Haxh, është shkuarja dhe qëndrimi në Arafat dhe Tavafi i Qabes në kohën e caktuar. Haxhin e ka obligim çdo mysliman e myslimane, së paku një herë në jetën e tij, nëse ka mundësi. Ai që kryen haxhin, quhet haxhi.

Ky adhurim fizik e shpirtëror, ka një rëndësi shumë të madhe. Në të shihet vëllazërimi i vërtetë islam dhe dashuria e vërtetë që ka besimtari për Allahun (xh.sh.). Haxhin mund ta quajmë edhe kongresin e përvitshëm të myslimanëve të mbarë botës.

Para se të nisemi për haxh, duhet:

  1. Të pendohemi për gabimet e bëra dhe të vendosim që në të ardhmen të jemi të drejtë ndaj Allahut (xh.sh.) dhe ndaj njerëzimit, duke bërë një jetë të rregullt dhe të njerëzishme.
  2. Të lajmë borxhet dhe t’u kërkojmë falje e hallallëk njerëzve në përgjithësi dhe atyre që u kemi bërë padrejtësi.
  3. Të sigurojmë familjen materialisht, deri sa të kthehemi prej haxhit.

Haxhi ka rregulla dhe dispozita të posaçme, të cilat mund të mësohen më së miri gjatë vetë kryerjes së haxhit.

Farzet e haxhit janë:

  1. Veshja e ihramit (veshje e posaçme).
  2. Qëndrimi në Arafat (vend afër Mekës).
  3. Tavafi (Vizita e nderit rreth e përqark Qabes).
  4. Saji (Vrapimi ndërmjet dy kodrave, Safa dhe Merve).

Një ditë prej ditësh e pyetën profetin tonë Muhamed (a.s.):

– Cila është vepra më e mirë? Ai u përgjigj:

“Të besosh se Allahu është Zot dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij.”

– Po pas saj cila vepër vjen? – e pyetën përsëri.

“Xhihadi në rrugën e Allahut.” – u përgjigj profeti Muhamed.

– Po pas saj? – e pyetën për të tretën herë.

“Haxhi i pranuar nga Allahu (xh.sh.)” – u përgjigj ai. (Buhari, Haxh 4)

Share.

Leave A Reply