Kushti i gjashtë i besimit është të besosh te kazaja dhe kaderi, se e mira dhe e keqja vijnë nga Allahu.

Kuptimi i kazasë dhe i kaderit si përkufizime fetare:

Kader: quhet njohja dhe përcaktimi në amshim (ezel) nga ana e Allahut, se çfarëdo të ndodhë në gjithësi, koha, vendi, forma dhe veçoritë e saj.

Kaza: quhet krijimi i gjërave të përcaktuara nga Allahu në amshim (ezel) në momentin që vjen koha e realizimit të tyre.

Në qoftë se kaderin e quajmë një plan, kazaja është zbatimi i këtij plani. Çdo gjë që ndodh në gjithësi, ndodh me njohjen, me dëshirën dhe me krijimin e Allahut. Nuk ka krijues tjetër përveç Tij.

Të besosh te kazaja dhe kaderi, do të thotë të besosh se çdo gjë, qoftë e mirë apo e keqe, e mbarë apo e mbrapshtë është caktuar dhe programuar nga ana e Allahut.

PËRGJEGJËSIA E NJERIUT

Veprat e njeriut ndahen në dy grupe:

E para, në punët që ndodhin jashtë vullnetit të njeriut dhe me krijimin e Allahut, si për shembull, dridhja e dorës për shkak të sëmundjes, gjatësia e trupit etj. Meqë këto veprime ndodhin drejtpërdrejt me pëlqimin dhe me krijimin e Allahut, njeriu nuk është përgjegjës në lidhje me to.

Së dyti, janë punët që krijohen nga Allahu si rezultat i vullnetit të njeriut. Veprimet, si ulja dhe ngritja, ecja në këmbë, si dhe të gjithë veprimet që njeriu i kryen me organet e trupit të tij janë me krijimin e Allahut, por me dëshirën e njeriut, prandaj edhe ai është përgjegjës për veprimet e kryera.

Allahu është Ai që cakton dhe krijon gjithçka. Ai i ka dhënë njeriut vullne­tin, pra të drejtën e përzgjedhjes në lidhje me kryerjen apo jo të një veprimi të caktuar. Në qoftë se njeriu me vullnetin e tij zgjedh veprën e mirë dhe kërkon ta përdorë fuqinë e tij në këtë drejtim, Allahu e krijon atë punë të mirë. Në qoftë se njeriu zgjedh të bëjë një vepër të keqe dhe e përdor fuqinë e tij në këtë drejtim, Allahu e krijon atë punë të keqe.

Siç shihet, Allahu krijon atë që njeriu dëshiron të veprojë. Ky është edhe kuptimi i fjalëve se e mira dhe e keqja janë prej Allahut, pra Ai krijon të mirën dhe të keqen.

Arsyeja që njeriu është përgjegjës për veprat dhe punët që kryen, është pikërisht mundësia e lirisë së tij për të zgjedhur dhe përdorimi i fuqisë së tij për të realizuar atë që ka përzgjedhur. Prandaj, çdo njeri është përgjegjës për punët që kryen me vullnetin e tij. Në qoftë se kryen një punë të mirë, meriton shpërblim, ndërsa, në qoftë se punon një punë të keqe, meriton ndëshkim.

Share.

Comments are closed.