Haxhi mundëson kontrollimin e fjalëve që themi dhe veprimeve që bëjmë. Forcon ndjenjën e vëllazërisë dhe zhvillon vetëdijen tonë se jemi një bashkësi e vetme fetare. Na pastron nga fëlliqësitë e mëkateve. Sjell ndryshime në jetën tonë.

Haxhi është një rast i mirë për ne që të mund të largohemi nga sjelljet dhe zakonet e këqija duke e zbukuruar moralin dhe etikën tonë. Kur jemi të veshur me ihram këputja e një bime, veshja e rrobave të qepura, parfumosja me erë të mirë dhe zënkat me të tjerët përbëjnë raste që pasohen me ndëshkime fetare. Ne duhet të tregojmë kujdes më shumë se çdo herë tjetër ndaj urdhrave dhe ndalesave që na ka mësuar Allahu teksa kryejmë adhurimin e haxhit. Kjo na bën të aftë të kontrollojmë fjalët dhe veprimet tona.

Profeti ynë i dashur Muhamedi (a.s.) ka thënë:

“Myslimani që e kryen detyrën e haxhit pa thënë asnjë fjalë të keqe e fyese, si dhe pa punuar asnjë mëkat të madh, do të kthehet në shtëpinë e tij pa gjynahe, ashtu siç ka lindur i pastër nga nëna.” (Buhari, Haxh, 4)

Ditët e haxhit në Meke, mblidhen miliona myslimanë nga të katër anët e botës, të cilët i kanë të ndryshme ngjyrën e lëkurës, gjuhët që flasin, rrobat dhe veshjet që mbajnë, shijet dhe preferencat e tyre. Në këto ditë kuptojmë më mirë se ne nuk jemi vetëm në këtë botë, por kemi vëllezër të shumtë të besimit islam që përpiqen të jetojnë në përputhje me mësimet e fesë. Në haxh kemi mundësinë të njihemi me disa prej tyre dhe të shkëmbejmë së bashku mendimet. Me ta ne ndajmë ujin dhe hurmat, gëzimin dhe brengat që kemi. Së bashku falim namazet, bëjmë tavafet, ndalojmë ca ditë në vakfe dhe qëllojmë me gurë armikun tonë të përbashkët, shejtanin. Ky unitet forcon ndjenjat e vëllazërisë dhe zhvillon vetëdijen tonë për të qenë pjesë e një bashkësie të madhe fetare.

Allahu thotë:

“Besimtarët janë vëllezër me njëri-tjetrin.” (Huxhurat 10)

Haxhi përbëhet në vetvete prej disa aktesh siç janë tavafi, saji, vakfe, prerja e kurbanit dhe gjuajtja me gurë e shejtanit. Këto akte na mundësojnë të fitojmë sevape dhe na pastrojnë nga fëlliqësitë e mëkateve.

Profeti ynë i dashur Muhamedi (a.s.) ka thënë:

“Pranimi i fesë Islame, kryerja e hixhretit dhe shkuarja në haxh fshijnë mëkatet që keni bërë më parë.” (Muslim, Iman 192).

Haxhi është një adhurim fetar që zgjat afërsisht një muaj dhe që bën të mundur që ne të zhvillohemi shpirtërisht. Gjatë haxhit çdo gjë programohet sipas një adhurimi fetar. Tavafet që kryejmë, namazet që falim, leximet e Kuranit, përmendja sa më shumë e Allahut dhe lutjet tona na mundësojnë të hyjmë në një atmosferë intensive adhurimi. Në këtë atmosferë intensive çdo adhurim e ndryshon jetën tonë duke pasuruar mendimet, ndjenjat dhe përsiatjet tona. Adhurimi i haxhit na rrethon anekënd aq sa ne ndjehemi të përfshirë brenda një edukimi të veçantë. Nga ky aspekt, haxhi është një kamp edukimi dhe adhurimi. Ky është shkaku i ndryshimeve të hijshme që shohim tek njerëzit e kthyer nga haxhi.

Profeti ynë i dashur (a.s.) ka thënë:

“Shpërblimi i haxhit të pranuar është vetëm xheneti.” (Buhari, Umre 1)

Share.

Leave A Reply