila është rruga?”
Ai hapi duart dhe filloi t’i lutej e t’i përgjërohej Zotit:
“O Zot!..
Shumica e njerëzve të kanë harruar dhe po preokupohen me gjëra të tjera!..
Ndërkohë që Ti do t’ua japësh shpërblimin e çdo pune!..
O ndihmuesi i të varfërve!..
O strehuesi i të paaftëve!..
O Ti që e bën të paktën shumë!..
O Ti që i udhëzon të devijuarit!..
O Zot që çdo njeri kërkon mbrojtje nga Ti!..
Unë dua mirësinë dhe kënaqësinë Tënde.
Dynjaja dhe ahireti nuk janë të bukura pa kënaqësinë Tënde.”
Në njërën anë lutej nga thellësia e shpirtit e nga zemra dhe në anën tjetër ecte. Unë e ndiqja nga pas. Pasi ecëm pak, u kthye nga unë dhe më tha:
“Mëshira e Allahut qoftë mbi ty!.. Shko te dikush që është më i mirë për ty se unë!.. Mos më shqetëso!..”
Pastaj u largua nga unë. Unë e shikoja nga pas. E ndoqa derisa më humbi nga sytë. Pastaj u ktheva pas duke qarë.
Miqtë e Allahut Teala jetojnë duke u shqetësuar për ahiretin. Ata flasin pak dhe saktë. Ata e dinë se çdo fjalë që del nga goja, shënohet nga engjëjt kiramen katibin.
Frika për dhënien e llogarisë, i ka bërë ata të heshtin. Gjëja më e dashur për ta është përkujtimi i Zotit të Madhëruar.
Për këtë arsye, ata meditojnë gjithmonë dhe përpiqen të bëjnë një jetë të heshtur.
Çdo çast përpiqen për ta përkujtuar Allahun Teala, duke supozuar se janë në audiencën e Tij. Ata nuk e harxhojnë frymën e tyre pa ndonjë synim.
Allahu (xh.xh.), na bëftë prej atyre që e përmendim Atë vazhdimisht, ashtu si robërit e dashur të Tij! Amin!
Përfunduar!