Abdurrahim Somunxhu

 

Iblis është emri i djallit që ishte në xhenet. Pasi u dëbua nga xheneti, djalli mori emrin e vet. Xhindët dhe djajtë janë krijesa që nuk perceptohen nga organet tona të shqisave. Xhindët dhe djajtë, zotërojnë vetëdije dhe vullnet. Këta janë të obliguar të respektojnë urdhëresat dhe ndalesat e fesë islame.

Djalli është prej xhindëve të egër dhe të devijuar. Në Suren Kehf, ajeti 50 thuhet se djajtë janë prej kategorisë së xhindëve. Djalli është një qenie që e shtyn njeriun në rrugë të gabuar, që e cyt zemrën e tij nga jashtë dhe i pëshpërit fshehtas. (Surja Nas, 5)

Në Suren Bekare, ajeti 34 përmendet njoftimi i Allahut ndërkohë që iblisi (djalli) jetonte me engjëjt në xhennet: “…Kur u thamë engjëjve (dhe xhindëve): ‘Përuluni në sexhde para Ademit’, ata u përulën, përveç Iblisit (djallit), i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë mosbesimtar.”

Fakti se përse djalli nuk i bëri sexhde Ademit shpjegohet kështu në Suren A’raf, ajeti 12: “Allahu tha: ‘Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?’ Ai (iblisi) u përgjigj: ‘Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”. (Tha se zjarri ka pozitë më të lartë se balta dhe kundërshtoi duke mos iu bindur urdhrit të bënte sexhde (t’i përkulej) Ademit).”

Edhe xhindët, si djalli dhe njerëzit, hanë, pinë, lindin, martohen, bëjnë fëmijë dhe vdesin. Profeti ynë i nderuar, salallahu alejhi ue selem, i shikonte e i njihte xhindët. Ai ishte profet edhe i tyre. Ai gjykonte për zgjidhjen e problemeve midis xhindëve.

Sulejmani, alejhi selam, ndërtoi Mesxhid-i Aksanë, duke vënë në punë edhe xhindët. Xhindët nuk e dinë të fshehtën. Në Suren Se’be ajeti 14 bëhet e ditur se xhindët nuk e dinë të fshehtën.

Krijimi i xhindëve daton para krijimit të njerëzve.

Njerëzit, të cilët i mashtroi për herë të parë djalli dhe u përpoq t’i nxirrte nga rruga e drejtë duke u betuar rrejshëm, ishin prindërit tanë Ademi, alejhi selam, dhe Havaja. Ademi, alejhi selam, bashkë me nënën tonë, Hava, jetonin në xhenet. Teksa hëngrën nga pema që ua kishte ndaluar Allahu, djalli i këshilloi dhe i garantoi ata duke u betuar rrejshëm se nuk do t’i dëmtonte asgjë, nuk do të dilnin nga xheneti dhe do të qëndronin përjetësisht në të. Në Suren A’raf, ajetet 19-22 përmendet: “Dhe iu betua atyre (duke thënë): ‘Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!”

Djajtë i zbukurojnë gjërat e gabuara për të devijuar njerëzit nga rruga e drejtë. (Surja Ankebut, 38) Djalli është përpjekur ta nxjerrë nga rruga babain tonë, Ademin, alejhi selam, i cili është njeriu dhe profeti i parë dhe ta nxjerrë bashkë me bashkëshorten e tij prej xhenetit. Vallë, a nuk mund të na devijojë nga rruga e drejtë djalli, si (nipër) pasardhës të babait tonë Ademit?

Në Suren A’raf, ajeti 17 thuhet se djalli do t’i largojë njerëzit nga rruga e drejtë: (ai kundërshtoi Allahun duke thënë: …) e pastaj, do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!”

Çfarë dëshirojnë të bëjnë djajtë për t’i devijuar njerëzit në rrugë të keqe? Për këtë, në Suren Maide, ajeti 91 thuhet: “Vërtet, djalli me pije alkoolike (që të dehin) dhe me bixhoz kërkon të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë (nga këto)?”

Gjithashtu, në Suren Bekare, ajeti 268 bëhet e ditur se djalli i urdhëron njerëzit në varfëri dhe ligësi. Megjithatë, siç është djalli prej xhindëve që kanë devijuar, ashtu është edhe prej njerëzve. Për këtë, në Suren Nas, ajetet 4, 5, 6, thuhet: (Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve) … nga sherri i djallit cytës (që u cyt njerëzve gjëra të këqija) që fshihet (pasi cyt) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve, (qoftë ai djall) prej xhindëve apo njerëzve!” Në këtë sure bëhet e ditur se ka edhe djaj prej njerëzve përveç djallit prej xhindëve.

Cila është detyra që na bie? Është ta njohim djallin si armik dhe të mos shkojmë pas gjurmëve të tij. Prej nesh kërkohet mbështetje te Allahu për t’u mbrojtur nga sherri dhe cytjet e këtij djalli. Në suren Mu’minun, ajeti 97 thuhet: “Dhe thuaj: ‘O Zoti im, kërkoj të më mbrosh nga nxitjet (shigjetat helmuese që i hedhin në zemër) e djajve …” Mënyra për t’u mbrojtur nga djalli, është të mbizotërosh mendjen dhe të mbrohesh nga sherri i djallit, duke lexuar: “Eudhu bil-lahi mine’sh-shejtani’rr-rraxhim!”, që është arma shpirtërore e besimtarit.

Si përfundim, kur të hyjë në xhenet i zgjedhuri për në xhenet dhe në xhehenem i zgjedhuri për në xhehenem; kur të mblidhen rreth djallit pasuesit e tij dhe t’i thonë se na mashtrove dhe u bëre shkak që ne të hyjmë në xhehenem, përgjigjen që jep djalli e mësojmë nga Surja Ibrahim, ajeti 22: “Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do t’u thotë (atyre): ‘Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova (devijova nga fjala ime). Unë nuk kam pasur kurrfarë (force) pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra (të mohonit dhe kundërshtonit) e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi! …”

Profeti ynë i nderuar, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo njeri ka një djall.” Myslimani duhet të kërkojë gjithnjë mbrojtje prej Allahut. Nga Profeti ynë i nderuar këshillohet leximi i Ajetu’l-Kursij dhe i sureve Felek e Nas kundër ndikimit negativ të xhindit dhe djallit. (Buhari, “Vekale-Kujdestaria”, 10; Tirmidhi “Tib-Mjekësia”, 16)

Allahu na mbroftë nga e keqja e djajve prej njerëzve dhe xhindëve!

Share.

Leave A Reply